Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të premten se do të vendosë tarifa prej 35 për qind ndaj mallrave kanadeze duke filluar nga data 1 gusht, pavarësisht se të dyja vendet janë vetëm disa ditë larg nga arritja e një marrëveshje të re tregtare.
Njoftimi është bërë përmes një letre të publikuar në platformën “Truth Social”, krahas kërcënimeve të tjera për tarifa të përgjithshme prej 15% deri në 20% kundrejt shumicës së partnerëve tregtarë, ka raportuar BBC.
E kryeministri kanadez, Mark Carney, ka shkruar në rrjetin social X se qeveria e tij do të vazhdojë të mbrojë punëtorët dhe bizneset kanadeze, teksa po angazhohen para afatit të ri të gushtit.
Një tarifë e përgjithshme prej 25% tashmë është në fuqi ndaj disa mallrave kanadeze, ndërkohë që vendi është goditur rëndë edhe nga tarifat globale të Trumpit për çelikun, aluminin dhe automjetet.
Presidenti amerikan ka postuar këtë javë edhe 22 letra të tjera drejtuar vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë partnerët tregtarë si Japonia, Koreja e Jugut dhe Sri-Lanka.
Kanadaja ka qenë e angazhuar në bisedime intensive me SHBA-në gjatë muajve të fundit për të arritur marrëveshje të re tregtare dhe të sigurisë.
Në samitin e G7-ës (shtatë vendeve më të industrializuara të botës) që u mbajt muajin e kaluar, Carney dhe Trumpi kishin deklaruar se ishin të përkushtuar për të arritur një marrëveshje të re brenda 30 ditëve, duke caktuar si afat datën 21 korrik.