Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tmerret e së kaluarës brutale të Kanadasë

Nga vitet 1880 deri më 1990 Qeveria kanadeze ka larguar forcërisht të paktën 150 mijë fëmijë indigjenë nga shtëpitë e tyre dhe i ka dërguar në internatet e destinuara për t’i shkëputur ata nga kultura e tyre dhe për t’i asimiluar në mënyrat perëndimore – një sistem ky të cilin Komisioni Kombëtar për të Vërtetën dhe Pajtimin më 2008 e quajti “gjenocid kulturor”. Në këto shkolla, të cilat kryesisht udhëhiqeshin nga Kisha Katolike, dhuna seksuale, fizike dhe emocionale ishin dukuri të zakonta

Kur ishte gjashtë vjeç Ken Thomasi thotë të ishte hipur në një furgon, dërguar disa orë larg shtëpisë, dhe duke e lënë para dyerve të shkollës rezidenciale indiane në Muskowekwan. Aty murgeshat ia rruan menjëherë kokën dhe fare pak kohë më vonë mësoi se sa herë që e fliste gjuhën e tij amtare indigjene ato do t’ia lanin gojën me sapun.

Gjatë dhjetë vjetëve të tij aty thotë se ka përjetuar tmerre rrëqethëse.

E kujton një mik që kreu vetëvrasje, pasi që u zhvesh lakuriq dhe u mbyll në dhomën e internatit meqë kishte tentuar të ikte. Thomasi dhe djelmoshat e tjerë e gjetën të varur dhe pa ndjenja nën dush.

Dhe sikurse shumë nxënës të tjerë, ai thotë për të përditshmen amerikane “New York Times” të ketë parë shumë eshtra njerëzish të nxirreshin nga kontraktuesit të painformuar mbi ngjarjet që punonin në lidhjen e linjave të ujit përreth shkollës. Disa prej tyre, thotë ai, ishin të nxënësve që mungonin prej kohësh dhe për të cilët kishte dëgjuar se kishin vdekur e ishin varrosur aty.

“Gjenocid kulturor”

Edhe Identifikohet 18-vjeçarja e dyshuar për sulmin në Kanada që la tetë të vdekur Botë 5 muaj më parë Identifikohet 18-vjeçarja e dyshuar për sulmin në Kanada që la tetë të vdekur

Nga vitet 1880 deri më 1990 Qeveria kanadeze ka larguar forcërisht të paktën 150 mijë fëmijë indigjenë, si puna e Thomasit, nga shtëpitë e tyre dhe i ka dërguar në internatet e destinuara për t’i shkëputur nga kultura e tyre dhe për t’i asimiluar në mënyrat perëndimore – një sistem ky të cilin Komisioni Kombëtar për të Vërtetën dhe Pajtimin më 2008 e quajti “gjenocid kulturor”.

Në këto shkolla të cilat kryesisht udhëhiqeshin nga Kisha Katolike, dhuna seksuale, fizike dhe emocionale ishin dukuri të zakonta. Me mijëra fëmijë u zhdukën.

“Tani kanadezët po mësojnë edhe më shumë për këto histori të tmerrit. Gjatë katër javëve të fundit dy komunitete indigjene kanë njoftuar për zbulimin e qindra varreve të pashënuara të fëmijëve që mund të kenë vdekur në këto shkolla nga sëmundja apo neglizhenca, apo edhe vrarë. Dhe zbulimi ka ushqyer vendosmërinë e grupeve indigjene për ta mbajtur vendin përgjegjës për të shkuarën brutale dhe ka shtuar presionin mbi Qeverinë e kryeministrit Justin Trudeau për t’i jetësuar 94 rekomandimet e Komisionit”, ka shkruar NYT.

Krejt këto ngjarje po e ndryshojnë mënyrën sesi kanadezët po e shohin historinë e tyre.

Jim Miller, profesor emeritus i historisë në Universitetin e Saskatchewanit, ka thënë se që nga viti 1983, kur nisi që ta studiojë sistemin shkollor rezidencial, vetëdija e publikut për historinë jashtë komuniteteve indigjene është rritur. Duke folur për “New York Timesin”, Milleri thotë se zbulimet e reja e kanë intensifikuar interesimin e qytetarëve.

Komisioni i Pajtimit ka llogaritur se rreth 14 mijë fëmijë janë zhdukur nga shkollat e tilla në mbarë vendin. Por ish-gjykatësi indigjen që e udhëhoqi Komisionin, Murray Sinclair, theksoi nëpërmjet një emaili për NYT-në se tani beson që numri i tyre “shkon bukur përtej 10-mijëshit”.

“Njerëzit thonë: ‘Oh, kapërceje, ka mbaruar më!”, thotë Cynthia Desjarlais, një këshilltare e shoqatës së Popujve të Parë në Muskowekawn që po u prinë përpjekjeve për zbulimin e mbetjeve mortore të fëmijëve që janë shtrënguar t’i vijojnë mësimet në ato shkolla dhe kurrë më nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre. “Duhet të punojmë mbi këtë çështje”.

Viteve të fundit komunitetet indigjene kanë insistuar që të përdoren teknologji me radarë që depërtojnë në thellësinë e tokës për të kërkuar varret e fëmijëve të zhdukur, ka shkruar gazeta prestigjioze amerikane. Të premten e shkuar, organizata e Popujve të Parë Cowessess në Saskatchewan ka njoftuar gjetjen e mbetjeve të më shumë se 751 personave, kryesisht fëmijë, afër vendit ku dikur ndodhej një shkollë e tillë. Në maj Tk’emlups e Popujve të Parë Scwepemc në Columbian britanike zbardhi mbetjet mortore të 215 personave, po ashtu kryesisht fëmijë, në shkollën e Kamloops.

Në Muskowekwani, ku Thomasi ishte detyruar t’i vijonte mësimet, mbetje të tilla ishin gjetur më herët.

Vetëvrasje, abuzime....

Image

Godina e shkollës me tjegulla të kuqe dhe gurë qe hapur më 1931 dhe operoi deri më 1997, duke u drejtuar fillimisht nga Kisha Katolike, pastaj nga Qeveria Federale dhe në fund nga vetë Popujt e Parë. Fasada e saj është tani reflektim i një historike që po ngjall tmerrim.

Kur Thomasi, një pjesëtar i fisit anishinaabe, u vendos në një shkollë të tillë më 1973-n, ai ishte tepër i vogël për të kuptuar çfarë po ndodhte.

“Nuk e kisha as më të voglën ide çfarë po ndodhte”, thotë Thomasi, tani 53 vjeç. “Erdha në shkollë me bishtaleca dhe rreth një orë më vonë ato nuk i kisha më. Ma rruan kohën. Andaj ky ishte njëfarë fillimi se si u njoha me këto shkolla”, tregon ai për “New York Timesin”.

Pak ditë më parë, teksa po ecte përgjatë shkollës së dikurshme, Thomasi përshkroi kujtimet e tija të hidhura. Në errësirën e asaj që dikur ishte dhomë e tij, ai i tregon dushet ku shoku i tij që kishte bërë vetëvrasje ishte lënë që ta vuante dënimin për tentim ikjen.

Edhe Dhjetë të vdekur dhe 25 të plagosur nga dy sulme në Kanada Botë 5 muaj më parë Dhjetë të vdekur dhe 25 të plagosur nga dy sulme në Kanada

Shkolla rezidenciale indiane Kamloops, në perëndim të Muskowekwanit, është zëvendësuar me një shkollë të re të komunitetit indigjen aty pranë. Në oborrin e shkollës së moçme tani po zhvillohen gërmime për mbetjet e fëmijëve të tjerë.

Në të ishte vendosur edhe poeti Garry Gottfriedson, por ai u kthye në shtëpi disa vjet më vonë, por t’u bërë mësues dhe në fund edhe drejtor i një shkolle. Gottfriedsoni ishte në Kamloops për shtatë vjet, nga 1959-a deri më 1963, derisa ai dhe disa prej 13 motrave dhe vëllezërve të tij të mos iknin. Nëna e tyre dhe disa të tjera të komunitetit ia dolën që t’i dërgonin ata në shkolla publike, ka shkruar gazeta NYT.

Zbulimi i varreve ka ringjallur kujtimet e tija që nuk ia kishte kallëzuar askujt. Fëmijët e tij, thotë ai, kishin mësuar gjithçka vetëm kur ai kishte nisur të shkruante poezi.

“Gjërat, dëshmitar i së cilave jam bërë dhe të cilat i kam përjetuar në atë vend – po të më dalin fjalët nga goja mendoj se do të më mbysnin krejtësisht”, thotë ai. “Ama mund të shkruaj për to, i sigurt”.

Megjithëkëtë, disa kujtime të errëta i dalin prej goje: kur e kishte parë shokun të abuzohet seksualisht nga një murg derisa ai ishte ende tepër i vogël për ta kuptuar realitetin; paralajmërimet e fëmijëve të tjerë që kurrë të mos mbetej vetëm me ndonjë prift apo murg; dhe një vajzë që kreu vetëvrasje pas rrahjeve të vazhdueshme ngase nuk dinte të fliste anglisht.

Hapat e radhës?

Image

Derisa shumë indigjenë kanë ndier një lloj lehtësimi për gjetjen e mbetjeve mortore, lajmi për ta ka qenë tramatizues dhe ka hapur një sërë pikëpyetjesh rreth asaj se çfarë do të ndodhë më pas, ka shkruar gazeta amerikane.

Për identifikimin e mbetjeve – dhe përcaktimin se si dhe kur ata kanë vdekur – komunitetet do të duhej që së pari t’i ekshumonte, një vendim ky të cilin Muskowekwani e ka hedhur poshtë më 2018. Popujt e Parë që i menaxhon Kamloopsi kanë bërë të ditur se kurrfarë vendimi nuk do të merret lidhur me këtë apo cilindo hap të radhës derisa kërkimi për të mbetura të mos përmbyllet.

“Një tjetër pyetje që ngrihet është se çfarë do të ndodhë me vetë godinat”, ka shkruar NYT.

Kur sistemi i shkollave rezidenciale është shpërbërë, me mbylljen e institucionit të fundit më 1996, komunitetet lokale indigjene hapën shkolla për t’i zëvendësuar ato.

Shoqata e Popujve të Parë në Muskowekwan e ruajti godinën e vjetër si simbol të padrejtësisë, por të gjithë Popujt e tjerë të Parë në Saskatchewan i rrënuan shkollat e tyre për t’u shkëputur prej të shkuarës.

Synimi i Desjarlaisit është që tani t’i shënjojë vendet e varrimit, derisa një valë e re e skanimeve të mos ndërmerret. Ajo tani, sipas gazetës amerikane, është në kërkim të parave për t’i shndërruar gërmadhat e shkollës në muze dhe arkiv, si dhe në një qendër arsimimi për të rriturit.

Porse ky i saji nuk është një qëndrim me të cilin të gjithë pajtohen. Disa ish-nxënës thonë se i shmangen ngasjes së veturave përskaj shkollës, thjesht ngase ajo ngërthen kaq shumë kujtime të hidhura për ta.

Edhe “Jeni heronjtë e Kanadasë” – nikoqirja e harruar e Botërorit shkroi histori Botërori 2026 3 j. më parë “Jeni heronjtë e Kanadasë” – nikoqirja e harruar e Botërorit shkroi histori

Thomasi është njëri prej atyre që dëshiron ta ketë një monument kujtimi. Ai synon që “ta ketë një lloj vendi të tillë, ashtu që të mos harrohen vështirësitë dhe abuzimet e ndodhura në to”. \ Rrëfim i “New York Times”

Përktheu: Nita Lleshi