Botë

Qytete e fshatra ukrainase përmbyten, Rusia e Ukraina fajësojnë njëra-tjetrën

Ministria e Brendshme e Ukrainës u bëri thirrje banorëve të 10 fshatrave në bregun e djathtë të Dnieperit dhe disa pjesëve të qytetit të Khersonit që të mbledhin dokumentet thelbësore dhe kafshët shtëpiake, të fikin pajisjet dhe të largohen. Operatori bërthamor i Ukrainës, Energoatom, ka njoftuar përmes Telegramit se dëmtimi i digës “mund të ketë pasoja negative” për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias, i cili është më i madhi në Evropë, por shkroi se për momentin situata është “e kontrollueshme”

Muri i një dige të madhe në Ukrainën jugore u shemb, duke shkaktuar përmbytje, duke rrezikuar termocentralin më të madh bërthamor në Evropë dhe duke kërcënuar furnizimin me ujë të pijshëm, teksa të dyja palët në luftë u përpoqën të evakuojnë banorët dhe fajësuan njëra-tjetrën për shkatërrimin.

Ukraina i ka akuzuar forcat ruse për hedhjen në erë të digës Kakhovka dhe hidrocentralit në lumin Dnieper në një zonë që kontrollon Moska, ndërsa zyrtarët rusë fajësuan bombardimet ukrainase. Nuk ishte e mundur të verifikoheshin pretendimet e asnjërës palë.

Pasojat e mundshme mjedisore dhe sociale të katastrofës u bënë të qarta shpejt pasi shtëpitë, rrugët dhe bizneset u përmbytën në rrjedhën e poshtme dhe ekipet e emergjencës filluan evakuimet. Zyrtarët u përpoqën për të kontrolluar sistemet e ftohjes në Centralin Bërthamor të Zaporizhzhias, kurse autoritetet kanë shprehur shqetësimin për furnizimet me ujë të pijshëm në Krime, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.

Autoritetet ruse dhe ukrainase sollën trena dhe autobusë për banorët. Rreth 22 mijë njerëz jetojnë në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, e që kontrollohen nga Rusia, ndërsa 16 mijë jetojnë në zonën më kritike në territorin e kontrolluar nga ukrainasit, sipas të dhënave zyrtare. Asnjëra palë nuk raportoi ndonjë vdekje apo lëndim.

Pretendimet ruse e ukrainase

Shkatërrimi i digës i shtoi një dimension të ri mahnitës luftës së Rusisë në Ukrainë, tashmë në muajin e saj të 16-të. Forcat ukrainase shihej gjerësisht se po ecnin përpara me një kundërofensivë të shumëpritur përgjatë më shumë se 1 mijë kilometra të vijës së frontit në lindje dhe jug.

Nuk ishte menjëherë e qartë se secila palë përfiton nga dëmtimi i digës, pasi tokat e kontrolluara nga Rusia dhe ato të kontrolluara nga Ukraina janë në rrezik. Dëmi gjithashtu mund të pengojë kundërsulmin e Ukrainës në jug dhe të shpërqendrojë qeverinë e saj, ndërsa Rusia varet nga diga për ta furnizuar Krimenë me ujë.

Megjithëse zyrtarët e Kievit pretenduan se Rusia hodhi në erë digën për të penguar kundërsulmin, vëzhguesit vërejnë se kalimi i Dnieper-it të gjerë do të ishte jashtëzakonisht sfidues për ushtrinë ukrainase. Sektorët e tjerë të vijës së parë janë rrugë më të mundshme sulmi, kanë thënë analistët.

Ekspertët kanë thënë më parë se diga ishte në gjendje të keqe, gjë që gjithashtu mund të kishte çuar në thyerje. David Helms, një shkencëtar amerikan në pension që ka monitoruar rezervuarin që nga fillimi i luftës, ka treguar se nuk është e qartë nëse dëmtimi është i qëllimshëm apo neglizhencë e thjeshtë nga forcat ruse që pushtuan objektin.

Por Helms gjithashtu vuri në dukje një histori ruse të sulmit të digave.

Autoritetet, ekspertët dhe banorët kanë shprehur shqetësimin për muaj të tërë për rrjedhat e ujit përmes - dhe mbi - digën Kakhovka. Pas shirave të dendur dhe shkrirjes së borës muajin e kaluar, nivelet e ujit u rritën përtej niveleve normale, duke përmbytur fshatrat përreth.

Image

Dëmet e shkaktuara

Mes zemërimit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka njoftuar për një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ai pretendoi se forcat ruse filluan një shpërthim brenda strukturës së digës në orën 2:50 dhe ka treguar se rreth 80 vendbanime janë në rrezik. Zelenskyy ka theksuar në tetor se qeveria e tij ka informacione se Rusia ka minuar digën dhe termocentralin.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti atë “akt të qëllimshëm sabotimi nga pala ukrainase ... që synon ndërprerjen e furnizimit me ujë në Krime”.

Të dyja palët paralajmëruan për një fatkeqësi mjedisore të afërt. Zyra presidenciale e Ukrainës ka bërë të ditur se rreth 150 tonë metrikë naftë u larguan nga makineria e digës dhe se 300 tonë metrikë të tjerë mund të rrjedhin ende.

Andriy Yermak, kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, postoi një video që tregon mjellma duke notuar pranë një ndërtese administrative në rrugët e përmbytura të Nova Kakhovkas të pushtuar nga Rusia, qytet në rajonin Kherson ku rreth 45 mijë njerëz jetonin para luftës. Pamjet e tjera që ai postoi tregojnë përmbytjet që arrinin në katin e dytë të ndërtesës.

Ministria e Brendshme e Ukrainës u bëri thirrje banorëve të 10 fshatrave në bregun e djathtë të Dnieperit dhe pjesëve të qytetit të Khersonit që të mbledhin dokumentet thelbësore dhe kafshët shtëpiake, të fikin pajisjet dhe të largohen.

Operatori bërthamor i Ukrainës, Energoatom, ka njoftuar përmes Telegramit se dëmtimi i digës “mund të ketë pasoja negative” për termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias, i cili është më i madhi në Evropë, por shkroi se për momentin situata është “e kontrollueshme”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike e OKB-së ka njoftuar se nuk ka “asnjë rrezik të menjëhershëm për sigurinë e centralit”, i cili kërkon ujë për sistemin e tij të ftohjes. Ai ka thënë se stafit të IAEA-s në terren i është thënë se niveli i digës po bie me 5 centimetra në orë. Me këtë ritëm, furnizimi nga rezervuari duhet të zgjasë disa ditë, ka shtuar ai.

Fabrika gjithashtu ka burime alternative të ujit, duke përfshirë një pellg të madh ftohës që mund të sigurojë ujë “për disa muaj”, thuhet në deklaratë.

Qendra Botërore e të Dhënave për Gjeoinformatikën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, një organizatë joqeveritare ukrainase, vlerësoi se rreth 100 fshatra dhe qytete do të përmbyten. Ai gjithashtu llogariti se niveli i ujit do të fillojë të bjerë vetëm pas shtatë ditësh.

Përktheu: Blerta Haxhiu