Ukraina ka rënë dakord për një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës me Rusinë me vetëm disa "detaje të vogla" që duhet të zgjidhen, ka thënë një zyrtar amerikan, edhe pse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se duhet bërë më shumë punë.
Duke folur teksa sekretari i ushtrisë amerikane ndodhet në Abu Dhabi duke mbajtur takime me zyrtarë rusë në lidhje me propozimin e administratës Trump, zyrtari ka thënë se “ukrainasit kanë rënë dakord për marrëveshjen e paqes", raporton CNN.
"Ka disa detaje të vogla që duhen zgjidhur, por ata kanë rënë dakord për një marrëveshje paqeje", ka deklaruar ai.
Deklarata e SHBA-së duket se shkon më tej se qëndrimi publik i zyrtarëve ukrainas, të cilët gjithashtu kanë një delegacion të pranishëm në Abu Dhabi dhe që kanë qenë në kontakt me sekretarin e Ushtrisë, Dan Driscoll.
Në një postim në X, sekretari i Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ka shkruar se delegacionet kishin "arritur një mirëkuptim të përbashkët mbi kushtet thelbësore të marrëveshjes së diskutuar në Gjenevë".
"Tani mbështetemi në mbështetjen e partnerëve tanë evropianë në hapat tanë të mëtejshëm", ka shkruar Umerov.
Ai ka shtuar se Ukraina mezi pret të organizojë një vizitë të Zelenskyt në SHBA për të "përfunduar hapat e fundit dhe për të arritur një marrëveshje me presidentin Trump".
“Pas takimeve në Gjenevë, shohim shumë perspektiva që mund ta bëjnë rrugën drejt paqes reale. Ka rezultate të forta dhe ende ka shumë punë përpara”, ka shkruar Zelensky në një postim në X mëngjesin e së martës.
Më herët gjatë ditës, “The Guardian” raportoi se Ukraina ka amendamentuar dukshëm planin amerikan të paqes duke e ulur nga 28 në 19 pika planin e përgjithshëm. Aty u raportua se Ukraina ka hequr disa prej kërkesave maksimaliste të Rusisë.
Plani origjinal 28-pikësh i Shteteve të Bashkuara u hartua muajin e shkuar nga Kirill Dmitriev, emisari special i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trumpit, Steve Witkoff. Aty bëhet thirrje që Ukraina të tërhiqet nga disa qytete që vazhdon t’i kontrollojë ende në rajonin e Donbasit, që ta zvogëlojë kapacitetin ushtarak dhe të zotohet për të mos iu bashkuar NATO-s.
Zelensky shprehet i gatshëm të ecë përpara me marrëveshjen e paqes
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të martën se Kievi është gati të ecë përpara me marrëveshjen e paqes të mbështetur nga SHBA-ja.
Zelensky po ashtu ka thënë se Ukraina është e përgatitur të diskutojë pikat e ndjeshme të saj me presidentin e SHBA-së, Donald Trump në bisedime që ai tha se duhet të përfshijnë aleatët evropianë.
Në një fjalim para të ashtuquajturit koalicion të të vullnetshmëve, një kopje e të cilit u pa nga Reuters, Zelensky u ka bërë thirrje udhëheqësve evropianë të hartojnë një kornizë për vendosjen e një "force sigurie" në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështesin Kievin për aq kohë sa Moska nuk tregon gatishmëri për t'i dhënë fund luftës së saj.
Shtëpia e Bardhë thotë se është bërë përparim i madh në bisedimet e paqes për Ukrainën
Shtëpia e Bardhë ka thënë se është arritur përparim i jashtëzakonshëm në bisedimet për paqen në Ukrainë, por ka shtuar se detajet delikate mbi planin e paqes në Ukrainë kërkojnë më shumë bisedime.
“Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën dhe Rusinë, por disa detaje të ndjeshme do të kërkojnë bisedime shtesë”, ka thënë Shtëpia e Bardhë të martën.
"Ka disa detaje delikate, por jo të pakapërcyeshme, që duhet të zgjidhen dhe do të kërkojnë bisedime të mëtejshme midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara", ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt në një postim X.