Zyrtarët amerikanë deklaruan të mërkurën se do të vendosin sanksione ndaj gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, duke e akuzuar atë për autorizimin e “ndalimeve arbitrare para gjykimit” dhe shtypjen e “lirisë së shprehjes”.
Gjyqtari Moraes po udhëheq hetimet mbi pretendimet se ish-presidenti i djathtë i Brazilit, Jair Bolsonaro, dhe aleatët e tij kanë planifikuar grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Bolsonaro i ka mohuar këto akuza dhe e ka quajtur gjyqtarin Moraes “diktator”.
Menjëherë pas njoftimit, presidenti amerikan Donald Trump nënshkroi urdhër ekzekutiv që rriti tarifat ndaj Brazilit në 50%.
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva ka thënë se Brazili është i gatshëm të negociojë me SHBA-në për tregtinë, por e cilësoi sanksionimin e gjyqtarit Moraes si ndërhyrje “të papranueshme” në sistemin gjyqësor të vendit.
Brazili ka kërcënuar se do të përgjigjet me masa të njëjta tarifore ndaj SHBA-së.
SHBA-ja është partneri i dytë më i madh tregtar i Brazilit pas Kinës, prandaj një rritje e tillë tarifash do ta godiste rëndë ekonominë e vendit të Amerikës Jugore.
Ndërsa Brazili është partneri i 15-të më i madh tregtar për SHBA-në, ndër importet kryesore që Amerika eksporton janë karburantet minerale, avionët dhe makineritë.
Nga ana tjetër, SHBA-ja importon nga Brazili gaz dhe naftë, hekur dhe kafe.
Trump: Njohja e Palestinës nga Kanadaja rrezikon marrëveshjen tregtare
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të enjten se tashmë do të jetë “shumë e vështirë” për të arritur marrëveshje tregtare me Kanadanë, pas vendimit të kryeministrit kanadez, Mark Carney, për ta njohur një shtet palestinez në muajin shtator.
“Uau! Kanadaja sapo ka njoftuar se po e mbështet shtetësinë e Palestinës. Kjo do ta bëjë shumë të vështirë për ne që të arrijmë marrëveshje tregtare me ta. Oh, Kanada!!!”, ka shkruar Trumpi në platformën Truth Social.
Kërcënimi tregtar i Trumpit ka ndodhur një ditë para se tarifat e larta të Shteteve të Bashkuara të hyjnë në fuqi për ata partnerë tregtarë që s’kanë arritur ende marrëveshje.
Kanadaja do të ballafaqohet me tarifë prej 35 për qind ndaj shumicës së mallrave të saj që e kanë për cak tregun amerikan të premten, në rast se s’ka dakordim gjatë ditës së sotme.
Plani i Kanadasë për të njohur një shtet palestinez përkon me njoftimet e mëhershme nga Franca dhe Britania. Në të njëjtën kohë, gjendja humanitare në Rripin e Gazës është përkeqësuar së tepërmi, teksa Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga grupi militant Hamas ka raportuar për shtatë vdekje të tjera si pasojë e mungesës së ushqimit.
Më herët gjatë kësaj jave, Trumpi e kishte pranuar se ka “krizë të vërtetë urie” në Gazë, duke bërë të ditur po ashtu se po angazhohet me Izraelin për të “rregulluar gjërat”.
SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 15 për qind ndaj mallrave të Koresë së Jugut
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin tarifa prej 15 për qind ndaj importeve të Koresë së Jugut, vendim ky që shënon ulje nga norma paraprake prej 25 për qind, si pjesë e marrëveshjes e cila i shtensionon raportet me njërin prej partnerëve kryesorë tregtarë dhe aleatin kyç aziatik.
Marrëveshja, e njoftuar pak kohë pasi Trumpi u takua me zyrtarët koreanë në Shtëpinë e Bardhë, është në kuadër të valës së njoftimeve për politika tarifore para afatit të vendosur më 1 gusht, shkruan Reuters.
“Jam i kënaqur të njoftoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord për një marrëveshje tregtare të plotë me Republikën e Koresë”, ka shkruar Trumpi në platformën Truth Social.
Këto negociata ishin provë e hershme për presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i cili mori detyrën në qershor pas zgjedhjeve të parakohshme.
Ai ka thënë se marrëveshja ka eliminuar pasiguritë në mjedisin e eksporteve dhe ka vendosur tarifa amerikane më të ulëta ose në të njëjtin nivel me ato të konkurrentëve kryesorë.
“Ne kemi kapërcyer pengesën më të madhe”, ka njoftuar Lee përmes rrjetit social Facebook. E Trumpi ka bërë të ditur se Lee do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë “brenda dy javëve të ardhshme” për takimin e tij të parë me presidentin amerikan.
Koreja e Jugut ka rënë dakord të investojë 350 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara në projekte të përzgjedhura nga vetë Trumpi dhe të blejë produkte energjetike me vlerë 100 miliardë dollarë.
Ai ka shtuar gjithashtu se Koreja e Jugut do të pranojë mallra amerikane, përfshirë automjete dhe produkte bujqësore, në tregjet e saj dhe se nuk do të vendosë taksa importi për to.