Botë

Trumpi thotë se po negociohet me Hamasin për lirimin e pengjeve izraelite

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të premten se SHBA-ja është në "negociata shumë të thella" me Hamasin për t’i liruar pengjet izraelite që po mbahen në Gazë. 

"Ne thamë, lërini të gjithë të dalin tani, lërini të gjithë të dalin dhe gjëra shumë më të mira do të ndodhin për ta. Por, nëse nuk i lini të gjithë të dalin, do të jetë një situatë e vështirë", tha Trump, transmeton agjencia “AP”. 

Trump tha se mund të ketë disa pengje që kanë vdekur së fundmi. 

"Kjo është ajo që po dëgjoj. Shpresoj që kjo të jetë e gabuar", tha ai. 

Izraeli goditi një ndërtesë të lartë në Qytetin e Gazës të premten, pasi paralajmëroi banorët të evakuoheshin.  Ushtria izraelite akuzon grupin Hamas se është duke përdorur ndërtesa të larta për të mbikëqyrur dhe planifikuar sulme. Izraeli e ka shpallur Qytetin e Gazës zonë luftimesh, duke shkaktuar protesta midis izraelitëve të shqetësuar për pengjet. Hamasi së fundmi publikoi një video të dy pengjeve që luten për t'i dhënë fund luftës. Nga sulmet e fundit izraelite në Gazë janë vranë të paktën 27 persona, thanë zyrtarët e Ministrisë së shëndetësisë së Gazës. Sipas Ministrisë, janë vrarë mbi 64,000 palestinezë që nga nisja e ofensivës së Izraelit më 7 tetor të vitit 2023.

Ofensiva izraelite nisi pas sulmit të befasishëm të Hamasit në territorin izraelit gjatë të cilit u vranë 1200 persona e u morën rreth 250 peng.