SHBA-ja ka vendosur tarifa të reja ndaj importeve nga 60 partnerë tregtarë, duke përfshirë BE-në, Kinën e Britaninë. Washingtoni i ka arsyetuar tarifat me luftën kundër mallrave të prodhuara nga puna e detyruar, ndërsa kritikët kanë vlerësuar se pas tyre fshihen synime tjera
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tarifa të reja për 60 partnerë tregtarë, në përshkallëzimin më të ri tregtar qëkur presidenti Donald Trump u kthye në pushtet vitin e shkuar.
Ndër të prekurit, përfshirë Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar e Kinën, do të përballen me tarifë 10 për qind deri në 12.5 për të gjitha produktet që hyjnë në SHBA.
Tarifat e reja do t’i zëvendësojnë ato që ishin në fuqi deri të premten. SHBA-ja e ka bërë këtë me arsyetimin se nuk dëshiron të marrë mallra nga partnerët që kanë dështuar të ndalin prodhimet nga “puna e dhunshme”.
“Shtetet e Bashkuara kanë ndaluar importet e produkteve nga puna e dhunshme që gati një shekull; dhe e zbaton me rigorozitet; ka ardhur koha që edhe partnerët tanë tregtarë ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka thënë përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer.
Por ekspertja e tregtisë në SHBA, Caroline Freund, ka thënë për BBC-në se kjo nuk është arsyeja e vërtetë, por se Trumpit “po i duhet një arsyetim ligjor për t’i vendosur tarifat”.
Edhe
Bota në duart e Trumpit
“... Geer ka qenë shumë i qartë për këtë, siç ka qenë edhe Trumpi, se kjo bëhet për deficitin tregtar dhe për prodhimin amerikan e jo për punën e dhunshme”, ka thënë Freund, dekanë e shkollës së Politikës dhe Strategjisë Botërore në UC San Diego.
Me vendimin e ri, Trumpi po mbështetet te një akt i cili ia lejon presidentit të vendosë tarifa importi dhe sanksione tjera ndaj shteteve që është kuptuar se kanë bërë praktika “të pajustifikueshme”, “të paarsyeshme” ose “diskriminuese”. Të njëjtin e pati përdorur në tarifat e para ndaj Kinës në mandatin e parë, dhe ato u mbijetuan gjykimeve.
Tani priten më shumë tarifa të tilla. Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë ka nisur hetim ndaj 16 shteteve që përbëjnë rreth 70 për qind të importeve në SHBA, nëse kanë “tejprodhuar mallra” duke ulur çmimet dhe duke i vënë kompanitë amerikane në disavantazh në treg botëror. Hetimi ende nuk ka përfunduar.
Tarifat e reja menjëherë nxitën reagime. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se Britania e merr shumë seriozisht çështjen e “punës së dhunshme”. Uiski britanik nuk do të preket nga tarifat e reja, pas marrëveshjes së Trumpit me Mbretin Charles më herët.
Brazili e ka cilësuar të paarsyeshme tarifën e re 12.5 për qind, ndërsa Japonia ka shprehur keqardhje.
Edhe
Hyjnë në fuqi tarifat e reja gjithpërfshirëse të Trumpit
Kina paraprakisht pati thënë se e kundërshton çdo formë të tarifës së njëanshme dhe i ka mohuar akuzat për punë të dhunshme.
“Nuk ka të ashtuquajtur punë të detyrueshme në Kinë dhe ne e kundërshtojmë përdorimin e këtij justifikimi për manipulim politik”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.
Megjithatë organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut kanë thënë se diçka e tillë ekziston në Kinë, sidomos te myslimanët në Xinjiang.
Ky veprim është përshkallëzimi më i fundit në luftën globale tregtare të rindezur nga presidenti Trump, që kur u kthye në detyrë vitin e kaluar.
Edhe
Von der Leyen: BE-ja po punon për valë masive investimesh në Grenlandë
Trumpi prej kohësh ka argumentuar se tarifat i mbrojnë punëtorët amerikanë dhe nxisin ekonominë amerikane. Në prill të vitit 2025, ai pati vendosur tarifa deri në 50% për partnerët tregtarë globalë në atë që ai e quajti “Dita e Çlirimit”, duke synuar të adresonte atë që ai e shihte si trajtim të padrejtë të SHBA-së.
Gjykata Supreme e SHBA-së pati vendosur në fillim të këtij viti se shumë nga tarifat e vendosura globalisht nën kompetencat e emergjencës ishin miratuar në mënyrë të paligjshme. Presidenti që atëherë ka kërkuar mënyra të tjera për të ndjekur politikën e tij kryesore tregtare.