Turqia dhe Britania nënshkruan të mërkurën një marrëveshje paraprake që e lejon Ankaranë zyrtare të operojë avionët ushtarak “Eurofighter Typhoon”, ndërkohë që Gjermania ka miratuar dorëzimin e 40 avionëve të këtillë, të cilat Turqia i ka kërkuar për të forcuar mbrojtjen në një rajon që po bëhet gjithnjë e më i pasigurt, ka shkruar Reuters.
Anëtarja e NATO-s, Turqia, ka mbështetur projekte të saj të industrisë së mbrojtjes, përfshirë avionë vendas dhe blerje të huaja, për të rritur fuqinë e saj mbrojtëse.
Përveç “Eurofighters”, ajo është në bisedime edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të blerë 40 njësi të “F-16”.
Në të njëjtën kohë, Qeveria gjermane ka hapur rrugën për dorëzimin e 40 avionëve “Eurofighter Typhoon” në Turqi pas miratimit nga Këshilli Federal i Sigurisë.
Ministria gjermane e Mbrojtjes ka refuzuar të komentojë lidhur me këtë çështje, si dhe Këshilli federal, miratimi i të cilit kërkohet për eksportet e armëve, nuk ka ofruar komente mbi vendimet e tij.
Ankaraja ka qenë në bisedime që nga viti 2023 për të blerë 40 avionë “Eurofighter Typhoon”, të cilët ndërtohen e prodhohen nga një konsorcium i përbërë nga Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Spanja.
Ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler, gjatë ceremonisë së nënshkrimit me Sekretarin britanik të Mbrojtjes, John Healey, në Stamboll, ka deklaruar se marrëveshjet do të forcojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe do të rrisin fuqinë ajrore të aleancës së NATO-s.
VIDEO: Çka janë avionët "Eurofighter Typhoon"