Botë

Trumpi paralajmëron 25% tarifa për veturat, produktet farmaceutike dhe çipat

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të martën se synon të vendosë tarifa për automjetet në vlerë prej 25%, dhe detyrime të ngjashme për çipat dhe importet farmaceutike.

Të premten, Trumpi kishte deklaruar se taksat për automobilat do të vijnë deri më 2 prill, një ditë pasi anëtarët e kabinetit të tij t’i dorëzojnë atij raporte duke përshkruar opsionet për një sërë detyrimesh importi, teksa ai kërkon të riformojë tregtinë globale, raporton Reuters.

Trumpi ka kritikuar prej kohësh atë që ai e quan trajtimin e padrejtë të eksporteve të automobilave amerikanë në tregjet e huaja.

Bashkimi Evropian, për shembull, ka një tarifë prej 10% për importet e automjeteve, katër herë më shumë se tarifa prej 2,5% e SHBA-së për veturat e pasagjerëve.

Shefi i tregtisë së BE-së, Maros Sefcovic do të takohet me homologët e SHBA-së, sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick, kandidatin e Trumpit për të qenë përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer dhe drejtorin e Këshillit Ekonomik Kombëtar, Kevin Hassett, në Uashington të mërkurën, për të diskutuar tarifat e paralajmëruara nga Trumpi.

I pyetur nëse BE-ja mund të shmangte tarifat reciproke që ai ka përmendur javën e kaluar, Trumpi ka përsëritur pretendimin e tij se BE-ja kishte sinjalizuar tashmë se do të ulte tarifat e saj për veturat amerikane në normën e SHBA-së, megjithëse ligjvënësit e BE-së e kanë mohuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se do t'i bëjë presion zyrtarëve të BE-së për të rritur importet e makinave dhe produkteve të tjera nga SHBA-ja.