Ukraina ka amendamentuar dukshëm planin amerikan të paqes për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia. Sipas burimeve të “The Guardianit”, Ukraina ka hequr disa prej kërkesave maksimaliste, teksa liderët evropianë kanë paralajmëruar të hënën se nuk pritet që një marrëveshje të arrihet së shpejti.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, mund ta takojë presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë javës, mes një sërë bisedash telefonike midis Kievit dhe Washingtonit.
Ukraina po bën presion të vazhdueshëm që Evropa të përfshihet në bisedime.
Plani origjinal 28-pikësh i Shteteve të Bashkuara u hartua muajin e shkuar nga Kirill Dmitriev, emisari special i Vladimir Putinit, dhe përfaqësuesi i Trumpit, Steve Witkoff. Aty bëhet thirrje që Ukraina të tërhiqet nga disa qytete që vazhdon t’i kontrollojë ende në rajonin e Donbasit, që ta zvogëlojë kapacitetin ushtarak dhe të zotohet për të mos iu bashkuar NATO-s.
Gjatë negociatave të dielën në Zvicër – të udhëhequra nga sekretari amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe shefi i stafit të Zelenskyt, Andriy Yermak – plani u ndryshua dukshëm. Tani ka vetëm 19 pika.
Kievi dhe partnerët e vet evropianë thonë se vija ekzistuese e frontit duhet të jetë pika fillestare për diskutimet territoriale.
“Tani për tani, pas Gjenevës ka më pak pika, jo më 28. Dhe shumë elemente të korrektuar të përfshirë në këtë kornizë”, ka thënë Zelensky pas takimeve.
Këto pika rekomandojnë që të mos ketë njohje të territoreve të pushtuara ushtarakisht nga Rusia dhe se Kievi duhet të vetëvendosë nëse do që t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s për çka Kremlini dëshiron të ketë të drejtën e vetos ose të vendosë kushte. Zëvendësministri i Jashtëm i Ukrainës, Sergiy Kyslytsya, i ka thënë “Financial Timesit” se çështje të tilla do të vendosen më vonë nga Trumpi e Zelensky.
Rubio i ka quajtur “shumë, shumë pozitive” bisedimet e së dielës. Duke shkruar në Truth Social të hënën, Trumpi që pati akuzuar ditë më parë lidershipin ukrainas për mungesë mirënjohjeje, u shpreh optimist për bisedimet.
Delegacioni ukrainas të hënën e njoftoi edhe Zelenskyn për bisedimet në Gjenevë. Aty u shpreh se versioni i fundit është plan më realist. E Zelensky ka folur me zëvendëspresidentin amerikan, JD Vance, dhe i ka kërkuar që edhe shtetet evropiane të përfshihen në proces. Raportohet se ai ka pranuar.
Megjithatë, ky plan duket se nuk i plotëson të gjitha kërkesat kyçe të Moskës. Këshilltari i lartë për politikë të jashtme i Putinit, ka thënë se Moska do të kërkojë “ripërpunimin” e disa pjesëve të planit.
“Na është dhënë njëfarë drafti... të cilin duhet ta ripërpunojmë më tej”, ka thënë Yuri Ushakov, duke shtuar se shumë ndryshime ishin të pranueshme për Rusinë, por se të tjerat “kërkojnë diskutime të detajuara dhe rishikime mes palëve”.
Ai ka thënë se Moska ka refuzuar menjëherë një plan alternativ evropian, që parasheh ndryshime të mëdha në planin fillestar dhe ndryshime edhe të pikave që prekin territorin dhe anëtarësimin në NATO.