Botë

Trumpi pritet të shpallë konceptin e mbrojtjes raketore hapësinore "Golden Dome”

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të shpallë të martën konceptin që dëshiron për programin e tij të ardhshëm të mbrojtjes raketore “Golden Dome”, dhe megjithëse nuk pritet të jetë opsioni më i shtrenjtë që kishte paraqitur Pentagoni, sistemi do t'u kushtonte taksapaguesve dhjetëra miliarda dollarë dhe do të duheshin vite për t'u bërë realitet.

Nëse do të realizohej, kjo do të shënonte herën e parë që SHBA-ja do të vendoste armë në hapësirë, të cilat mund të shkrepen për të shkatërruar një raketë hyrëse gjatë fluturimit.

Trumpi gjithashtu pritet të njoftojë se gjenerali Michael Guetlein, i cili aktualisht shërben si zëvendës-shefi i operacioneve hapësinore, do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e përparimit të “Golden Dome”.

“Golden Dome” parashikohet të përfshijë aftësi në tokë dhe në hapësirë që janë në gjendje të zbulojnë dhe ndalojnë raketat në të katër fazat kryesore të një sulmi të mundshëm: zbulimin dhe shkatërrimin e tyre përpara një nisjeje, kapjen e tyre në fazën e tyre më të hershme të fluturimit, ndalimin e tyre në mes të rrjedhës në ajër ose ndalimin e tyre në minutat e fundit ndërsa zbresin drejt një objektivi, raporton AP.

Në muajt e fundit, planifikuesit e Pentagonit kanë zhvilluar opsione, të cilat një zyrtar amerikan i ka përshkruar si zgjedhje të mesme, të larta dhe ekstra të larta, bazuar në koston e tyre, pasi përfshijnë interceptorët e vendosur në hapësirë.

Administrata ka zgjedhur versionin "të lartë", me një kosto fillestare që varion midis 30 miliardë dhe 100 miliardë dollarë, sipas zyrtarit, i cili ka folur në kushte anonimiteti për planet që nuk janë bërë ende publike.

Dallimi në të tri versionet bazohet kryesisht në atë se sa satelitë dhe sensorë do të duhet të b;iheshin për t'u vendosur në hapësirë.

Pentagoni ka paralajmëruar prej vitesh se raketat më të reja të zhvilluara nga Kina dhe Rusia janë aq të avancuara sa janë të nevojshme kundërmasa të përditësuara. 

Satelitët dhe interceptorët e shtuar të "Golden Dome", ku qëndron edhe pjesa më e madhe e kostos së programit, do të përqendroheshin në ndalimin e këtyre raketave të avancuara herët ose në mes të fluturimit të tyre.

Kina dhe Rusia kanë vendosur armë sulmuese në hapësirë, siç janë satelitët me aftësi për të çaktivizuar satelitët kritikë të SHBA-së, të cilët mund ta bëjnë SHBA-në të prekshme ndaj sulmeve.