Botë

Franca angazhon 40 mijë policë për të shtypur trazirat

Trazirat kanë shpërthyer në disa qytete franceze pas vrasjes së adoleshentit 17-vjeçar nga policia, gjatë ndalimit në trafik. Policia është arsyetuar se polici ishte ndier i kërcënuar, por në bazë të hetimeve të para thuhet se nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet për përdorimin e armës nga polici francez

Polici francez që vrau ngasësin 17-vjeçar në periferi të Parisit do të hetohet për vrasje të vullnetshme, pas dy ditësh trazirash në të cilat kanë mbetur të lënduar dhjetëra protestues dhe policë.

Më shumë se 40 mijë policë janë angazhuar në ndaljen e dhunës që ka përfshirë qytetet franceze pas vrasjes së adoleshentit.

Vrasja e 17-vjeçarit Nahel M gjatë një ndalimi në trafik është kapur nga kamerat. Vrasja e tij nga distanca e afërt ka shokuar Francën teksa ka ngritur tensionet në mes të të rinjve dhe policisë.

Protestuesit kanë djegur automjetet dhe ndërtesat nëpër lagjet e Parisit teksa trazirat janë zgjeruar edhe në qytetet tjera franceze.

Ministria franceze e Punëve të Brendshme ka njoftuar se 170 policë janë lënduar gjatë përleshjeve me protestuesit.

Prokuroria në qytetin Nanterre ku ndodhi vrasja e adoleshentit, ka kërkuar që polici të mbahet në paraburgim. Sipas hetimeve të para, Ministria ka deklaruar se kushtet për përdorim të ligjshëm të armës nuk ishin respektuar nga polici.

Tre persona ishin në automjet kur policia tentoi t’i ndalte të martën. Viktima kishte arritur të shmangte ndaljen nga policia kur nuk e respektoi dritën e kuqe në semafor. Ai më vonë kishte ngecur në kolonë. Të dy policët e përfshirë kanë nxjerrë revolet e tyre me qëllim që Nahel M të mos ikte përsëri. Polici ka qëlluar vetëm një plumb. Është arsyetuar se donte të parandalonte largimin e automjetet sepse frikësohej se do të godiste dikë.

Policia fillimisht është arsyetuar se adoleshenti tentoi t’i godiste ata me automjet, mirëpo në videot e publikuara shihet automjet i ndalur, para se njëri nga policët të qëllonte në drejtim të tij.

Adoleshenti Nahel M është personi i dytë që vritet gjatë ndalimit nga policia e trafikut sivjet në Francë.

Vitin e kaluar 13 persona vdiqën në të njëjtat rrethana dhe ishte numër rekord për raste të tilla.

Në rastin e 19-vjeçarit, zyrtari policor që shtiu në drejtim të tij është akuzuar për vrasje. Adoleshenti u vra nga policia në perëndim të Francës, nën arsyetimin se e kishte goditur policin në këmbë gjatë ndalimit në trafik. Hetimi për këtë rast ende është duke vazhduar.

Trazirat nisën të martën mbrëma në lagjen parisiene “Nanterre”. Qeveria kishte angazhuar 2 mijë policë për të mbajtur rendin të mërkurën. Mirëpo dhuna ka vazhduar.

Mbiemri i Nahelit nuk është publikuar nga autoritete ose nga familja e tij. Në deklaratat e mëparshme, avokatët kanë thënë se familja e ka thirrur me emrin Nael.

Policia dhe zjarrfikësit kanë dështuar të përmbajnë protestuesit dhe të shuajnë zjarret në natën kur protestuesit dëmtuan shkollat, stacionet policore dhe sallat e qyteteve dhe ndërtesa të tjera publike. Policia kombëtare ka raportuar për zjarre të shumta në disa qytete nga Toulouse në jug e deri te Lille në veri.

Policia ka arrestuar 150 persona nëpër qytetet franceze, shumica prej tyre në rajonin e Parisit. Numri i të lënduarve në këto demonstrata nuk është bërë i ditur.

Skenat e dhunës nëpër lagje e kanë kthyer Francën në vitin 2005, kur vdekjet e 15-vjeçarit Bouna Traore dhe 17-vjeçarit Zyed Benna nxitën trazirat tri javë në gjithë Francën. Këto trazira nisën për shkak të neglizhencës dhe fshehjes së krimeve nëpër lagjet e varfra të Francës. Dy djemtë duke ikur nga policia në një lagje të Parisit u fshehën në një nënstacion elektrik dhe vdiqën nga energjia elektrike.

Reagimi i presidentit

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të enjten ka mbajtur një takim emergjent në lidhje me trazirat.

“Këto akte janë krejtësisht të paarsyeshme”, ka thënë Macroni në fillim të takimit. Ai ka premtuar se “paqja e plotë mund të kthehet” gjatë ditëve në vazhdim.

Macroni gjithashtu ka thënë se ishte koha për respekt teksa nëna e Nahelit ka bërë thirrje për marshin e heshtur në nderim të të birit në sheshin ku është vrarë.

Dhjetëra automjeteve u është vënë flaka në Nanterre dhe protestuesit kanë sulmuar policinë me fishekzjarrë dhe gurë. Policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Janë djegur disa dyqane dhe ndërtesa dhe ishte raportuar për zjarr edhe në stacionin e energjisë elektrike. Zjarri ka dëmtuar sallën e qytetit në lagjen “L’Ile-Saint-Denis”, jo fort larg nga stadiumi kombëtar i Francës.

Zyrtari policor i akuzuar për vrasjen e adoleshentit është në paraburgim nën dyshimet për vrasje dhe mund të dalë para drejtësisë gjatë javës, ka njoftuar zyra e prokurorit në Nanterre të enjten.

Aktivistët francezë kanë nisur thirrjet për përballje me abuzimin sistematik nga policia, sidomos në lagjet si ajo në të cilën ka jetuar Naheli. Shumë banorë përballen me varfërinë, diskriminimet racore dhe klasore. Zyrtarët e qeverisë kanë dënuar vrasjen dhe kanë bërë përpjekje të distancojnë veten nga veprimet e zyrtarit policor.

Macroni e ka cilësuar vrasjen si “të pashpjegueshme dhe të pafalshme”. Ka bërë thirrje për qetësi. “Asgjë nuk e arsyeton vdekjen e një të riu”, ka thënë Macroni të mërkurën në Marseille.

Zyra e prokurorit të Nanterre ka njoftuar se ngasësi adoleshent ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Buqeta me trëndafila portokalli dhe të verdhë janë vendosur në vendin e vrasjes në sheshin “Nelson Mandela” të Nanterret. / AP