Botë

Rutte pret sqarime se çfarë garancish sigurie mund të ofrojnë aleatët për Ukrainën

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë të mërkurën se pret qartësi në një samit të aleatëve të Ukrainës të enjten "ose menjëherë pas saj" mbi atë se çfarë garancish sigurie mund t'i ofrojë Evropa Kievit, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë të ndalet.

"Pres që nesër, ose menjëherë pasnesër, të kemi qartësi mbi atë që mund të ofrojmë së bashku", ka thënë Rutte në një konferencë për shtyp me presidentin estonez, Alar Karis në selinë e NATO-s në Bruksel.

"Kjo do të thotë që ne mund të angazhohemi edhe më intensivisht, edhe me palën amerikane, për të parë se çfarë duan të ofrojnë në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në garancitë e sigurisë", ka shtuar ai, raporton Reuters.

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer do të jenë bashkë-organizatorë të takimit të së enjtes, i cili do të jetë virtual, të udhëheqësve të "koalicionit të të vullnetshmëve" kryesisht të aleatëve evropianë, të cilët kanë punuar për garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Garanci të tilla kanë për qëllim të pengojnë Rusinë të sulmojë përsëri Ukrainën pasi të përfundojë lufta, qoftë përmes një armëpushimi apo një marrëveshjeje të përhershme paqeje.

Zyrtarët perëndimorë thonë se elementi më i rëndësishëm i garancive do të jetë vazhdimi i mbështetjes së fortë për forcat e armatosura të Ukrainës, por masat pritet gjithashtu të përfshijnë një forcë ndërkombëtare për të siguruar Kievin.

Udhëheqësit evropianë e kanë bërë të qartë se një forcë e tillë do të jetë e realizueshme vetëm me mbështetjen e SHBA-së. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka premtuar këtë muajin e kaluar, por Uashingtoni ende nuk ka sqaruar se çfarë është i gatshëm të kontribuojë.