Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

SHBA-ja godet Iranin

Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sulmuar tri objekte bërthamore në Iran.

“E kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane”, shkroi Trump në Truth Social.

Ai ka shtuar se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh mbi objektin në Fordow, ndërsa të gjithë avionët janë në rrugë për t’u kthyer në SHBA.

Po ashtu, Trump ka shkruar në këtë rrjet social se ky është moment historik për SHBA-në, Izraelin dhe gjithë botën.

“Irani tani duhet të pajtohet t’i japë fund kësaj lufte”, ka shtuar Trumpi që po ashtu ka postuar një fotografi me shkrimin “Fordow ka marrë fund”.

Siç ka shkruar CNN, për bombardimet u përdorën bombarduesit e famshëm amerikanë B2.

Edhe Irani ka pranuar sulmin në Fordow. Morteza Heydari nga menaxhmenti i krizave në provincën Qom ka thënë se “një pjesë e zonës bërthamore në Fordo ishte në sulm ajror”, sipas agjencisë së lajmeve “Tasnim”. Irani po ashtu ka konfirmuar goditjet edhe në Natanz e Isfahan.

Ndërkohë, sipas transmetuesit izraelit, “Kan”, zyrtarë izraelitë kanë thënë se kanë qenë në “koordinim të plotë” me SHBA-në për sulmet në Iran.

Izraeli dhe Irani kanë këmbyer sulme ajrore që nga e premtja e shkuar. Izraeli sulmoi bazat ushtarake dhe bërthamore të Iranit me pretendimin se ato kërcënojnë ekzistencën e shtetit izraelit. Ndërkohë Irani u hakmor duke lëshuar vazhdimisht raketa në drejtim të Izraelit.

SHBA-ja ka thënë se e ka mbështetur Izraelin, teksa Trumpi i pati dhënë maksimumi dy javë afat Iranit që të arrijë paqen dhe të heqë dorë nga programi bërthamor.

Këto janë zonat bërthamore iraniane të cilat i goditi SHBA-ja

1 v. më parë / 22 qer 2025 12:31
B-2 duke lansuar raketë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur tri zona kryesore bërthamore në Iran gjatë orëve të hershme të së dielës, duke iu bashkuar Izraelit në sulmet ndaj Iranit dhe duke shkaktuar potencialisht një fazë më të rrezikshme të konfliktit, shkruan “The New York Times”. 

Një zyrtar amerikan ka thënë se gjashtë aeroplanë luftarakë amerikanë B-2 hodhën një duzinë bomba bunker-shkatërruese në objektin bërthamor Fordow, dhe nëndetëset e Marinës amerikane goditën me 30 raketa lundruese objektet bërthamore në Natanz dhe Isafahan. 

Një bombardues B-2 po ashtu hodhi dy bomba bunker-shkatërruese në Natanz, ka thënë zyrtari. 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në fjalimin e tij të shkurtër pas sulmeve tha se objektet bërthamore iraniane janë “shkatërruar plotësisht”. 

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit ka konfirmuar se tri objektet janë goditur dhe tha se do të marrë masa ligjore kundër SHBA-së në gjykatat ndërkombëtare. 

Këto janë lokacionet bërthamore që janë goditur nga SHBA-ja:

Fordow

Fordow shihet si lokacioni më kritik i pasurimit të uraniumit në Iran, i vendosur thellë brenda një mali për ta mbrojtur atë nga sulmet. Vetëm Ushtria amerikane zotëron bomba që mund ta godasin objektin dhe duhen hedhur shumë bomba në lokacionin e njëjtë për të arritur deri te objekti. 

Një zyrtar amerikan tha se vlerësimet fillestare tregojnë se objekti “ishte hequr nga tavolina”. 

Një ligjvënës iranian ka shkruar në rrjete sociale se vendi ishte evakuuar “shumë kohë më parë” në pritje të sulmeve.

Natanz

Natanz është qendra më e madhe të pasurimit të uraniumit në Iran dhe është dëmtuar në sulme të shumta nga Ushtria izraelite. 

Objektet mbitokësore në Natanz u dëmtuan ditën e parë të sulmeve të Izraelit. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha të hënën se infrastruktura elektrike në uzinë është shkatërruar nga sulmet izraelite dhe se humbja e energjisë mund të ketë dëmtuar edhe centrifugat në vend.

Isafahan

Mendohet se karburanti bërthamor i nivelit për të krijuar bombë ruhet në një kompleks jashtë Isafahanit, kryeqytetit të dikurshëm të Iranit. Inspektorët ndërkombëtarë i panë furnizimet me karburant vetëm dy javë më parë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse Irani i kishte lëvizur ato furnizime në ditët e fundit, siç thanë disa zyrtarë iranianë. 

Ushtria izraelite më parë kishte goditur laboratorët në objekt që punojnë për ta kthyer uraniumin e gazët në formën që duhet për të prodhuar një armë. Aeroplanët luftarakë izraelitë goditën objektin para bombardimit nga SHBA-ja. 
 

Putini nuk e ka në plan të bisedojë me Trumpin pas sulmeve

1 v. më parë / 22 qer 2025 12:28
Donald Trump dhe Vladimir Putin

Foto: Arkiv

Photo: Associated Press

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nuk e ka në plan të bisedojë me homologun e tij amerikan, Donald Trump ka thënë Kremlini, pas goditjeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit. Por ka shtuar se thirrja mes dy presidentëve mund të caktohet shpejtë, ka raportuar TASS.

Rusia dhe Irani kanë nënshkruar një marrëveshje të përgjithshme partneriteti në janar, duke përforcuar aleancën e tyre strategjike, megjithëse marrëveshje nuk kërkonte nga të dyja vendet që t’i dilnin në mbrojtje njëra-tjetrës nëse sulmohen.

Ndërkohë, në një telefonatë të enjten, Putini dhe lideri kinez, Xi Jinping kanë dënuar sulmet izraelite në Iran.

Ndërkohë që deklaratat nuk e kanë përmendur SHBA-në, në një mesazh pak më të fshehur drejtuar Trumpit — theksoi se “fuqitë e mëdha” që kanë një ndikim të veçantë mbi palët në konflikt duhet të punojnë për të “qetësuar situatën, jo të kundërtën”.

86 të lënduar nga sulmet iraniane në Izrael

1 v. më parë / 22 qer 2025 12:13
Izrael

86 persona janë pranuar në spital pas lëndimeve që kanë marrë gjatë natës dhe mëngjesin e së dielës nga sulmet iraniane, ka bërë të ditur Ministria izraelite e Shëndetësisë.

Që nga fillimi i sulmeve të Iranit në Izrael, të cilat filluan si hakmarrje për nisjen e veprimeve ushtarake të Izraelit kundër Iranit më 13 qershor, 1.835 izraelitë janë shtruar në spital me 23 të plagosur rëndë.

Raketat goditën disa ndërtesa që janë të grumbulluara së bashku, ka thënë zëdhënësi ndërkombëtar i policisë së Izraelit, Dean Elsdunne për CNN, duke shtuar se ekipet e ndihmës po kërkojnë ende pjesë të raketave nën rrënoja dhe për persona që mund të jenë bllokuar nga shembjet e ndërtesave.

Ekipet e ndihmës po presin gjithashtu edhe telefonata nga familjet që mund të kenë humbur kontaktin me të dashurit e tyre.

Lagjja që u sulmua është pranë një qendre tregtare dhe një shkolle, tha një zëdhënës.

Ministri iranian thotë se SHBA-ja “e hodhi në erë” diplomacinë, paralajmëron përgjigje

1 v. më parë / 22 qer 2025 12:01
Abbas Araghchi

Abbas Araghchi

Photo: Associated Press

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur “ta hedhin në erë” diplomacinë. SHBA-ja ka goditur tri objekte bërthamore të Iranit në mëngjesin e të dielës, raporton "CNN".

“Javën e kaluar, ne ishim në negociata me SHBA-në kur Izraeli  vendosi ta hidhte në erë diplomacinë. Këtë javë, ne zhvilluam bisedime me E3/EU (grup të ministrave evropianë) kur SHBA-ja vendosi ta hedhë në erë atë diplomaci”, ka shkruar Araghchi në platformën “X”. “Për Britaninë dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së, është Irani ai që duhet të ‘kthehet’ në tryezën e bisedimeve. Por, si mund të kthehet Irani në diçka që nuk e la kurrë, e lëre më ta hedhë atë në erë?”

Ai ka thënë se Shtëpia e Bardhë “luftënxitëse” është “plotësisht përgjegjëse” për pasojat dhe veprimet. 

“Republika Islamike e Iranit dënon me fjalët më të ashpra agresionin brutal ushtarak të Shteteve të Bashkuara kundër objekteve bërthamore paqësore të Iranit. Është një shkelje e egër, e rëndë dhe e pashembullt e parimeve themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtës ndërkombëtare”, tha Araghchi në një konferencë për media në Stamboll të dielën. “Administrata luftënxitëse në Washington është e vetmja dhe plotësisht përgjegjëse për pasojat e rrezikshme dhe implikimet e gjera të aktit të saj të agresionit”. 

Araghchi ka thënë se nuk ka më “shumë hapësirë për diplomaci”. 

“Ata kaluan një vijë të kuqe shumë të madhe duke sulmuar objektet bërthamore...Ne duhet të reagojmë bazuar në të drejtën tonë për vetëmbrojtje”, tha Araghchi. 

Araghchi ka akuzuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se ka tradhtuar si popullin iranian ashtu edhe atë amerikan.

“Ndërsa presidenti Trump u zgjodh me një platformën për t’i dhënë fund përfshirjes së kushtueshme të Amerikës në luftëra të përjetshme në pjesën tonë të botës, ai ka tradhtuar jo vetëm Iranin duke abuzuar me angazhimin tonë ndaj diplomacisë, por ka mashtruar edhe votuesit e tij duke iu nënshtruar misionit të një krimineli lufte të kërkuar, i cili është mësuar t'i shfrytëzojë jetën dhe pasurinë e qytetarëve amerikanë për t'i çuar më tej objektivat e regjimit izraelit”, tha Araghchi.

Ai ka thënë se është në bisedime me disa ministra të jashtëm të rajonit, të “gjithë shumë të shqetësuar” dhe janë të interesuar të luajnë rol në ndaljen e “agresionit izraelit”. 


 

Imazhet satelitore të objekteve bërthamore në Iran që goditi SHBA-ja

1 v. më parë / 22 qer 2025 11:55
maxar

Ende nuk ka imazhe satelitore të objekteve bërthamore të cilat SHBA-ja pretendon se i ka shkatërruar në Iran. Por, kompania satelitore Maxar ka ndarë fotografi të kapura ditëve të fundit të njërës pre tyre.

Maxar thotë se fotografitë e kapura më 19 dhe 20 qershor kanë treguar “një aktivitet të pazakontë të kamionëve dhe automjeteve” pranë hyrjes së objektit ushtarak nëntokësor.

Gërmime të reja mund të shihen afër, me shenja të punimeve tokësore, duke përfshirë edhe hyrjet e tuneleve, ku supozohet se Irani është përpjekur ta përforcojë kompleksin, në pritje të sulmeve.

Një imazh i kapur të premten tregon gjithashtu mbrojtje të ndërtuara rishtazi në rrugë, pak më shumë se një kilometër nga i njëjti vend, sipas Maxar.

SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordow, Natanz dhe Esfahan.  

Presidenti i Izraelit thotë se programi bërthamor i Iranit është goditur “ndjeshëm”

1 v. më parë / 22 qer 2025 11:22
Isaac Herzog

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, e ka quajtur sulmin e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit si një vendim “historik” dhe të “guximshëm”. 

I pyetur nga “BBC” nëse aftësitë bërthamore të Iranit janë eliminuar, Herzog, tha se nuk i di detajet, “por është mjaft e qartë se programi nuklear i Iranit është goditur ndjeshëm”. 

Ai po ashtu është pyetur nëse Izraeli i kërkoi drejtpërdrejt presidentit amerikan Donald Trump që ta godasë Iranin. 

Herzog tha se “vendosëm t’ua lëmë amerikanëve” vendimin, ndërsa shtoi se nuk e dinte se SHBA-ja do t’i sulmonte objektet bërthamore të Iranit. 

“U zgjova kur ndodhi”, tha ai. 

I pyetur nëse do ta ndalojë Izraeli tash sulmin ndaj Iranit, presidenti izraelit nuk ka pasur përgjigje të drejtpërdrejtë, por tha se Irani po lanson raketa në drejtim të territorit izraelit dhe “duhet të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta mbrojtur veten nga ato raketa”. 

“Mënyra për ta bërë këtë është sigurisht ta trajtojmë në nivel ndërkombëtar dhe të sigurohemi se ka një strategji daljeje”, tha Herzog. 
 

Çmimi i naftës pritet të rritet pas sulmit të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit

1 v. më parë / 22 qer 2025 10:34
nafta

Çmimet globale të naftës pritet të rriten kur tregjet e energjisë ta rinisin tregtimin të hënën në mëngjes në Azi, shkruan “BBC”. 

“Sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumë njerëz kanë frikë se kjo vetëm sa do ta përkeqësojë situatën”, ka thënë Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive te “Crystol Energy”. “Kjo frikë do të reflektohet në një premium më të lartë gjeopolitik shtuar në çmimet e naftës”. 

Nafta bruto “Brent” e mbylli javën e tregtimit të premten me 77.01 dollarë për fuçi, pasi u rrit çmimi thuajse 20 për qind në muajin e fundit. 

Përkundër këtyre rritjeve, prapë çmimet janë ende më të ulëta se që ishin në të njëjtën pikë vitin e kaluar. 

Sulmi i SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, Kallas bën thirrje për negociata

1 v. më parë / 22 qer 2025 10:23
Kaja Kallas

Photo: Associated Press

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën për të diskutuar për sulmet e SHBA-së ndaj Iranit. 

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, në platformën “X” ka shkruar se Iranit nuk duhet t’i lejohet zhvillimi i bombës bërthamore, ndërsa ka bërë thirrje për qetësi. 

“Irani nuk duhet lejuar ta zhvillojë një armë bërthamore, pasi kjo do të përbënte një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. U bëjë thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tryezën e negociatave dhe ta parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë nesër lidhur me situatën”, ka shkruar Kallas. 

Mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së thërret takim urgjent

1 v. më parë / 22 qer 2025 10:10
Rafael Grossi

Photo: Associated Press

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) do të mbajë një takim urgjent të hënën "në dritën e situatës urgjente në Iran", sipas shefit të agjencisë mbikëqyrëse bërthamore të OKB-së, 

Ndërkohë, shefi i agjencisë bërthamore të Iranit, Mohammad Eslam, i ka shkruar IAEA-së, duke thënë se Teherani dëshiron një hetim mbi sulmet e SHBA-së dhe po i kërkon agjencisë mbikëqyrëse të dënojë veprimin e SHBA-së, raportojnë mediat iraniane, raporton BBC.

Më parë, IAEA ka kofirmuar se nuk ka pasur "rritje" të niveleve të rrezatimit pasi SHBA-ja ka goditur tri centrale bërthamore në Iran.

Vazhdojnë sulmet, Irani godet aeroportin izraelit

1 v. më parë / 22 qer 2025 08:58
Iran

Sulmet mes Izraelit dhe Iranit janë duke vazhduar edhe të dielën.

Ushtria izraelite ka thënë se forca ajrore ka nisur një valë të re të sulmeve kundër caqeve ushtarake në perëndim të Iranit.

Kjo ka ardhur pasi forcat izraelite kanë paralajmëruar se kanë identifikuar se disa raketa iraniane janë nisur në drejtim të territorit të Izraelit.

Në anën tjetër Irani ka shënjestruar disa objektiva në Izrael, përfshirë edhe aeroportin Ben Gurion.

Objektiva të tjera të raportuara përfshijnë baza mbështetëse, qendra komande dhe kontrolli dhe një qendër kërkimore biologjike. Media shtetërore thotë se Trupat e Gardës Revolucionare Islamike njoftoi se sulmi u krye duke përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi.

Britania i del në krah SHBA-së për sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit

1 v. më parë / 22 qer 2025 08:56
Keir Starmer

Kryeministri i Mbretërisë së  Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se SHBA-ja ka ndërmarrë veprim për të “zbutur” kërcënimin e madh të programit bërthamor të Iranit.

Në një deklaratë ai ka thënë se programi bërthamor i Iranit është kërcënim i madh për sigurinë kombëtare.

“Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë armë bërthamore dhe SHBA-ja ka ndërmarrë masa për të zbutur këtë veprim.

Ka shtuar se “situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është prioritet. Ne i bëjmë thirrje Iranit të kthehet në tavolinën e bisedimeve dhe të arrijë zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund krizës”.

SHBA-ja godet tri objekte bërthamore në Iran, Teherani paralajmëron për pasoja

1 v. më parë / 22 qer 2025 08:45
Donald Trump

Photo: Associated Press

SHBA-ja ka sulmuar tri objekte bërthamore në Iran. Janë sulmuar objektet Fordow, Natanz dhe Esfahan.  

Presidenti amerikan Donald Trump, në një adresim publik, e ka quajtur këtë sulm si “sukses të madh ushtarak”. 

“Sot, mund t’i raportojë botës se sulmet ishin sukses spektakular ushtarak. Objektet kyçe të pasurimit nuklear janë shkatërruar tërësisht”, tha Trump, në paraqitjen e tij të parë publike pas sulmit. 

Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë sulme ndaj objekteve tjera nëse Irani nuk bën paqe. 

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, tash duhet të bëjë paqe. Nëse nuk bën, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta. Kjo mund të vazhdojë. Ose do të ketë paqe, ose do të ketë tragjedi për Iranin. Një tragjedi shumë më e madhe se që kemi parë tetë ditëve të fundit. Mos harroni, kanë mbetur shumë objektiva”, tha Trump.

Trump tha se mund të sulmohen objektivat tjera me saktësi, shpejtësi dhe aftësi dhe atë brenda pak minutash. 

E në “Truth Social”, Trump tha se Irani do të përballet me hakmarrje të madhe nëse vendos të përgjigjet me forcë. 

Para se të mbante adresimin publik, Trump kishte njoftuar  në “Truth Social” për sulmin. 

“E kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tri objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordoë, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët tani ndodhen jashtë hapësirës ajrore iraniane”, shkroi Trump. 
Në sulm raportohet se u përdorën aeroplanit B-2, nga të cilët u hodhën 12 bomba GBU-57, të njohura si shkatërruese të bunkerëve, e po ashtu nga nëndetëset u lansuan 30 “Tomahawks”, transmetoi “Fox News”. 

Agjencia Botërore për Energji Atomike ka thënë se aktualisht nuk ka rritje të nivelit të rrezatimit jashtë tri objekteve që janë goditur nga SHBA-ja. 

Zyrtarët iranianë kanë mohuar pretendimet e Trumpit se objektet nukleare janë shkatërruar. 

Mohammad Manan Raisi ligjvënës nga Qom, ku gjendet objekti Fordow, tha se objekti nuk është dëmtuar rëndë. 

E Hassan Abedini tha se materiali ishte larguar nga objektet më herët. 

“Rezervat e uraniumit të pasuruar janë transferuar nga ato qendra nukleare dhe nuk ka materiale atje, që nëse shënjestrohen, do të shkaktonte rrezatim”, tha Abedini, zëvendëskryesues politik për transmetuesn shtetëror iranian.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, ka paralajmëruar “pasoja të përjetshme”, duke e cilësuar sulmin si shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare. 

“Shtetet e Bashkuara, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, kanë kryer një shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së, të së ndretës ndërkombëtare dhe NPT-së, duke sulmuar instalimet bërthamore paqësore të Iranit. Ngjarja e këtij mëngjesi është skandal dhe do të ketë pasoja të pëjetshme. Çdo anëtar i OKB-së të alarmohet për këtë sjellje të rrezikshme, të paligjshme dhe kriminale. Në përputhje me Kartën e OKB-së dhe dispozitat e saja që lejojnë një përgjigje në vetëmbrojtje, Irani rezervon të gjitha opsionet për t’i mbrojtur sovranitetin, interesin dhe popullin e vetë”, ka shkruar Araghchi në rrjetet sociale. 

E nga Ministria e Jashtme e Iranit u tha se "SHBA-ja ka nisur luftë të rrezikshme ndaj Iranit". 

Irani ka kërkuar mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar për sulmin. 

Sulmet janë dënuar edhe nga Hamasi në Gaza dhe Houthit në Jemen, grupe militante që përkrahen nga Irani. 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përgëzuar sulmin. 

“Presidenti Trump dhe unë shpesh themi: ‘Paqe nëpërmjet forcës’. Së pari vjen forca, më pas paqja. Dhe sot, presidenti Trump dhe SHBA-ja vepruan me shumë forcë”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Netanyahu. 

Trump e përgëzoi Netanyahun duke thënë se kanë punuar si ekip për ta eliminuar këtë “rrezik të tmerrshme ndaj Izraelit”. 

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e ka quajtur “përshkallëzim i rrezikshëm”, sulmin e SHBA-së. 

“Tash ka një rrezik të madh që konflikti në mënyrë të shpejtë mund të dalë nga kontrolli – me pasoja katastrofale për civilët, rajonin dhe botën. Është me rëndësi të evitohet spiralja e kaosit. Nuk ka zgjidhje ushtarake. Mënyra e vetme para është diplomacia. Shpresa e vetme është diplomacia”, ka shkruar Guterres në platformën “X”. 

Në SHBA, senatorët demokratë e kanë kritikuar vendimin e Trumpit për sulmin ndaj Iranit pa marrë aprovimin paraprak nga Kongresi. 

Nga Shtëpia e Bardhë, të enjten ishte thënë se Irani ka dy javë kohë për të bërë marrëveshje, por sulmet nisën pas dy ditëve. 

Senatori demokrat Bernie Sanders tha se Trump bëri “shkelje të rëndë Kushtetuese”. 

“Entiteti i vetëm që mund ta çojë këtë vend në luftë është Kongresi i SHBA-së. Presidenti nuk e ka këtë të drejtë”, tha Sanders. 

E kongresistët republikanë kanë përkrahur vendimin e Trumpit. 

Është thënë se SHBA-ja ka kontaktuar Iranin nëpërmjet kanaleve diplomatike të shtunën duke thënë se sulmet ajrore janë e gjitha që do të bëjë dhe se “nuk e ka plan ndryshimin e regjimit”.