Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se po planifikonte të vendoste një taksë prej 50% për mallrat e prodhuara në Brazil, duke përshkallëzuar konfliktin e tij me vendin e Amerikës së Jugut.
Ai e ka bërë të ditur planin në letrën e tij të fundit për tarifat, e cila u nda në mediat sociale, raporton BBC.
Në të, Trumpi akuzon Brazilin për "sulme" ndaj kompanive të teknologjisë amerikane dhe për kryerjen e një "gjueti shtrigash" kundër ish-presidentit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro, i cili po përballet me ndjekje penale për rolin e tij të dyshuar në një komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2022.
Duke iu përgjigjur në një postim në mediat sociale, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva ka thënë se një rritje e tarifave për Brazilin do të ishte reciproke dhe paralajmëroi kundër çdo ndërhyrjeje në sistemin gjyqësor të vendit.
Trumpi ka debatuar me Lulën në lidhje me gjyqin e Bolsonaros edhe më parë këtë javë.
Lula i ka thënë Trumpit se Brazili nuk do të pranonte "ndërhyrje" nga askush duke shtuar se "Askush nuk është mbi ligjin".
Gjithashtu të mërkurën, Trumpi ka njoftuar se një tarifë prej 50% për importet e bakrit, që ai e ka njoftuar më parë këtë javë, do të hyjë në fuqi më 1 gusht.
Ai ka thënë në një postim në rrjetet sociale se vendimi u mor për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare.
Trumpi ka postuar 22 letra drejtuar vendeve anembanë botës këtë javë, duke përfshirë partnerë tregtarë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Sri Lanka, duke përshkruar tarifat e reja për mallrat e tyre, të cilat ai thotë se do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.
Këto lëvizje kanë shërbyer kryesisht për të ringjallur planet që ai kishte paraqitur në prill, por që u pezulluan pasi tregjet financiare u tërhoqën nga masat.