Botë

Hyjnë në fuqi tarifat e reja gjithpërfshirëse të Trumpit

Donald Trump

Donald Trump

Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj vendeve anembanë botës kanë hyrë në fuqi të enjten, duke përshkallëzuar luftën e tij tregtare.

“Është mesnata. Miliarda dollarë nga tarifat po rrjedhin tani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Trump në mediat sociale, pak minuta para afatit të mesnatës në Uashington, raporton BBC.

Më parë, presidenti e ka goditur Indinë me një tarifë prej 50%, e cila do të hyjë në fuqi më 27 gusht, përveç nëse ajo ndalon blerjen e naftës ruse.

Trumpi ka kërcënuar gjithashtu me një tarifë 100% për çipat kompjuterikë të prodhuar jashtë vendit, teksa po i shtyn firmat e teknologjisë të investojnë në SHBA. Kjo ka ndodhur në kohën kur Apple njoftoi një investim të ri amerikan prej 100 miliardë dollarësh pasi u vu nën presion nga Shtëpia e Bardhë për të zhvendosur më shumë prodhim në Amerikë.

Javën e kaluar, administrata Trump ka njoftuar një listë të rishikuar të taksave të importit për dhjetëra partnerë tregtarë dhe ka zgjatur afatin për vendet që të arrijnë marrëveshje me SHBA-në deri më 7 gusht.

Vendet kanë qenë në garë për të arritur marrëveshje me Uashingtonin, për të ulur ose hequr atë që Trumpi e quan "tarifë reciproke".

Politikat e tij tregtare synojnë riformësimin e sistemit global tregtar, të cilin ai e sheh si trajtim të padrejtë të SHBA-së.

Ekonomitë e varura nga eksporti në Azinë Juglindore janë ndër më të goditurat nga tarifat e reja. Laosi dhe Birmania, të përqendruara në prodhim, u përballën me disa nga taksat më të larta prej 40%.

Disa ekspertë kanë thënë se Trumpi duket se ka synuar vendet me lidhje të ngushta tregtare me Kinën.

Disa ekonomi të mëdha, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Japoninë dhe Korenë e Jugut kanë arritur tashmë marrëveshje për të marrë tarifa më të ulëta se sa kërcënuar Trumpi në prill.

Bashkimi Evropian ka arritur gjithashtu një marrëveshje kornizë me Uashingtonin, në të cilën Brukseli ka pranuar një tarifë prej 15% për mallrat nga blloku tregtar.

Tajvanit, një aleat kyç i Uashingtonit në Azi, iu dha një tarifë prej 20%. Presidenti i tij Lai Ching-te ka thënë se norma është "e përkohshme" dhe se bisedimet me SHBA-në janë ende duke u zhvilluar.

Javën e kaluar, Trumpi e ka rritur normën e tarifës për Kanadanë nga 25% në 35%, duke thënë se vendi "nuk kishte bashkëpunuar" në frenimin e rrjedhës së fentanilit dhe drogave të tjera përtej kufirit të SHBA-së. 

Qeveria kanadeze thotë se po merr masa të ashpra kundër bandave të drogës.

Por shumica e eksporteve kanadeze në SHBA do t'i shmangen taksës së importit për shkak të një traktati tregtar ekzistues, Marrëveshjes Shtetet e Bashkuara-Meksikë-Kanada (USMCA).

Si janë tarifat e reja?

Përpara të enjtes, pothuajse çdo mall i nënshtrohej një tarife minimale prej 10%. Tani tarifat ndryshojnë ndjeshëm nga vendi në vend.

Tarifat më të larta të vendosura janë për mallrat nga Brazili (50%), Laosi (40%), Birmania (40%), Zvicra (39%), Iraku (35%) dhe Serbia (35%).

21 vende të tjera përballen gjithashtu me taksa më të larta se 15%. Kjo përfshin disa vende nga të cilat SHBA-ja mbështetet shumë për një sërë mallrash, të tilla si Vietnami (20%), India (25%), Tajvani (20%) dhe Tajlanda (19%).

Mallrat nga India gjithashtu mund t'i nënshtrohen një tarife shtesë prej 25% të shtuar, përveç asaj për shkak të një urdhri ekzekutiv që Trumpi nënshkroi të mërkurën që kërkon të penalizojë Indinë për blerjen e naftës nga Rusia. Tarifa e dytë është planifikuar të hyjë në fuqi më 27 gusht.

Mallrat e tridhjetë e nëntë vendeve, si dhe anëtarëve të Bashkimit Evropian, i nënshtrohen tarifave prej 15%, sipas një liste që Shtëpia e Bardhë publikoi javën e kaluar. Përveç Kanadasë dhe Meksikës, të gjitha vendet e tjera nga të cilat SHBA-ja importon mallra do të vazhdojnë të përballen me një tarifë minimale prej 10%, megjithëse me disa përjashtime.

Mallrat nga Meksika dhe Kanadaja përjashtohen nga tarifat nëse janë në përputhje me marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada. Nëse jo, mallrat nga Meksika i nënshtrohen tarifave prej 25%, ndërsa mallrat nga Kanadaja i nënshtrohen tarifave prej 35%, nga 25% që ishte më parë.