Botë

Trumpi dhe Rutte në bisedime kyçe, a do të ndryshojë fati i Ukrainës?

Rutte & Trump

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të takohet me Donald Trumpin gjatë kësaj jave menjëherë pas njoftimit të presidentit amerikan rreth planeve për t’i shitur armë Ukrainës përmes aleancës veriatlantike, ka raportuar AP.

Përmes një njoftimi në faqen e NATO-s, është bërë e ditur se Rutte do të jetë në Washington të hënën dhe të martën, teksa do të takohet me Trumpin, sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, shefin e Pentagonit, Pete Hegseth, si dhe me përfaqësues të Kongresit.

Vizita është duke ndodhur në kohën kur Trumpi pati paralajmëruar se do të lëshonte “deklaratë të madhe” për Rusinë të hënën, përderisa Ukraina po përballet me vështirësi për të zmbrapsur sulmet e mëdha dhe të ndërlikuara ajrore të lansuara nga forcat ruse.

Rubio kishte thënë të premten se disa prej armëve të prodhuara në Amerikë që Ukraina po i kërkon veçse janë në zotërimin e aleatëve të NATO-s në Evropë. Sipas tij, këto armë mund t’i transferohen Ukrainës, teksa vendet evropiane mund të blejnë zëvendësimet e tyre prej SHBA-së.

“Është shumë më e shpejtë të lëvizësh diçka, për shembull, nga Gjermania në Ukrainë sesa ta porositësh nga një fabrikë (në SHBA) dhe ta çosh atje”, ishte shprehur Rubio para gazetarëve gjatë një vizite në Kuala Lumpur të Malajzisë.

Trumpi po përballet gjithashtu me thirrje nga republikanë dhe demokratë, si edhe nga aleatë evropianë, për të mbështetur një projektligj të posaçëm në Senat që synon të godasë industrinë e naftës së Rusisë dhe të vendosë sanksione amerikane ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës.

Projektligji, ndër të tjera, parashikon tarifë prej 500% për mallrat e importuara nga vendet që vazhdojnë të blejnë naftë, gaz, uranium dhe eksporte të tjera ruse. Një masë e tillë do të kishte ndikim të madh ekonomik ndaj gjigantëve si Kina dhe India, të cilat përbëjnë afërsisht 70% të tregtisë energjetike të Rusisë.