Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nesër vendoset - Fundi i bllokadës apo kriza e re?

Konfornt

Hajrullahu: S’është mirë që Kosova të mos ketë institucione kur të vijë vendimi i Speciales

1 muaj më parë / 8 sht 2026 21:25
Muhamet Hajrullahu

Gazetari Muhamet Hajrullahu ka thënë se Kosova po përballet me një situatë të paqartë politike dhe me mungesë transparence nga partitë politike, ndërsa ka paralajmëruar se vendi nuk duhet të mbetet pa institucione në kohën kur pritet vendimi i Gjykatës Speciale.

Hajrullahu e ka cilësuar situatën aktuale si më të paqartën që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Situatë më të paqartë politike nuk kam parë që nga Pavarësia. Është një mjegull totale e asaj se çfarë po ndodh. Është jotransparencë totale në publik. S’ka informacione në kohë reale nga partitë. Ka heshtje te njerëzit kryesorë të VV-së”, ka thënë Hajrullahu në “Konfront” të KTV-së.

Duke folur për seancën e paralajmëruar të Kuvendit, ai ka thënë se ajo pritet të zhvillohet me shumë të panjohura, ndërsa ka shprehur shpresën se Kuvendi do të konstituohet.

“Nesër po shkojmë në seancë me shumë të panjohura. Tema do të duhej të ishte nesër programi. Po shpresoj që nesër ka me u konstitu Kuvendi, sepse janë tri tema kryesore që po e presin Kosovën në situatë të paqartë”, është shprehur ai.

Hajrullahu ka përmendur edhe bllokadën institucionale, si dhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, të cilin e ka cilësuar si një prej zhvillimeve më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës.

“Bllokimi qe dy vjet e gjysmë, po e presim njërin prej vendimeve më të rëndësishme, vendimin e Hagës, sepse është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Grainca: Posti i kryetarit të LDK-së, dhuratë e pamerituar për Abdixhikun

1 muaj më parë / 8 sht 2026 20:48
Blerim Grainca

Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, ka vlerësuar se posti i kryetari të LDK-së ka qenë një dhuratë e pamerituar për Lumir Abdxhikun.

Ai e ka akuzuar Abdixhikun duke thënë se nuk ka arritur ta menaxhojë si duhet LDK-në për shkak të egos së tij personale dhe për shkak të interesave të një grupi të ngushtë meskin.  

Grainca ka thënë se Abdixhiku 90 për qind të punës dhe energjisë së tij e ka kanalizuar në “luftën e brendshme, eliminimin e figurave të rëndësishme të LDK-së e falsifikimin e zgjedhjeve nëpër degë të LDK-së”.  

“Kjo nuk është diçka e rastësishme, nuk është fenomen natyror që ka ndodhur rastësisht edhe ka gjuajtur vetëtima e ka goditur LDK-në, është proces që ka qenë i menaxhuar që nga fillimi i tij, që nga ardhja e tij në krye të partisë që unë mendoj që për Abdixhikun ka qenë një dhuratë e pamerituar, porsi i kryetarit të LDK-së”, është shprehur Granica në emisionin “Konfront” në KTV. 

Ai ka thënë se nuk beson që ka ndonjë anëtar normal të LDK-së që do të donte që subjekti politik i tij të vije në situatën në të cilën gjendet sot. 

Grainca ka thënë se ka qenë gabim fatal vazhdimi i mandatit të Abdixhikut.

Ukshini: Abdixhiku dhe Osmani kanë dalë nga shinat e Rugovës

1 muaj më parë / 8 sht 2026 20:46
Sylë Ukshini

Ish-diplomati Sylë Ukshini ka thënë se bazuar në situatën aktuale duket se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme. Ukshini ka thënë vetëm pyetja është se nëse “do të shkohet në zgjedhje të ardhshme për të pasur prapë zgjedhje, apo do të ketë një pikë kur arrihet marrëveshja”. 

Ukshini në “Konfront” të KTV-së ka thënë se është interesante se si krejt këta njerëz që po thonë se duhet marrëveshje për të dalë nga situata, i kanë sharë kompromiset e mëhershme. 

“Nëse demonizon një kompromis atëherë vijmë te situata që kemi krijuar. Ngërçi është krijuar duke demonizuar politikanë të caktuar”, ka thënë Ukshini. 

Ukshini po ashtu ka thënë se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani “kanë dalur nga shinat e Rugovës”. 

“Shteti ynë duhet të ketë pragmatizëm maksimale, duhet të inkuadrohet në sistemin ndërkombëtar, pasi nuk jemi në mekanizma ndërkombëtar. Nëse e sheh fjalimin e Rugovës...fjalimin e vitit 2004 me kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Zoran Zhivkoviq që u mbajt në Vjenë, ishte një fjalim i butë e shumë vizionar. Nuk kishte shtrëngim nofulle. Kur i shoh Lumirin e Vjosën e thonë se jemi ajo fryma e Rugovës. Pikërisht nëse ka politikanë që kanë dal nga shinat e Rugovës, janë pikërisht këta dy”, tha Ukshini. 
 

Grainca: Nesër do të konstituohet Kuvendi, por po shkojmë drejt zgjedhjeve

1 muaj më parë / 8 sht 2026 20:25
Blerim Grainca

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Blerim Grainca, ka deklaruar se Kuvendi pritet të konstituohet në seancën e së mërkurës, por, sipas tij, zhvillimet politike po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Grainca ka thënë se konstituimi i Kuvendit ka mundur të ndodhë shumë më herët, duke e cilësuar zvarritjen si një veprim politik të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nesër është ftuar seanca, gjë që ka mundur të ndodhë më herët, pasi problem nuk ka qenë asnjëherë konstituimi i Kuvendit. Megjithatë, ka qenë zvarritje politike e VV-së, e cila ka pasur për qëllim të shtyjë formimin e institucioneve”, ka thënë Grainca.

Sipas tij, Vetëvendosje i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për ta përmbyllur procesin e konstituimit.

“Besoj që nesër, meqë i kanë votat e mjaftueshme, VV-ja do ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe do t’i hapë rrugë formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit, për të cilat nuk i ka votat”, është shprehur ai.

Megjithatë, Grainca vlerëson se konstituimi i Kuvendit do të jetë vetëm një formalitet dhe se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

“Konstituimi do të kryhet si formalitet, por gjithçka po duket se po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja”, ka deklaruar ish-deputeti i LDK-së.