Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ukraina po lufton kundër Rusisë edhe në shkretëtirat e Afrikës

Ukraina

Kyrylo Budanov, ish-shefi i spiunazhit ukrainas, i cili tani drejton zyrën presidenciale të Zelenskyt, në vitin 2023 pati deklaruar se synimi i Ukrainës ishte “të vazhdojë t’i vrasë rusët kudo në faqen e këtij planeti, deri në fitoren e plotë të Ukrainës”

Kushtet janë rraskapitëse. Temperaturat gjatë ditës ngrihen rregullisht në rreth 43 gradë celsius, ndërsa gjatë natës bien ndjeshëm. Uji është i pakët dhe pluhuri e rëra depërtojnë kudo. Por të paktën tani ata po punojnë mbi tokë. Ky grup elitar i operatorëve ukrainas të dronëve ka kaluar vite duke gjuajtur rusët nga pozicionet e tyre nëntokësore në Ukrainë. Ata ende po bëjnë të njëjtën gjë, por këtë herë në shkretëtirën në veriun e Malit.

Rreth 15 specialistë ukrainas janë dislokuar në këtë vend të Afrikës, të drejtuar nga një juntë, në rajonin e Sahelit, për të ndihmuar forcat lokale rebele që po luftojnë kundër trupave ruse, pjesë e misionit të Kievit për ta dobësuar armikun e tij kudo që ai vepron. Kievi është shtrirë gjithashtu në zona të tjera konflikti, duke shfrytëzuar ekspertizën e fituar me vështirësi në luftën me dronë për të krijuar partneritete të reja kundër Rusisë.

Duke folur me ushtarë dhe oficerë ukrainas të përfshirë në operacionet në Mali dhe Libi, CNN arrin të zbulojë për herë të parë përmasat e këtyre operacioneve në kontinente të tjera. Një burim nga Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës, i cili ka dijeni për operacionet, i tha CNN-it se disa specialistë ukrainas ishin gjithashtu të vendosur në Sudan dhe se trupa nga Çadi, Nigeri dhe Burkina Faso kishin udhëtuar më parë në Mali për të marrë trajnim për dronët nga ushtarët ukrainas atje.

Kur Irani filloi të godiste aleatët e SHBA-së në Lindjen e Mesme në fillim të këtij viti, Ukraina dërgoi ekipe ekspertësh ushtarakë në të paktën pesë vende të Lindjes së Mesme. Ata kaluan disa javë duke u mësuar forcave lokale se si të rrëzonin dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të cilët Rusia i ka përdorur prej disa vitesh për të terrorizuar Ukrainën. Një ushtar ukrainas, i cili ishte dislokuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, i tha CNN-it se ata vepronin në ekipe të përbashkëta me trupat lokale, të cilat udhëtonin krah tyre dhe imitonin çdo lëvizje të tyre.

Në këmbim të ndarjes së njohurive të tij, Kievi përfitoi një sërë marrëveshjesh për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe premtime për municione.

Në Sahel, një rajon i gjerë gjysmë i thatë në jug të shkretëtirës së Saharës, situata është më e ndërlikuar.

Rusia është përpjekur të afirmohet si një fuqi me ndikim në Afrikë, veçanërisht në rajonin e pasur me minerale dhe të goditur shpesh nga grushtet e shtetit, Sahel. Ajo është përpjekur të mbushë boshllëkun e sigurisë të krijuar pas tërheqjes së forcave franceze dhe atyre të tjera perëndimore vitet e fundit, duke mbështetur qeveritë në këmbim të parave dhe të drejtave fitimprurëse për shfrytëzimin e minierave.

Fillimisht, Kremlini ua besoi këto operacione grupit Wagner, një kompani private ushtarake në pronësi të komandantit të luftës dhe sipërmarrësit Yevgeny Prigozhin. Pas vdekjes së Prigozhinit, pas përpjekjes së tij për grusht shteti në vitin 2023, Moska bashkoi atë që kishte mbetur nga Wagner me ushtrinë e saj të rregullt, duke krijuar Korpusin Afrikan, i cili dislokohet në mbështetje të aleatëve lokalë të Moskës.

“Përshtatje serioze”

Grupi ukrainas në Mali është i integruar me një grup separatist që e quan veten Fronti i Çlirimit të Azawadit dhe që përbëhet kryesisht nga rebelë tuaregë të veriut. Ata nuk janë të përfshirë drejtpërdrejt në luftimet në vijën e frontit, por u ofrojnë rebelëve mbështetje, trajnim dhe ndihmë operacionale, thanë për CNN dy ukrainas të dislokuar atje.

“Unë koordinoj operacionet e tyre në distancë. Sinjali nga droni i tyre më vjen përmes internetit dhe unë menjëherë u them përmes radios se çfarë të bëjnë dhe ku të fluturojnë”, i tha CNN-it një prej operatorëve ukrainas të dronëve, i cili ndodhet aktualisht në Mali.

“Ata dalin në misione dhe më pas kthehen tek unë, dhe ne shqyrtojmë në detaje çdo veprim të tyre. Unë vetë nuk dal në vijën e frontit, ky ishte një urdhër i drejtpërdrejtë nga eprorët e mi”, tha ai.
Rusia e ka akuzuar më parë Ukrainën për pjesëmarrje në masakra ndaj civilëve në Mali, akuzë që Kievi e ka mohuar. Ndërkohë, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch publikoi dy raporte gjatë verës, në të cilat akuzonte trupat ruse në Mali për vrasjen e civilëve, si dhe një raport tjetër ku thuhej se “të gjitha palët” e përfshira drejtpërdrejt në konflikt kishin sulmuar në mënyrë të paligjshme civilët gjatë një shpërthimi dhune në prill. Raporti nuk përmendte Ukrainën.

I pyetur për këto akuza muajin e kaluar, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, u tha gazetarëve se Korpusi Afrikan “vepron rreptësisht brenda kufijve të ligjshmërisë” dhe “në përgjigje të kërkesave zyrtare nga qeveritë legjitime të shteteve afrikane”.

Burimi nga Inteligjenca e Mbrojtjes e Ukrainës i tha CNN-it se qëllimi i dislokimeve jashtë vendit është të ushtrohet presion ndaj Rusisë dhe të minohet ideja se Moska mund të jetë një aleate e besueshme. 

“Ne po e kthejmë përvojën tonë në terren (me dronët) në një mjet të politikës së jashtme”, tha burimi. 

Por ai shtoi se misioni është gjithashtu i dobishëm për ukrainasit, pasi u jep atyre mundësinë të testojnë pajisjet dhe aftësitë e tyre në një mjedis krejtësisht të ndryshëm, dhe t’u tregojnë partnerëve se metodat e tyre funksionojnë kudo.

“Pluhuri dhe nxehtësia bëjnë që pajisjet të dështojnë më shpejt. Filtrat, ftohja, mbrojtja e pajisjeve elektronike, bateritë… gjithçka funksionon ndryshe (dhe) kërkon përshtatje serioze”, tha ai, duke shtuar se edhe mënyra se si zhvillohet lufta është shumë e ndryshme.

“Në Ukrainë, lufta është me intensitet të lartë, me sulme masive dhe presion të vazhdueshëm. Këtu është më shumë një luftë e manovrueshme në territore të mëdha, me prita, kontroll të rrugëve, operacione në grupe të vogla dhe varësi nga njohja e terrenit”.

Dallimet në disiplinë dhe trajnim kërkojnë përshtatje nga të dyja palët, tha ai, duke shtuar: “Ne u mësojmë atyre taktikat, ata na mësojnë neve si të mbijetojmë dhe të luftojmë”.

Rusia po përdor gjithashtu operacionet e saj në Afrikë për të zgjeruar dhe përshtatur teknologjinë e saj ushtarake. Vetëm javën që shkoi, eksportuesi shtetëror i armëve, Rosoboronexport, prezantoi raketa dhe dronë të rinj në panairin ndërkombëtar ajror El Alamein në Egjipt, ndërsa drejtori i Rosoboronexport i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS se këto armë janë “provuar” në luftime në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Besimi në rritje

Kontingjentet ukrainase janë të vogla, por ato janë një shenjë e rritjes së besimit të Ukrainës se ekspertiza e saj në përdorimin e dronëve ka rritur statusin e saj në skenën globale.

Heni Nsaibia, analist për Afrikën Perëndimore në Armed Conflict Location & Event Data (ACLED), një organizatë e pavarur që monitoron konfliktet, i tha CNN-it se Mali është një nga vendet ku Rusia tani luan një rol vendimtar.

“Ata i ofrojnë regjimit një mbështetje jetike”, tha ai, duke shtuar se forcat e Korpusit Afrikan kanë qenë “thelbësore për parandalimin e një kolapsi më të thellë dhe ndoshta edhe të rënies së regjimit”.
“Por (rusëve) gjithashtu u nevojitet që ky regjim ushtarak të jetë në pushtet, në mënyrë që ata të mund të qëndrojnë në Mali”, shtoi Nsaibia.

Akuzat e para se Ukraina po ndihmonte tuaregët u shfaqën në vitin 2024. Në korrik të atij viti, rebelët zunë në pritë dhe vranë dhjetëra luftëtarë të Wagnerit dhe ushtarë malianë pranë qytetit Tinzaouaten, në kufi me Algjerinë.

Andriy Yusov, zëdhënësi i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës, tha në atë kohë se rebelët kishin marrë “informacionin e nevojshëm” për të luftuar rusët. Dhe megjithëse Ukraina më vonë mohoi çdo bashkëpunim të rëndësishëm me rebelët, deklarata e Yusovit shkaktoi reagime të ashpra nga juntat ushtarake të Malit, Nigerit dhe Burkina Fasos, të cilat paraqitën një ankesë zyrtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke akuzuar Ukrainën për sponsorizim të terroristëve.

Operatori i dronit i tha CNN-it se ukrainasit ndihmuan gjithashtu rebelët në marrjen e qytetit strategjik Kidal, në veri të Malit, në fillim të këtij viti. Rebelët tuaregë dhe militantët e lidhur me al-Qaedan nisën sulme të njëkohshme kundër trupave ruse, duke i detyruar ato të tërhiqeshin. Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Kievin se kishte luajtur rol në sulm, duke thënë në një deklaratë se “instruktorë mercenarë ukrainas dhe evropianë” i kishin trajnuar rebelët përpara sulmit.

Nsaibia tha se marrja e Kidalit shënoi një humbje të rëndësishme për regjimin malian dhe për trupat ruse që e kanë mbështetur atë.

“Ishte një goditje e madhe që ata humbën Kidalin dhe u detyruan të negocionin një korridor të sigurt për të qenë në gjendje të tërhiqeshin”, i tha ai CNN-it. Megjithatë, Nsaibia tha se situata mund të kishte qenë shumë më e keqe për regjimin malian, nëse nuk do të kishte qenë ndihma e Korpusit Afrikan të Rusisë.

“Të sulmuar nga të njëjtët idiotë”

Sulmi në Kidal nxori në pah ndryshimin e madh që mund të bëjnë dronët në fushëbetejë në Mali dhe gjetkë në Sahel, ku lufta ende zhvillohet kryesisht në mënyra më tradicionale, me trupa këmbësorie të pajisura me armë rudimentare.

Ukrainasit në Mali i thanë CNN-it se partneriteti me tuaregët është një aleancë e krijuar nga rrethanat dhe jo domosdoshmërisht nga bindjet e përbashkëta.

“Kultura dhe feja janë të ndryshme, por kur sulmohesh nga të njëjtit idiotë, dallimet ideologjike kalojnë në plan të dytë”, tha burimi nga Inteligjenca e Mbrojtjes.

Operatori i dronit i tha CNN-it se opinionet dhe ndjenjat e tij personale janë të parëndësishme.

Ai i përshkroi disa prej rebelëve si “radikalë”, të cilët kanë prirje të qëllojnë papritur në ajër dhe të sillen në “mënyra përçarëse”.

“Ndonjëherë është emocionalisht e vështirë të injorosh disa gjëra. Thjesht ka ndodhur që tani jemi në të njëjtën anë të barrikadave…nëse këta njerëz arrijnë t’i mposhtin me sukses rusët, do të jemi më se të lumtur t’i trajnojmë”, i tha ai CNN-it.

Ai beson se çdo operacion që dobëson rusët mund ta ndihmojë Ukrainën të afrohet më shumë drejt fitores në vendin e saj.

“Kjo ushtron presion mbi ta. E gjithë kjo histori ka rezultate si psikologjike, ashtu edhe reale”, i tha ai CNN-it.

Një flotë ruse “hije” dhe një dron ukrainas i arratisur

Në fillim të këtij viti, një grup peshkatarësh grekë vunë re një anije të zezë misterioze që pluskonte pranë ishullit Lefkada, në perëndim të Greqisë.

Doli se ishte një dron detar ukrainas që mbante eksplozivë. Greqia paraqiti një protestë zyrtare diplomatike ndaj Ukrainës dhe Kievi kërkoi zyrtarisht falje për incidentin, por fajësoi Rusinë për krijimin e kësaj situate, duke sulmuar Ukrainën dhe duke përdorur një flotë “hije (e fshehtë)” të cisternave të naftës. Këto i mundësojnë Rusisë të shesë naftën e saj në kundërshtim me sanksionet ndërkombëtare, duke ndihmuar në financimin e luftës

Droni kishte dalë jashtë kontrollit të operatorëve ukrainas të dislokuar në veriperëndim të Libisë, ku ndodhen që nga fundi i vitit 2025, i tha CNN-it burimi nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës.
Prania e tyre u raportua për herë të parë nga transmetuesi publik francez RFI në pranverë dhe, megjithëse nuk është konfirmuar kurrë zyrtarisht nga qeveria ukrainase, tashmë është një sekret i hapur. Një operator ukrainas i dronëve detarë, i dislokuar në Libi, i tha CNN-it se njësia e tij po përdorte bazën ushtarake ndërkombëtare në Misrata si pikënisje për të sulmuar flotën ruse “hije”, në këmbim të trajnimit të forcave lokale.

Ashtu si operatori i dronëve ajrorë në Mali, ai u rekrutua në fillim të këtij viti nga Inteligjenca e Mbrojtjes së Ukrainës, drejtpërdrejt nga detyra e tij e mëparshme në Ukrainë.

Ukraina, një kontribuuese e kahershme në misionet paqeruajtëse të OKB-së në Afrikën veriore dhe qendrore përpara pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, nuk e ka fshehur dëshirën për t’u shndërruar në një aktor të një lloji tjetër në kontinent.

Kyrylo Budanov, ish-shefi i spiunazhit ukrainas, i cili tani drejton zyrën presidenciale të Zelenskyt, në vitin 2023 pati thënë se synimi i Ukrainës ishte “të vazhdojë të vrasë rusët kudo në faqen e këtij planeti, deri në fitoren e plotë të Ukrainës”.

Është një qëndrim që ndahet nga të gjithë trupat ukrainase që folën me CNN-in.

Tani Budanov theksoi edhe një herë shtrirjen globale në rritje të Ukrainës, duke publikuar në rrjetet sociale një deklaratë ku përshëndeste Inteligjencën e Mbrojtjes për mbrojtjen e interesave të vendit në mbarë botën, nga “Rusia në Afrikë, me kostum dhe me uniformë kamuflazhi”.