Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se duke filluar nga data 1 gusht, mallrat që importohen në Amerikë nga Bashkimi Evropian dhe Meksika do t’i nënshtrohen një takse doganore prej 30 për qind, shkruan “The Guardian”.
Vendimi u komunikua nga Trumpi në “Truth Social”, duke thënë se u ka dërguar letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentes së Meksikës, Claudia Sheinbaum.
Trumpi ka deklaruar se arsyeja kryesore për vendosjen e taksës ndaj Meksikës është kontrabanda me fentanil – një narkotik sintetik që, vetëm vitin e kaluar, ka shkaktuar mbi 50 mijë viktima në SHBA. Sipas tij, autoritetet meksikane nuk kanë bërë mjaftueshëm për të ndaluar kartelët e drogës që trafikojnë këtë substancë drejt Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar se nuk do të ketë shtyrje të afatit.
Sa i përket BE-së, tarifa është më e lartë sesa pritej dhe kështu i jep goditje shpresave të bllokut për uljen e tensioneve dhe arritjes së një marrëveshje tregtare. Tarifa është shumë mbi 10 përqindëshin që mendohej gjerësisht se ishte negociuar nga komisioneri evropian për Tregtinë, Marosh Shefçoviq, dhe mund të rrezikojë luftë tregtare për mallra me marzh fitimi të ulët, si çokollata belge, gjalpi irlandez dhe vaji i ullirit italian.
Brukseli pritet pothuajse me siguri të kërkojë rihapjen e negociatave, duke e parë kërcënimin e fundit si manovër të Trumpit për të nxjerrë më shumë lëshime nga BE‑ja, të cilën ai dikur e përshkroi si “më e vështirë” se Kina sa i përket tregtisë.
Në çdo rast nevojiten negociata shtesë për të hartuar një tekst ligjor që mund të regjistrohet zyrtarisht nga qeveria amerikane — një proces që mbart rreziqet e veta.
Letra e Trumpit:
Trump's letters to EU's von der Leyen and Mexico's Sheinbaum. https://t.co/qMOeCwZWm9 pic.twitter.com/CzO4kwofn4
— Clash Report (@clashreport) July 12, 2025