Botë

Trumpi lanson “Kartën e Artë” për viza të përshpejtuara me një çmim prej 1 milion dollarësh

Donald Trump

Foto: Associated Press

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka lansuar zyrtarisht të mërkurën programin e tij të vizave "Trump Gold Card" për të ofruar një rrugë, me një çmim të lartë, për qytetarët jo-amerikanë që  të marrin leje të përshpejtuar për të jetuar në Shtetet e Bashkuara.

Faqja e internetit Trumpcard.gov, të cilës tani i është shtuar edhe butoni "apliko tani", u jep mundësinë aplikantëve të interesuar të paguajnë një tarifë prej 15,000 dollarësh në Departamentin e Sigurisë Kombëtare për përpunim të shpejtë.

Pasi kalojnë nëpër një kontroll të së kaluarës ose proces verifikimi, aplikantët duhet të japin një "kontribut" - faqja e internetit e quan gjithashtu një "dhuratë" - prej 1 milion dollarësh për të marrë vizën, të ngjashme me një "Green Card", e cila u lejon atyre të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.

"Në thelb është një Green Card, por shumë më e mirë. Shumë më e fuqishme, një rrugë shumë më e fortë", u ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

"Duhet të jeni njerëz të shkëlqyer”, ka shtuar ai.

Sekretari i Tregtisë, Hoëard Lutnick, ka thënë se rreth 10,000 njerëz janë regjistruar tashmë për kartën e artë gjatë një periudhe para-regjistrimi dhe ai riste që shumë më tepër ta bënin këtë. 

“Do të prisja që me kalimin e kohës të shisnim, e dini, mijëra nga këto karta dhe të mblidhnim, e dini, miliarda, miliarda dollarë", ka thënë Lutnick në një intervistë për Reuters.

Lutnick ka shtuar se programi i kartës së artë do të sillte në Shtetet e Bashkuara njerëz nga të cilët do të përfitonte ekonomia. 

Ai e ka krahasuar këtë me mbajtësit "mesatarë" të Kartës së Gjelbër, të cilët, sipas tij, fitonin më pak para se amerikanët mesatarë dhe kishin më shumë gjasa të merrnin ose të kishin anëtarë të familjes në ndihmë publike.

Administrata e Trumpit ka ndjekur goditjen ndaj imigracionit, duke deportuar qindra mijëra njerëz që janë në vend ilegalisht dhe gjithashtu duke marrë masa për të dekurajuar imigracionin e ligjshëm.

Programi i kartës së artë është versioni i Trumpit si kundërpeshë ndaj kësaj, i projektuar për të sjellë para për Thesarin e SHBA-së.