Fatkeqësia e fundit filloi të martën, kur diga hidroelektrike Kakhovka, afërsisht 80 kilometra në rrjedhën e sipërme nga Oleshky, u shemb, duke dërguar rrëke uji poshtë lumit Dnieper dhe përgjatë vijave të frontit të luftës. Duke e komplikuar tragjedinë, Rusia ka bombarduar zonat e goditura nga përmbytjet, duke përfshirë qytetin e vijës së parë të Khersonit
Për ditë të tëra, adoleshentja ukrainase ka pritur në katin nën çati, pikërisht poshtë rrugës nga varrezat e qytetit të saj të përmbytur, duke shënuar kohën me gjyshin e saj 83-vjeçar dhe dy të moshuar të tjerë dhe duke shpresuar për ndihmë, për t'i shpëtuar përmbytjes nga shpërthimi i digës.
Por ndihma është e ngadaltë në Oleshky, qytet i pushtuar nga Rusia përtej lumit Dnieper dhe me popullsi prej 24 mijë banorësh, shifra të paraluftës. Forcat ruse po marrin varkat e shpëtimtarëve, thonë ata. Disa thonë se ushtarët ndihmojnë vetëm njerëzit me pasaporta ruse.
"Ushtarët rusë po qëndrojnë në postblloqe, duke penguar (shpëtuesit) të afrohen në zonat më të prekura dhe të marrin varkat", tha një vullnetar, Yaroslav Vasiliev. "Ata kanë frikë nga diversantët, ata dyshojnë për të gjithë".
Kështu, 19-vjeçarja, Yektarina But, dhe tre të moshuarit, thjesht presin, së bashku me mijëra të tjerë që besohet se janë bllokuar nga përmbytjet e përhapura në 600 kilometra katrorë të rajonit Kherson. Rreth dy të tretat e zonave të përmbytura janë në territorin e pushtuar nga Rusia, thanë zyrtarët.
Grupi nën çati nuk ka energji elektrike, nuk ka ujë të pijshëm, nuk ka ushqim. Bateria në telefonin e But është duke u shuar.
"Kemi frikë se askush nuk do ta dijë për vdekjet tona", tha ajo në një intervistë të shkurtër në telefon, me zërin që i dridhej.
“Gjithçka rreth nesh është e përmbytur”, tha ajo. "Nuk ka ende asnjë ndihmë". Gjyshit të saj, i cili kishte pësuar një goditje në tru, po i mbaronin ilaçet, tha ajo. Një grua me të, gjyshja e një fqinji, nuk mund të lëvizte vetë.
Të tjerë janë larguar nga ekipet e shpëtimit. Viktoria Mironova-Baka tha se ka qenë në kontakt nga Gjermania me të afërm të bllokuar në rajonin e përmbytur.
“Të afërmit e mi thanë se ushtarët rusë po vinin në shtëpi sot me varkë, por ata thanë se do të merrnin vetëm ata me pasaporta ruse”, tha ajo për Associated Press. Gjyshja, tezja dhe më shumë se dhjetëra njerëz të tjerë po strehohen në katin nën çati të një shtëpie dykatëshe.
Evakuimi i rusëve
Detajet e jetës në Ukrainën e pushtuar nga Rusia janë shpesh të paqarta. AP-ja nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportet për kapjen e varkave ose se vetëm rusët po evakuoheshin, por llogaria është në përputhje me raportimin e mediave të pavarura ruse.
Është një kontrast i mprehtë me territorin e kontrolluar nga Ukraina e përmbytur nga shembja e digës. Autoritetet atje kanë evakuuar në mënyrë agresive civilët dhe kanë sjellë furnizime emergjente. Të enjten, presidenti Volodymyr Zelenskyy udhëtoi në zonë për t’i vlerësuar dëmet. Presidenti rus, Vladimir Putin, "nuk ka plane për momentin" për të vizituar zonat e prekura të pushtuara nga Moska, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ky rajon ka vuajtur tmerrësisht që kur Rusia pushtoi Ukrainën në fillim të vitit të kaluar, duke duruar ndonjëherë sulme të pamëshirshme artilerie dhe raketash.
Fatkeqësia e fundit filloi të martën, kur diga hidroelektrike Kakhovka, afërsisht 80 kilometra në rrjedhën e sipërme nga Oleshky, u shemb, duke dërguar rrëke uji poshtë lumit Dnieper dhe përgjatë vijave të frontit të luftës.
Zyrtarët thonë se më shumë se 6 mijë njerëz janë evakuuar nga dhjetëra qytete, qyteza dhe fshatra të përmbytura në të dy anët e lumit. Por shkalla e vërtetë e katastrofës mbetet e paqartë për një rajon që dikur ishte shtëpia e dhjetëra mijëra njerëzve.
Të paktën 14 persona kanë vdekur nga përmbytjet, shumë janë të pastrehë dhe dhjetëra mijëra janë pa ujë të pijshëm.
Përmbytjet shkatërruan të korrat, zhvendosën minat tokësore, shkaktuan dëme të gjera mjedisore dhe krijuan terrenin për mungesa afatgjata të energjisë elektrike.
Akuzat mbi shpërthimin e digës
Ukraina thotë se Rusia e shkatërroi digën me eksploziv. Rusia akuzon Ukrainën se e ka shkatërruar atë me një sulm raketor.
Një dron i drejtuar të mërkurën nga një ekip i AP-së mbi rrënojat e digës nuk zbuloi asnjë nga shenjat e djegies ose mbetjet e copëzave tipike të një bombardimi. Pjesa më e madhe e vetë digës tani është zhytur në ujë dhe imazhet e AP-së ofruan një pamje të kufizuar, duke e bërë të vështirë përjashtimin e çdo skenari. Diga gjithashtu ishte dobësuar nga neglizhenca ruse dhe uji ishte derdhur mbi të për javë të tëra. Ajo kishte qenë nën kontrollin rus që nga pushtimi në shkurt të vitit 2022.
Duke e komplikuar tragjedinë, Rusia ka bombarduar zonat e goditura nga përmbytjet, duke përfshirë qytetin e vijës së parë të Khersonit. Të enjten, bombardimet ruse bënë jehonë jo shumë larg një sheshi në Kherson, ku ekuipazhet e urgjencës dhe vullnetarët po shpërndanin ndihma. Disa pika evakuimi në qytet u goditën, duke plagosur nëntë persona, sipas zyrtarëve ukrainas.
Përmbytjet kanë ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme peizazhin e rrjedhës së poshtme dhe kanë ndryshuar dinamikën e luftës 15-mujore.
Kryetari i Bashkisë së Oleshky-it, Yevhen Ryshchuk, tha se të enjten pasdite niveli i ujit kishte filluar të binte, por afërsisht 90% e qytetit mbeti i përmbytur.
Ryshchuk u largua pasi forcat ruse u përpoqën ta detyronin të bashkëpunonte, por ai mbetet në kontakt të ngushtë me njerëzit brenda dhe përreth qytetit.
Rusia thotë se po ndihmon civilët e rajonit. Guvernatori rajonal i emëruar nga Moska, Vladimir Saldo, pretendoi se mbi 4 mijë njerëz ishin evakuuar nga zonat e përmbytjeve. Ai ndau një video që tregonte shtretër bosh në strehimore të përgatitura për të evokuarit.
Ryshchuk i hedh poshtë pretendimet e tij.
Ai tha se disa njerëz që përpiqeshin të largoheshin nga zonat e përmbytura u detyruan të ktheheshin nga ushtarët rusë, të cilët i akuzuan se ishin "kamerierë" - njerëz që prisnin që Ukraina të rimarrë kontrollin e rajonit.
Të tjerëve, të cilët thirrën shërbimet e urgjencës të kontrolluara nga Rusia, iu tha se do të duhej të prisnin për ndihmë, tha ai.
"Kjo është ajo", tha ai. “Dje, disa rusë erdhën në mëngjes, morën disa njerëz nga çatitë, filmuan një video dhe u larguan. Kjo është gjithçka që ata kanë bërë deri sot”.
Kërkesat e shumta për ndihmë
Ndihma që ia doli të kalojë është shpërndarë. Pamjet ushtarake ukrainase, për shembull, treguan forcat e tyre duke i lëshuar një shishe me ujë nga një dron një djali të bllokuar me nënën dhe motrën e tij në çati të shtëpisë së tyre pranë Oleshky-it. Ushtarët ukrainas më vonë evakuuan familjen dhe kafshët e tyre shtëpiake në qytetin Kherson, njoftoi Policia Kombëtare.
Pjesa më e madhe e ndihmës po organizohet nga vullnetarë që komunikojnë në aplikacionin e koduar Telegram. Mesazhet për njerëzit e bllokuar, shpesh të bllokuar në çatitë e shtëpive të tyre, shfaqen në këto grupe çdo disa minuta. Shumica janë postuar nga të afërmit në zona më të sigurta.
Vetëm një nga këto grupe vullnetare ka një hartë që tregon mbi 1 mijë kërkesa për të gjetur dhe shpëtuar njerëzit, kryesisht në Oleshky dhe qytetin e afërt të Hola Prystan.
Një grua që ndihmonte një nga grupet, e cila foli me kusht që emri i saj të mos përdorej nga frika e hakmarrjeve nga pushtuesit rusë, ndau një mesazh me një gazetar të AP-së.
“Ne po kërkonim një person të quajtur Serhii Borzov”, thuhej në mesazh. “Ai u gjet. Fatkeqësisht, i vdekur. Ngushëllimet tona për të afërmit”.
Përktheu: Forca Jashari