Botë

Ukrainasja 98-vjeçare eci kilometra rrugë vetëm për t’u ikur rusëve

Ukrainasja 98-vjeçare eci kilometra rrugë vetëm për t’iu ikur rusëve

Një 98-vjeçare e cila iku nga territori i pushtuar nga Rusia në Ukrainë, duke ecur me një bastun për 9 kilometra, është ribashkuar me familjen e saj disa ditë pasi u ndanë teksa po iknin për të shpëtuar. 

Lidia Stepanivna Lomikovska dhe familja e saj vendosën ta linin qytetin Ocheretyne, në rajonin e Donetskut, pasi trupat ruse u futën dhe luftimet u intensifikuan. 

“U zgjova e rrethuar me të shtëna nga të gjitha anët”, ka thënë ajo në një video-intervistë nga policia e Donetskut. 

Në kaosin e ikjes, Lomikovska u nda nga djali dhe dy nuset. Anëtarët më të rinj të familjes ikën nga rrugë dytësore, por ajo donte të qëndronte në rrugën kryesore, shkroi AP. 

Me një bastun në njërën dorë dhe duke u mbajtur me një copë druri në tjetrën, Lomikovska eci gjithë ditën pa bukë e ujë që të arrinte në anët e Ukrainës. 

Lomikovska ka thënë se u rrëzua dy herë dhe iu deshtë të pushonte disa herë, madje se kishte fjetur një herë. 

Pavlo Diachenko, zëdhënës i policisë, ka thënë se ushtarët ukrainas e kishin parë Lomikovskan që ecte vetëm në rrugë në mbrëmje. Ata e dorëzuan te një grup që i evakuon civilët që jetojnë në qytetet e luftimeve. 

Lomikovska është shprehur se i ka mbijetuar Luftës së Dytë Botërore. “Duhet ta kaloja edhe këtë luftë, dhe në fund, kam mbetur pa asgjë”, ka thënë ajo. 

“Ajo luftë nuk ishte si kjo. E kam parë atë luftë. Asnjë shtëpi nuk u dogj krejtësisht. Por tani, gjithçka është në flakë”.