Njollat me ngjyrë ylberi tashmë mbulojnë ujërat e turbullta dhe të qeta rreth Khersonit të përmbytur, kryeqytetit të provincës jugore të Ukrainës me të njëjtin emër. Shtëpitë e braktisura lëshojnë erë nga kalbja pasi makinat, dhomat e katit të parë dhe bodrumet mbet[en të zhytura. Përmbytjet e mëdha që shihen në pamjet ajrore shtrihen përgjatë lumit nga porti i qytetit dhe objektet industriale, duke demonstruar shkallën e problemit të ri të ndotjes së Dnieperit
(AP) - Shkatërrimi i digës Kakhovka ishte fatkeqësi e shpejtë që po evoluon me shpejtësi në një katastrofë mjedisore afatgjatë që prek ujin e pijshëm, furnizimet ushqimore dhe ekosistemet që arrijnë në Detin e Zi.
Rreziqet afatshkurtra mund të shihen nga hapësira - dhjetëra mijëra parcela toke të përmbytura dhe më shumë që pritet të dëmtohen në vazhdim. Ekspertët kanë thënë se pasojat afatgjata do të shkojnë ndër breza.
Për çdo shtëpi dhe fermë të përmbytur, ka fusha me drithëra, fruta dhe perime të sapombjella, kanalet e ujitjes të të cilave po thahen. Mijëra peshq mbetën të ngordhur. Zogjtë e rinj humbën foletë dhe burimet e tyre ushqimore. Pemë dhe bimë të panumërta u shkulën.
Nëse uji është jetë, atëherë kullimi i rezervuarit të Kakhovkas krijon një të ardhme të pasigurt për rajonin e Ukrainës jugore që ishte një fushë e thatë deri në mbylljen e lumit Dnieper 70 vjet më parë. Diga Kakhovka ishte e fundit në një sistem prej gjashtë digash të epokës sovjetike në lumë, e cila rrjedh nga Bjellorusia në Detin e Zi.
Pastaj Dnieperi u bë pjesë e vijës së frontit pas pushtimit të Rusisë vitin e kaluar.
“I gjithë ky territor formoi ekosistemin e tij të veçantë, me rezervuarin e përfshirë”, ka theksuar Kateryna Filiuta, eksperte në habitatet e mbrojtura për Grupin e Ruajtjes së Natyrës së Ukrainës.

Riparimet e shpejta
Ihor Medunov është pjesë e atij ekosistemi. Puna e tij si udhërrëfyes gjuetie dhe peshkimi përfundoi me fillimin e luftës, por ai qëndroi në kompleksin e tij të vogël ishullor me katër qentë e tij, sepse ndihej më i sigurt. Megjithatë, për muaj me radhë njohuria se forcat ruse kontrollonin digën në rrjedhën e poshtme e shqetësonte atë.
Gjashtë digat përgjatë Dnieperit u projektuan për të funksionuar së bashku, duke u përshtatur me njëra-tjetrën teksa nivelet e ujit rriteshin dhe uleshin nga një sezon në tjetrin. Kur forcat ruse pushtuan digën Kakhovka, i gjithë sistemi ra në neglizhencë.
Qoftë qëllimisht apo thjesht pa kujdes, forcat ruse lejuan që nivelet e ujit të luhateshin në mënyrë të pakontrolluar. Ato ranë në mënyrë të rrezikshme të ulët në dimër dhe më pas u ngritën në majat historike kur shkrirja e borës dhe shirat e pranverës u grumbulluan në rezervuar.
Tani, me shkatërrimin e digës, ai po e shikon jetesën e tij fjalë për fjalë duke u larguar. Dallgët që qëndronin në pragun e tij një javë më parë janë tani një rrugë me baltë.
“Uji po largohet para syve tanë”, ka theksuar ai për Associated Press. “Gjithçka që ishte në shtëpinë time, ajo për të cilën punuam gjithë jetën tonë, është zhdukur. Fillimisht u përmbyt, pastaj, kur uji u largua, u kalb”.
Që nga shembja e digës, ujërat e vrullshëm kanë çrrënjosur minat tokësore, kanë shkatërruar depo armësh dhe municionesh dhe kanë bartur 150 ton vaj makinerie në Detin e Zi. Qytete të tëra u zhytën komplet dhe mijëra kafshë ngordhën në një park të madh kombëtar tani nën pushtimin rus.
Njollat me ngjyrë ylberi tashmë mbulojnë ujërat e turbullta dhe të qeta rreth Khersonit të përmbytur, kryeqytetit të provincës jugore të Ukrainës me të njëjtin emër. Shtëpitë e braktisura ndjejnë erë nga kalbja pasi makinat, dhomat e katit të parë dhe bodrumet mbeten të zhytura. Përmbytjet e mëdha që shihen në pamjet ajrore shtrihen përgjatë lumit nga porti i qytetit dhe objektet industriale, duke demonstruar shkallën e problemit të ri të ndotjes së Dnieperit.
Ministria e Bujqësisë e Ukrainës ka vlerësuar se 10 mijë hektarë tokë bujqësore ishin nën ujë në territorin e provincës Kherson të kontrolluar nga Ukraina, dhe “shumë herë më shumë se kaq” në territorin e pushtuar nga Rusia.
Fermerët tashmë po ndiejnë dhimbjen e rezervuarit që po zhduket. Dmytro Neveselyi, kryebashkiak i fshatit Maryinske, ka treguar se të gjithë në komunitetin prej 18 mijë njerëzve do të preken brenda disa ditësh.
“Sot dhe nesër ne do të jemi në gjendje t’i sigurojmë popullatës ujë të pijshëm”, ka thënë ai. Pas kësaj, kush e di çka do të ndodhë. “Kanali që furnizonte rezervuarin tonë të ujit gjithashtu ka ndaluar rrjedhjen”.

Riparimet e ngadalta
Ujërat filluan të tërhiqen ngadalë, vetëm për të zbuluar katastrofën mjedisore që po afrohej.
Rezervuari, i cili kishte një kapacitet 14.5 milionë hektarësh, ishte ndalesa e fundit përgjatë qindra kilometrave të lumit që kalonte përmes qendrave industriale dhe bujqësore të Ukrainës. Për dekada rrjedha e tij mbarti rrjedhjen e kimikateve dhe pesticideve që u vendosën në baltën në fund.
Autoritetet ukrainase po testojnë nivelin e toksinave në pleh, i cili rrezikon të kthehet në pluhur helmues me ardhjen e verës, ka sqaruar Eugene Simonov, shkencëtar mjedisor me Grupin e Punës për Pasojat e Mjedisit të Luftës në Ukrainë, organizatë jofitimprurëse e aktivistëve dhe studiuesve.
Shkalla e dëmtimit afatgjatë varet nga lëvizja e vijave të frontit në një luftë të paparashikueshme. A mund të restaurohen diga dhe rezervuari nëse luftimet vazhdojnë atje? A duhet lejuar që rajoni të bëhet edhe një herë fushë e thatë?
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Melnyk, e quajti shkatërrimin e digës “katastrofa më e keqe mjedisore në Evropë që nga fatkeqësia e Çernobilit”.
Peshqit dhe shpendët e ujit që ishin varur nga rezervuari “do të humbasin pjesën më të madhe të vendeve të vezëve dhe të ushqimeve të tyre”, ka thënë Simonov.
Në rrjedhën e poshtme të digës janë rreth 50 zona të mbrojtura, duke përfshirë tri parqe kombëtare, ka thënë Simonov, i cili ishte bashkautor i një artikulli në tetor, duke paralajmëruar për pasojat potencialisht katastrofike, si në rrjedhën e sipërme ashtu edhe në rrjedhën e poshtme, nëse diga e Kakhovka do të dëmtohej.
Do të duhet një dekadë që popullatat e florës dhe faunës të kthehen dhe të përshtaten me realitetin e tyre të ri, sipas Filiutas. Dhe ndoshta më gjatë për miliona ukrainas që jetonin atje.
Në Maryinske, komuniteti bujqësor, ata po kërkojnë arkivat për të dhënat e puseve të vjetra, të cilat do t’i zbulojnë, pastrojnë dhe analizojnë për të parë nëse uji është ende i pijshëm.
“Ngaqë një territor pa ujë do të bëhet shkretëtirë”, ka theksuar kryebashkiaku.
Më tej, e gjithë Ukraina do të duhet të përballet nëse do të rivendosë rezervuarin apo do të mendojë ndryshe për të ardhmen e rajonit, furnizimin e tij me ujë dhe një pjesë të madhe territori që është befas i ndjeshëm ndaj specieve pushtuese - ashtu siç ishte i ndjeshëm ndaj pushtimit. që shkaktoi fillimin e fatkeqësisë.
“Pasojat më të këqija ndoshta nuk do të ndikojnë drejtpërdrejt tek ne, jo mua, jo juve, por brezave tanë të ardhshëm, sepse kjo fatkeqësi e shkaktuar nga njeriu nuk është transparente”, ka thënë Filiuta. “Pasojat që do të vijnë do të jenë për fëmijët apo nipat tanë, ashtu si ne jemi ata që po përjetojmë tani pasojat e katastrofës së Çernobilit, jo paraardhësit tanë”.
Përktheu: Blerta Haxhiu