Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se ka nisur një hetim lidhur me praktikat e “padrejta” tregtare të Brazilit, ka shkruar BBC.
Hetimi do të përfshijë politikat qeveritare braziliane që kanë të bëjnë me “tregtinë digjitale dhe shërbimet elektronike të pagesave; tarifat preferenciale e të padrejta; si dhe ndërhyrjet anti-korrupsion”, thuhet në njoftimin e administratës.
Hetimi ka për synim të përcaktojë nëse ato janë “të paarsyeshme ose diskriminuese dhe nëse ngarkojnë apo kufizojnë tregtinë amerikane”.
Javën e kaluar, Trumpi i kishte bërë thirrje autoriteteve braziliane që të ndalojnë ndjekjen penale ndaj ish-presidentit të vendit, Jair Bolsonaro, duke i akuzuar ata për zhvillimin e një “gjuetie shtrigash”.
Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së, Jamieson Greer, ka deklaruar se hetimi po niste me udhëzim të Trumpit “kundër sulmeve të Brazilit ndaj kompanive amerikane të rrjeteve sociale, si dhe ndaj praktikave të tjera të padrejta tregtare që dëmtojnë kompanitë amerikane, punëtorët, fermerët dhe novatorët e teknologjisë”.
“Kam përcaktuar që barrierat tarifore dhe jotarifore të Brazilit meritojnë një hetim të thelluar, dhe, nëse është e nevojshme, edhe veprim të përshtatshëm”, ka shtuar ai.
Greer e ka akuzuar Brazilin se po i dëmton eksportet amerikane duke ofruar tarifa më të ulëta për partnerët e tjerë tregtarë.