Forcat e armatosura ukrainase goditën sërish urën Antonivskyi në Kherson, njoftoi zëdhënësja e rajonit Natalya Humenyuk, raportoi BBC-ja të hënën.
Ajo bëri të ditur se ura është ndër pikat kyç të rrugës transportuese që rusët “po përpiqen ta ringjallin”.
Para disa orësh u raportua për një shpërthim masiv mbi këtë urë. Lajmin e konfirmoi këshilltari i kreut të rajonit, Serhii Khlan, duke thënë se sulmi ndodhi në momentin kur një kolonë automjetesh ruse po lëvizte mbi urë.
Sulmi u konfirmua edhe nga trupat ruse, duke u thënë se ukrainasit sulmuan urën me qëllim të ndërprerjes së restaurimit të saj.
“Trupat ukrainase nisën një sulm nga sistemet raketore amerikane HIMARS, në vendin e punimeve në urën Antonivskyi. Numri i personave të lënduar si rezultat i agresionit ukrainas është të paktën 15 persona/punonjës civilë nga brigada lokale e riparimit dhe restaurimit”, deklaroi një përfaqësues rus i shërbimeve inteligjente, derisa u tha se nuk ka viktima.
Edhe
Forcat ukrainase godasin një urë në Kherson që konsiderohet kyç për rusët
Ura Antonivskyi është pikë strategjike që u lejon rusëve furnizimin me armë, në bregun e djathtë të lumit Dnieper.