Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Udhëtimi i gjatë i ukrainasve për të gjetur shpëtim

Udhëtarët ndalohen në qytetin administrativ të Armyansk-ut, ku u inspektohen telefonat, dhe ata që dyshohen se bashkëpunojnë me forcat ukrainase merren në pyetje ose ndalohen, në disa raste për të mos u parë më. Udhëtimi që dikur zgjaste vetëm disa minuta, tashmë zgjat me ditë të tëra

Rima Yaremenkon, grua 68-vjeçare ukrainase, përshkoi tri shtete për gjashtë ditë vetëm për t'u zhvendosur përtej lumit nga vendlindja e saj e rrethuar.

Ajo bëri një rrugë të gjatë me autobus përmes Rusisë, Letonisë dhe Polonisë për të qenë prapë kaq afër. Nga qyteti Kherson i kontrolluar nga Ukraina, ku ajo jeton tani, pamja e zbehtë e qytetit Oleshky është e dukshme nga distanca. Por komuniteti me një popullsi prej 25 mijë banorë të paraluftës mund të jetë gjithashtu një botë larg saj.

Yaremenko jetoi nën sundimin e Moskës për 15 muaj, duke duruar zhurmën e bombardimeve të vazhdueshme pranë shtëpisë së saj. Shkatërrimi i digës Kakhovka, në qershor, shkaktoi përmbytje katastrofike dhe e ktheu pronën e saj në baltë.

Ajo u përball me një zgjedhje të vështirë: Të jetojë si e pastrehë derisa lufta vazhdonte ose të merrte rrugën e vetme – një udhëtim të gjatë dhe të pasigurt nëpër Rusi.

"Ne nuk donim të iknim, por kur u përmbytëm, e vendosa se nuk kishte më asgjë për të qëndruar", tha ajo.

Edhe Pa rrymë, pa ujë, pa karburant - Sulmet ukrainase sjellin errësirë ​​në verën e Krimesë Botë 19 o. më parë Pa rrymë, pa ujë, pa karburant - Sulmet ukrainase sjellin errësirë ​​në verën e Krimesë

Qindra të tjerë u larguan gjithashtu, duke braktisur shtëpitë e tyre të përmbytura nga uji, e duke udhëtuar nëpër zona të gjera të tokave të pushtuara, postblloqe që kërkonin marrje në pyetje dhe përmes qendrës urbane të Rusisë, të gjitha për të arritur në kufijtë e Bashkimit Evropian.

Të arratisurit, tashmë jashtë autoriteteve ruse ofruan për Associated Press rrëfime të rralla të jetës së tyre nën okupim dhe arratisjes së tyre të tmerrshme nga territori i kontrolluar nga Kremlini. Disa prej tyre folën me kusht që të identifikohen vetëm me emrat e tyre, sepse kanë ende të afërm që jetojnë në territorin e pushtuar.

Fatkeqësia vazhdoi

Derisa të dy palët fajësonin njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës, nivelet e ujit ranë dhe zjarri i stuhishëm i artilerisë rifilloi. Luftimet u intensifikuan përgjatë lumit Dnieper, i cili shënon vijën midis ushtrive luftarake të Kievit dhe Moskës. Pretendimet ruse se Ukraina ishte përgjegjëse u kundërshtuan nga një hetim i AP-së.

Granatimet e vazhdueshme ishin problem shtesë për ata që tashmë nuk kishin strehë dhe as qasje në ujë të pijshëm. Shumica nuk kishin para për të rindërtuar shtëpitë e tyre. Autoritetet e okupimit ofruan vetëm 100 dollarë si kompensim.

“Shtëpia ime ishte e pabanueshme. Gjithçka ishte e mbuluar me baltë. Tubat e ujit ishin të prishur. Kishte ujëra të zeza”, tha Lana, 43 vjeçe, e cila u largua nga Oleshky më 19 qershor dhe mbërriti në Kherson pak më shumë se një javë më vonë. “Ishte e pamundur të merrja frymë. Ishim duke u ngulfatur”.

Banorët fillimisht shpresonin se një kundërsulm i shpejtë ukrainas do t'i çlironte ata. Por, sa më gjatë që qëndronin, aq më shumë i frikësoheshin presionit për të marrë pasaporta ruse.

"Megjithëse uji u tërhoq, fatkeqësia vazhdoi", tha Yevhen Ryschuk, kryebashkiak i internuar i Oleshky-t, i cili është në kontakt me banorët.

AP-ja foli me nëntë persona që u larguan nga Oleshky nga 13 qershori deri më 1 korrik. E vetmja rrugëdalje për të ikur nga Khersoni ishte përmes Krimesë, e cila u aneksua nga Rusia në vitin 2014.

“Të rinjtë u larguan”

Udhëtarët ndalohen në qytetin administrativ të Armyansk-ut, ku u inspektohen telefonat, dhe ata që dyshohen se bashkëpunojnë me forcat ukrainase merren në pyetje ose ndalohen, në disa raste për të mos u parë më.

Disa nuk janë në gjendje të kalojnë, sepse kanë humbur dokumentet e tyre dhe nuk kanë para, tha Nelly Isaeva, drejtoreshë e “Helping to Leave”, një organizatë që punon nga distanca për të ndihmuar ukrainasit që janë bllokuar në bregun lindor dhe duan të arratisen.

"Të rinjtë u larguan dhe pensionistët qëndruan", tha Nataliia Skakun, 54 vjeçe, e cila u largua nga Oleshky me burrin e saj, Serhii, dhe u zhvendos në Mykolaiv, në rajonin Kherson.

Një grua që ka mbetur në Oelshky thotë se jeta nën okupim është bërë më e vështirë me kalimin e kohës.

Rusët “filluan të jenë më të ashpër se më parë”, tha ajo, duke folur në kushte anonimiteti nga frika për sigurinë e saj. Ushtarët rusë tani kontrollojnë dokumentet e vendasve, për shembull, kur vizitojnë tregun.

Shumica e banorëve të qytetit që ikën në Krime bënë udhëtimin e tyre përmes provincës ruse të Rostov-on-Don-it për në Moskë dhe përfundimisht arritën në kufirin letonez ose lituanez. Shumë prej tyre shkuan në Poloni dhe nga atje kaluan në Ukrainë ose qëndruan në kampet e refugjatëve. AP-ja foli gjithashtu me dy persona që udhëtuan drejtpërdrejt në Belgorod, i cili kufizohet me rajonin Sumy të Ukrainës.

“Unë dua vetëm paqe”

Edhe Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë Botë 5 muaj më parë Rrëfimet e grave ukrainase për dhunën seksuale nga ushtarët rusë

Në Armyansk, një grua 50-vjeçare e quajtur Alla u mor në pyetje: A e mbështesni operacionin special ushtarak të Rusisë? Keni kontakte me qeverinë e Ukrainës? Kush mendoni se e shkatërroi digën?

Ajo mendoi me kujdes se si të përgjigjej.

Alla kishte qëndruar në vend sepse nëna e saj 74-vjeçare vuante nga artriti dhe nuk donte të shkonte. Në pamundësi për të duruar më shumë, ajo mori të gjitha masat paraprake që mundi duke fshirë kontaktet dhe mesazhet potencialisht të dyshimta. Ajo madje u tha ushtarëve rusë se do të shkonte në Simferopol, kryeqyteti i Gadishullit të Krimesë, dhe jo më tej.

15 muajt e fundit ishin më të vështirët e jetës së saj.

"Çdo ditë në Oleshky ishte rrezik. Çdo ditë mendoja të largohesha, por nuk mund ta detyroja veten të merrja atë vendim. Nëna ime është atje, shtëpia ime që e donim, që i kushtuam pjesën më të madhe të jetës tonë për ta ndërtuar”, tha ajo.

Disa muaj pas pushtimit, rubla u zbatua si monedhë. Alla-s iu desh të shkëmbente hryvnia-t e saj ukrainase për një tarifë prej 10 përqind. Herën e fundit që u përpoq të blinte ilaçe për diabetin në spital, iu tha që herën tjetër të paraqiste dokumente ruse.

Ajo humbi miqtë: Disa pranuan ofertat për t’u pajisur me pasaporta ruse dhe certifikata strehimi për të blerë apartamente brenda Rusisë. Dy nga të afërmit e Yaremenkos e bënë këtë gjithashtu. “Miqtë tanë, për shembull, i morën menjëherë pasaportat. Ata thonë se është bërë më e lehtë për të jetuar”.

Përmbytja ishte shkatërruese. Dhjetëra shtëpi u dëmtuan. Shumë ndërtesa janë të pabanueshme.

Në pikën e kontrollit, Alla shikoi ushtarin rus. Nuk e di kush e shkatërroi digën, tha ajo. "Unë dua vetëm paqe". Ai e la të kalonte.

Në kufirin e Letonisë, ajo u mor përsëri mënjanë dhe u mor në pyetje në një dhomë ku një palë pranga vareshin në një karrige. Pse po largoheni? Ata e pyetën. Pse nuk po pret kompensimin? Pse nuk kërkoni një shtëpi në Rusi?

Pastaj ata i thanë se e dinin që ajo e kishte lënë nënën e saj pas. Nëse ajo do të provonte të kthehej për të, nuk do ta linin të kalonte për herë të dytë, e paralajmëruan ata.

“Ishte presion psikologjik”, tha ajo.

Fshehja e të kaluarës

Ata që kishin bashkëpunuar me forcat ukrainase ndërmorën masa më të mëdha për të fshehur të kaluarën e tyre.

Yuri, 28 vjeç, një ish-gazetar, futi në dhe letrat kredenciale të shtypit dhe fshiu kontaktet e tij të telefonit. Për muaj të tërë, ai u kishte dhënë koordinatat e lëvizjeve të ushtrisë ruse, miqve të lidhur me forcat ukrainase.

Në Oleshky ai punonte në një dyqan ushqimi të frekuentuar nga ushtarë rusë, tha ai. “Çdo ditë dilni nga shtëpia juaj dhe nuk e dini nëse do të ktheheni”, tha ai.

Për të mbijetuar, ai tregohej i sjellshëm dhe bisedonte me ushtarët. Disa i thanë se do të luftonin për territorin deri në fund. Të tjerë i thanë se donin të shkonin në shtëpi. Ai bënte sikur i simpatizonte.

Edhe Çdo hap mund të jetë i fundit: Jeta nën dronët rusë në Kherson Botë 5 muaj më parë Çdo hap mund të jetë i fundit: Jeta nën dronët rusë në Kherson

Ai u lejua të kalonte në Armyansk. Si shumë të tjerë, u drejtua në një vend ku ndihej më shumë si në shtëpi. Përtej lumit, në qytetin Kherson, ku bombardimet ruse janë të vazhdueshme.

"Është absurde në një farë mënyre", tha ai duke qeshur. Vetëm pak javë më parë ai mund të shihte qytetin e kontrolluar nga ukrainasit, nga ndërtesa e tij. “Ishin vetëm 20 minuta mes Oleshky-t dhe Khersonit. Tani janë tri ditë”. (Përktheu: Forca Jashari)