Ukraina ka nisur të enjten ofensivën e saj më të madhe me dronë në Moskë në dy vjet, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Sulmet kanë dëmtuar infrastrukturën, kanë shkaktuar zjarre që kanë krijuar mbeturina në zona në të gjithë rajonin e kryeqytetit.
Mbrojtja ajrore ka rrëzuar 194 dronë që shkonin drejt kryeqytetit rus në vetëm tetë orë, sipas kryetarit të bashkisë së Moskës, Sergei Sobyanin.
Fluturimet në të gjitha aeroportet kryesore të Moskës janë pezulluar përkohësisht të enjten, ka raportuar Reuters, duke cituar agjencinë ruse të aviacionit.
Kiev ka rritur shënjestrimin e infrastrukturës energjetike ruse me sulme me rreze të gjatë në javët e fundit, dhe ofensiva e natës ka ardhur ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është në Bruksel për takime me udhëheqësin e NATO-s dhe ministrat e mbrojtjes nga Britania dhe Gjermania.
Disa dronë kanë goditur të enjten rafinerinë e Naftës në Moskë në rrethin juglindor të Kapotnyas, ka thënë Sobyanin në Telegram, sipas Reuters - hera e dytë që ajo është sulmuar vetëm këtë javë, pasi u godit më herët të martën.
Një pallat apartamentesh në Zhukovsky, jashtë Moskës, është goditur gjithashtu nga një dron, sipas TASS, duke cituar guvernatorin rajonal të Moskës, Andrey Vorobyov.
Liderët e G7-s të cilët janë takuar këtë javë në Francë në një samit tre-ditor, janë zotuar përmes një deklarate të përbashkët për mbështetje të palëkundur për Ukrainën.
Ato madje, janë pajtuar që të shtojnë presionin ekonomik ndaj Rusisë.
Zelensky: Nëse Ukraina digjet, edhe Moska do të digjet
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka sinjalizuar se një sulm i fuqishëm në rafinerinë e naftës në Moskë, i kryer nga Forcat e Mbrojtjes të Ukrainës të enjten, ishte përgjigje ndaj një sulmi rus në territorin e manastirit Kiev-Pechersk Lavra.
Ai ka thënë se nëse Ukraina digjet, edhe Moska do të digjet.
Zelensky po ashtu ka theksuar nevojën për t’i dhënë fund luftës.
“Ne nuk e duam këtë luftë dhe nuk e kemi dashur kurrë, të gjithë e dinë këtë, dhe partnerët tanë e dinë këtë dhe ne sigurisht nuk duam që Ukraina të digjet për shkak të armikut. Por nëse Ukraina do të digjet, edhe Moska juaj do të digjet. Pra, ne theksojmë edhe një herë se është koha për t'i dhënë fund agresionit, koha për t'i dhënë fund kësaj lufte", ka thënë Zelensky gjatë një komunikimi me mesazhe me gazetarë .
Ukraina ka goditur një rafineri nafte në Moskë për herë të dytë brenda një jave, duke shkaktuar ndërprerjen e fluturimeve komerciale në aeroportet e Moskës, duke u llogaritur si një nga sulmet e saj më të mëdha me dronë që nga pushtimi rus më shumë se katër vjet më parë, kanë thënë zyrtarët rusë të enjten.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se mbrojtja e saj ajrore gjatë natës ka rrëzuar 555 dronë ukrainas mbi rajone të shumta, ndërkaq pothuaujse 200 janë kapur teksa po i afroheshin kryeqytetit rus.