Botë

Trumpi kritikohet për publikimin e imazhit të tij si Papë

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është kritikuar nga disa katolikë pasi postoi një imazh të tij si Papë, të krijuar me Inteligjencë Artificiale.

Fotografia, e cila është shpërndarë nga llogaritë zyrtare të mediave sociale të Shtëpisë së Bardhë, vjen teksa katolikët vajtojnë vdekjen e Papa Françeskut, i cili vdiq më 21 prill, dhe përgatiten të zgjedhin papën e ardhshëm, raporton BBC.

Konferenca Katolike e Shtetit të New Yorkut ka akuzuar Trumpin për tallje me besimin. Postimi vjen disa ditë pasi ai bëri shaka me gazetarët duke thënë se “Do të doja të isha Papa”.

“Nuk ka asgjë të zgjuar apo qesharake në këtë imazh, zoti president. Ne sapo varrosëm Papa Françeskun tonë të dashur dhe kardinalët do të hyjnë në një konklava solemne për të zgjedhur një pasardhës të ri të Shën Pjetrit. Mos na tallni”, thuhet në reagimin e Konferencës Katolike të Shtetit të New Yorkut.

Trump nuk është presidenti i parë që akuzohet për tallje me besimin katolik. Ish-presidenti amerikan, Joe Biden shkaktoi zemërim një vit më parë kur bëri shenjën e kryqit në një tubim pro abortit në Tampa, Florida.

Zëdhënësi i Vatikanit, Matteo Bruni, nuk ka pranuar t'u përgjigjej pyetjeve në lidhje me postimin e Trumpit, gjatë një konference me gazetarët të shtunën. 

Vatikani po përgatitet të mbajë një konklavë për të zgjedhur pasardhësin e Françeskut, e cila fillon të mërkurën.

Edhe ish-kryeministri italian me prirje të majtë, Matteo Renzi, ka kritikuar postimin e Trumpit. 

Por Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë çdo sugjerim se presidenti republikan po tallej me papatin.

"Presidenti Trump udhëtoi në Itali për t'i bërë nderimet e tij Papa Françeskut dhe për të marrë pjesë në funeralin e tij, dhe ai ka qenë një kampion i vendosur për katolikët dhe lirinë fetare”, ka thënë sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt.