Protestat dhe trazirat shpërthyen në rajonin e Parisit gjatë natës pasi policia qëlloi për vdekje një 17-vjeçar, i cili nuk ndaloi kur u urdhërua nga policia rrugore.
Një video që qarkullon në rrjetet sociale tregon një oficer policie që i drejton armën shoferit të një veture, përpara se të dëgjohet një e shtënë. Vetura më pas përplaset me një shenjë “stop”.
Adoleshenti, i quajtur Naël M, ka vdekur si pasojë e plagëve nga plumbi në gjoks, pavarësisht ndihmës së urgjencës.
Oficeri i akuzuar se e qëlloi është arrestuar me akuzën e vrasjes.
Naël M është personi i dytë këtë vit në Francë që vritet nga të shtënat e policisë gjatë ndalimit në trafik. Vitin e kaluar, një rekord prej 13 personash vdiqën në këtë mënyrë.
Sipas gazetës Le Monde, policia fillimisht ka thënë se adoleshenti e drejtoi veturën drejt tyre me qëllim që t'i lëndonte.
Por pamjet e postuara në internet dhe të verifikuara nga agjencia e lajmeve AFP tregojnë një histori tjetër.
Të shtënat shkaktuan një seri protestash të martën mbrëma në Nanterre, zona në perëndim të Parisit ku u vra adoleshenti. Të paktën 24 persona u arrestuan pas trazirave.
Disa incidente trazirash u regjistruan gjithashtu në qytetet Asnieres, Colombes, Suresnes, Aubervilliers, Clichy-sous-Bois dhe Mantes-la-Jolie.