Ukraina dhe Rusia përfunduan të enjten ditën e dytë të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-ja në Abu Dhabi, me synimin për t’i dhënë fund konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, por kanë rënë dakord vetëm për një shkëmbim të të burgosurve, i pari i këtij lloji në pesë muaj.
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, ka thënë se delegacionet nga SHBA-ja, Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord të shkëmbejnë 314 robër lufte.
“Ndërsa mbetet ende shumë punë për t’u bërë, hapa të tillë tregojnë se angazhimi i vazhdueshëm diplomatik po jep rezultate konkrete dhe po avancon përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, ka thënë Witkoff në një postim në platformën X, duke i përshkruar bisedimet e paqes si “të detajuara dhe produktive”.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina kanë deklaruar se bisedimet kanë qenë pozitive deri tani. Një zyrtar ukrainas ka thënë se bisedimet tashmë kanë përfunduar.
Vonë të mërkurën, kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, e cilësuar ditën e parë të diskutimeve si “domethënëse dhe produktive, të fokusuara në hapa konkretë dhe zgjidhje praktike”.Të enjten, i dërguari rus, Kirill Dmitriev, ka thënë se ka përparim dhe një lëvizje pozitive përpara. Ai ka shtuar se po zhvillohej punë aktive për të rikthyer marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe në kuadër të një grupi pune SHBA–Rusi për ekonominë.
“Nxitësit e luftës nga Evropa, nga Britania, po përpiqen vazhdimisht të ndërhyjnë në këtë proces, duke u përzier vazhdimisht. Dhe sa më shumë përpjekje të tilla të ketë, aq më shumë shohim se përparimi po bëhet patjetër”, ka thën Dmitriev.
Rusia ka akuzuar aleatët evropianë të Ukrainës, përfshirë Britaninë, se po e zgjasin luftën përmes mbështetjes së tyre për Kievin. Ndërkohë, shkëmbimi i fundit i të burgosurve ka ndodhur në tetor të vitit 2025. Shkëmbimet e robërve të luftës kanë qenë hapat e vetëm konkretë drejt paqes që dolën nga rundet e mëparshme të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë, të zhvilluara vitin e kaluar në Turqi.
Qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët janë vrarë, plagosur ose janë zhdukur gjatë gati katër vjetëve luftë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë të mërkurën se rreth 55.000 ushtarë ukrainas janë vrarë në fushëbetejë, por nuk ka dhënë detaje për numrin e të plagosurve apo të zhdukurve.
E Instituti kërkimor me seli në Uashington, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), ka thënë se Rusia ka pësuar gati 1.2 milionë humbje gjatë luftës. Moska e ka hedhur poshtë raportin si të pabesueshëm.