Vendet myslimane duhet të veprojnë të bashkuara dhe të mobilizojnë kundërshtimin ndërkombëtar kundër planit të Izraelit për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, ka thënë të shtunën ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, pas bisedimeve në Egjipt.
Të premten, fuqitë rajonale Egjipti dhe Turqia e dënuan planin e Izraelit për ta okupuar Gazën. Ankara ka thënë se plani shënon një fazë të re të asaj që e quajti politika gjenocidale dhe ekspansioniste e Izraelit, duke kërkuar masa globale për të ndaluar zbatimin e tij.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp në El Alamein me homologun e tij egjiptian Badr Abdelatty, pas një takimi me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, Fidan ka thënë se politika e Izraelit synon të detyrojë palestinezët të largohen nga tokat e tyre duke i lënë të vuajtur nga uria dhe të pushtojë përgjithmonë Gazën, duke shtuar se nuk ka asnjë justifikim për vendet që vazhdojnë ta mbështesin Izraelin.
Izraeli mohon se ka “politikë të urisë” në Gaza dhe thotë se grupi militant palestinez Hamas, i cili vrau 1.200 njerëz në sulmin e tetorit 2023, mund ta përfundojë luftën duke u dorëzuar.
“Ajo që po ndodh sot është një zhvillim shumë i rrezikshëm… jo vetëm për popullin palestinez apo vendet fqinje”, ka thënë ministri egjiptian Abdelatty, duke shtuar se planet e Izraelit janë “të papranueshme”.
Abdelatty konfirmoi se ka koordinim të plotë me Turqinë për çështjen e Gazës dhe iu referua një deklarate të lëshuar të shtunën nga Komiteti Ministror i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), i cili dënoi planin e Izraelit.
Komiteti i OIC ka deklaruar se plani i Izraelit shënon “përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm, një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe një përpjekje për të përjetësuar okupimin e paligjshëm”, duke paralajmëruar se kjo do të “shkatërrojë çdo mundësi për paqe”.
Ekipet ndërmjetësuese nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar prej muajsh për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.
OIC-u i bëri thirrje fuqive botërore dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “të marrin përgjegjësitë e tyre ligjore dhe humanitare dhe të ndërmarrin veprime urgjente për ta ndaluar” planin e Izraelit për qytetin e Gazës, duke siguruar njëkohësisht llogaridhënie të menjëhershme për ato që i quajti shkelje të Izraelit ndaj së drejtës ndërkombëtare.