Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 100 për qind për të gjitha mallrat kanadeze, nëse kryeministri i vendit, Mark Carney, arrin marrëveshje tregtare me Kinën.
“Nëse Kanadaja arrin një ujdi me Kinën, do të goditet menjëherë me një tarifë 100% për të gjitha mallrat dhe produktet kanadeze që hyjnë në Shtetet e Bashkuara” , ka shkruar Trump në Truth Social të shtunën.
Tensionet mes Trumpit dhe kryeministrit kanadez janë përshkallëzuar ditët e fundit, pasi Carney mbajti një fjalim në Davos të Zvicrës, ku kritikoi fuqitë e mëdha botërore.
Së fundmi, ai u takua me presidentin kinez Xi Jinping dhe njoftoi se vendet e tyre kanë arritur një marrëveshje tregtare që përfshin edhe automjetet elektrike. Në atë kohë, Trump e kishte cilësuar marrëveshjen e mundshme si “një gjë të mirë”.
Në postimin e tij të së shtunës, Trump iu referua kryeministrit si “Guvernatori Carney” dhe shkroi se nëse ai “mendon se do ta bëjë Kanadanë një ‘port shkarkimi’ për Kinën që të dërgojë mallra dhe produkte në Shtetet e Bashkuara, gabon rëndë”.
Trump nuk dha një afat kohor apo detaje të tjera lidhur me tarifat. Vitin e kaluar, kur ai kërcënoi për herë të parë me tarifa të reja ndaj fqinjit verior të SHBA-së, Trump nisi ta quante Kanadanë “shteti i 51-të” i SHBA-së, dhe Carneyn si “guvernator”, dhe sugjeroi se mund të përpiqej madje ta përvetësonte vendin.