Ishte ora e marrjes së fëmijëve nga çerdhja. Ndërsa prindër të tjerë dhe fëmijë lëviznin nëpër korridore, Tanya Leshchenko ishte ulur në një stol në një nga ambientet e brendshme dhe po e vishte vajzën e saj 5-vjeçare me një pallto të trashë dimri ngjyrë vjollcë. Para se të dilnin jashtë, megjithatë, mbetej edhe një detyrë e fundit, e domosdoshme për mbijetesë.
Leshchenko hapi telefonin dhe kontrolloi një grup bisede online, ku qytetarët ndanin paralajmërime për dronë sulmues që mund të ishin duke u afruar. Ky grup poston alarme të bazuara në dëshmitë e banorëve të Khersonit, një qytet në jug të Ukrainës, ku rreziku i përditshëm nga robotët fluturues vdekjeprurës krijon pamjen e një të ardhmeje të frikshme, thuajse post-apokaliptike.
Një paralajmërim nga vjeshta e kaluar përmbante vetëm fjalët: “Po dëgjoj një dron!” -një zhurmë e mprehtë dhe kërcënuese që tashmë është bërë një kolonë zanore e errët dhe e vazhdueshme e jetës në qytet. Atë ditë, kur Leshchenko po merrte vajzën e saj nga çerdhja, qielli ishte i qetë dhe pa shenja rreziku. Ato dolën jashtë dhe u nisën drejt stacionit të autobusit.
“Nuk mund t’i ikësh një droni”, tha Leshchenko, përpara se të shtonte me zë të ulët: “Është e frikshme”.
Në Kherson, një qytet me bulevarde të gjera, të rrethuara nga pemë, dhe me shtëpi madhështore të epokës cariste, banorët kanë frikë nga qielli i hapur. I gjithë qyteti ndodhet brenda rrezes së dronëve të lirë rusë, të tipit “quadcopter”, të cilët forcat e Moskës i lëshojnë nga territori që kontrollojnë përtej lumit Dnipro.
Sipas autoriteteve, rreth 200 civilë janë vrarë dhe afro 2.000 janë plagosur nga sulmet me dronë gjatë vitit të kaluar. Ukrainasit i quajnë këto sulme “safari njerëzore”, duke nënkuptuar se civilët po trajtohen si pre e gjuetisë. Operatorët rusë të dronëve hedhin granata mbi njerëz që punojnë në kopshtet e tyre ose që ecin paqësisht nëpër trotuare.
Masat mbrojtëse
Khersoni, popullsia e të cilit ka rënë në rreth 65.000 banorë pasi tri të katërtat e qytetarëve janë larguar, është shndërruar në vendin ku përdorimi i dronëve për krime lufte është më intensiv se kudo tjetër në botë, sipas organizatave për të drejtat e njeriut.
Jeta po zhvendoset nën tokë. Spitalet, një maternitet, zyrat qeveritare, një teatër dhe dhjetëra institucione të tjera janë transferuar në ambiente nëntokësore. Aktivitetet për fëmijë që dikur zhvilloheshin në parqe dhe oborre, tani mbahen në bodrume. Të gjitha shkollat funksionojnë vetëm online.
Qyteti po eksperimenton me një sërë masash mbrojtëse kundër dronëve, megjithëse asnjëra prej tyre nuk është plotësisht efektive. Ushtria ka vendosur antena përgjatë bregut të lumit për të ndërprerë sinjalet e dronëve. Dhjetëra kilometra rrjeta, të projektuara për të kapur dronët përpara se të arrijnë objektivin dhe të shpërthejnë, janë shtrirë mbi rrugë dhe akse kryesore të qytetit. Ndërkohë, përgjatë trotuareve janë vendosur rreth 250 dhoma betoni për strehim emergjent, ku njerëzit mund të futen për disa çaste në rast rreziku të menjëhershëm.
Punëtorët bashkiakë, teksa punojnë jashtë duke riparuar dëmet nga bombardimet ose duke ndrequr rrjetat kundër dronëve, mbajnë me vete detektorë dronësh të dorës. Këto pajisje funksionojnë duke kapur sinjalin e kamerave të dronëve dhe duke shfaqur në ekran atë që sheh operatori rus në momentin kur përqendrohet mbi një objektiv. Të shohësh veten ose makinën tënde në ekranin e detektorit është një lajm jashtëzakonisht i keq dhe paralajmëron rrezik të afërt.
Kjo i ndodhi një herë edhe Yaroslav Shankos, administratori ushtarak-civil i qytetit, një rol i ngjashëm me atë të kryetarit të bashkisë. Si reagoi ai? “Duhet të arrish shpejtësinë maksimale dhe të manovrosh vazhdimisht” për të dalë nga fusha e shikimit të dronit, shpjegoi Shanko. Duke marrë kthesa me zhurmë të fortë, duke kaluar rrugica të ngushta dhe duke ecur me mbi 130 kilometra në orë, shoferi i tij arriti t’i shpëtojë ndjekjes së dronit.
Organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se qytete të tjera në botë, të shkatërruara nga lufta apo të përfshira nga dhuna kriminale, ka gjasa të ngjajnë me Khersonin në të ardhmen e afërt.
Dronët e vegjël quadcopter, kanë ulur ndjeshëm koston dhe pragun e përdorimit të municioneve me drejtim të saktë, të cilat më parë kushtonin dhjetëra ose qindra mijëra dollarë. Sipas Belkis Wille, drejtoreshë e asociuar në Human Rights Watch, këta dronë janë përdorur për të sulmuar civilë si në luftën civile në Sudan, ashtu edhe në konfliktet mes bandave në Meksikë.
“Khersoni është shembulli më i qartë i një fushate të drejtpërdrejtë për të goditur civilët me dronë quadcopter, por kjo është vetëm fillimi i asaj që ne kemi frikë se do të bëhet realitet për civilët në zonat e konfliktit në mbarë botën”, tha Wille. “Kostoja për të shënjestruar civilët ka rënë ndjeshëm”.
“Nuk ka shpëtim”
Khersoni nuk ka pasur kurrë një periudhë qetësie gjatë katër vjetëve të luftës. Forcat ruse e pushtuan qytetin për nëntë muaj në fillim të pushtimit të plotë, përpara se të tërhiqeshin. Një aristokrat rus i shekullit XVIII dhe i dashuri i Katerinës së Madhe, Princi Grigory Potemkin, konsiderohet themeluesi i qytetit modern dhe ishte varrosur në një kishë lokale. Gjatë tërheqjes, ushtarët rusë morën me vete eshtrat e tij.
Pasi trupat ukrainase çliruan Khersonin në nëntor të vitit 2022, forcat ruse filluan të bombardonin qytetin me artileri nga ana tjetër e lumit. Kur dronët e vegjël u shndërruan në armë efektive vitin pasues, nisi një formë e re terrori.
Plagët nga dronët janë bërë aq të zakonshme, saqë, sipas kirurgut Oleh Pinchuk, “këtu janë harruar aksidentet automobilistike”. Ndonjëherë, të plagosurit, ende të shtrirë në shtretërit e spitalit disa ditë pas sulmit, shikojnë me sy të zgurdulluar video të publikuara online nga forcat ruse, të filmuara nga kamera e dronit që i ka goditur. Ata e shohin veten në ekran, duke u zmadhuar gjithnjë e më shumë, teksa droni afrohet.
Sapo dronët afrohen, është pothuajse e pamundur t’u shpëtosh.
Mykola Hyadamaka, 67 vjeç, një shofer në pension, kujton se si dëgjoi një dron që po ndiqte makinën e tij. Ai u përpoq të kthehej me shpejtësi në shtëpi dhe të hynte me vrap nga dera e oborrit, por u ngatërrua me portën. Një granatë shpërtheu pranë tij dhe copëzat e metalit e plagosën rëndë.
“Nuk ka shpëtim”, tha ai gjatë një interviste nga shtrati i spitalit.
Serhiy Shevchenko, 36 vjeç, një hidraulik, tregoi se si u ndoq nga një dron rreth një peme, përpara se ai të shpërthente pranë tij.
“Nuk kishte asnjë vend për t’u fshehur”, tha ai.
Volodymyr Oleinichuk, 52 vjeç, rojë parkimi, u hodh me shpejtësi nën një strehë të vogël sapo dëgjoi zhurmën e një droni mbi kokë. Sipas tij, droni filloi të qarkullonte rreth e rrotull, sikur po e priste momentin kur ai të dilte nga streha. Kur ai nuk lëvizi dhe nuk doli jashtë, droni hodhi një granatë pranë themelit të strehës, duke shpërndarë copëza metali nën të dhe duke e plagosur rëndë.
Një nga aspektet më të frikshme të sulmeve me dronë, theksoi Oleinichuk, është ndjesia se makina nuk vepron verbërisht, por drejtohet nga një inteligjencë njerëzore që mendon, kërkon dhe manovron me qëllim të qartë.
“Ka dikë pas tij, që e kontrollon”, tha ai. “E dëgjoja se si po më kërkonte”.
Me shkollat të mbyllura, hapësirat nëntokësore që shfrytëzohen për aktivitete janë ndër të paktat vende ku fëmijët mund të takohen dhe të shoqërohen me njëri-tjetrin. Ato ofrojnë kurse kërcimi, arti dhe aktivitete të tjera kreative, si edhe shfaqje filmash për fëmijë. Një klasë kërcimi në një nga këto qendra ishte emëruar “Të bashkuar nga dashuria”. Organizatorët kishin vendosur edhe kuti me rërë në zonat e lojërave nën tokë, me idenë se fëmijëve u duhej një zëvendësim për ndjesinë e tokës që dikur e preknin në këndet e lojërave në hapësira të hapura.
Jashtë, rreziku është gjithmonë i pranishëm. Kur shfaqen dronët, “duhet të fshihesh në një strehë, ose thjesht kudo ku nuk mund ta shohësh qiellin”, tha Daria, një vajzë 11-vjeçare, e cila gjatë verës u fsheh nën pemët e një parku kur një dron fluturoi mbi të.
Edhe pse shumë banorë janë larguar nga Khersoni, Leshchenko - gruaja që pak më parë po merrte vajzën e saj, Alyonan, nga çerdhja, tha se nuk kishte ndërmend të largohej. Ajo tha se familja e saj nuk ka ku të shkojë dhe se largimi nuk ishte një zgjidhje reale për ta.
Sapo të mbërrijë në stacionin e autobusit, një strehë prej betoni do t’i ofrojë njëfarë mbrojtjeje. Ajo do të kontrollojë edhe një herë grupin online për paralajmërime. Më pas do të ecë me nxitim drejt shtëpisë, duke e mbajtur Alyonën fort për dore.