Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Plaku indigjen në pritje të kërkimfaljes së Papës

Një i mbijetuar i shkollave rezidenciale të Kanadasë ka nisur misionin për të shtyrë Kishën Katolike të kërkojë falje për rolin që ajo ka luajtur në jetën e këtyre të mbijetuarve

Alberta, Kanada - Duke shikuar në albumin e fotografive të mbledhura gjatë jetës së tij, Wilton Littlechild ndalet te një skicim i papa Piut të Dymbëdhjetë, të cilin e kishte vizatuar rreth 60 vjet më parë, kur shkonte në shkollën rezidenciale.

77-vjeçari pyeste veten se pse kishte zgjedhur ta bënte atë skicim kur ai ishte në klasën e 12-të. “Kjo është njëra ndër pjesët e këtij rrugëtimi”, thotë ai.

Littlechild tani ndodhet në shtëpinë e tij në Ermineskin Cree Nation në Maskwacis të Albertës Qendrore, por ai po përgatitet të udhëtojë për në Romë si pjesë e delegacionit të të mbijetuarve të shkollës, të cilët do të takohen me Papa Françeskun.

Shkollat e asimilimit

Kisha dhe shkollat rezidenciale të udhëhequra nga shteti punuan në Kanada që nga vitet 1800 deri në vitin 1996, me qëllim për të asimiluar me forcë fëmijët indigjenë në kulturën evropiane. Rreth 150.000 fëmijë indigjenë u morën nga prindërit dhe komunitet e tyre dhe u detyruan që të shkonin në shkolla ku përdorej abuzimi verbal, fizik, seksual, shpirtëror dhe emocional. Në këto shkolla gjuha dhe praktikimi i kulturës indigjene ishin të ndaluara. Ekzistonin 139 shkolla të tilla në të gjithë Kanadanë dhe Kisha Katolike mbikëqyrte 60 për qind të tyre.

Edhe Kërkimfalja historike e Papa Françeskut për sistemin shkollor ku u abuzuan mijëra fëmijë Botë Kërkimfalja historike e Papa Françeskut për sistemin shkollor ku u abuzuan mijëra fëmijë
Image

Tani Littlechild shpreson se papa do të kërkojë falje për ndikimin të cilin kisha kishte pasur në jetën e tyre.

“Mua më pëlqen ai. Kur po mbante fjalimin e tij të parë, të linte përshtypjen se është pjesëtar i popullit indigjen, për shkak të shqetësimit që kishte për mjedisin dhe ndryshimet klimatike. Isha i habitur. Ai ishte i shqetësuar për kafshët të cilat kishin nevojë për mbrojtje. Mendoja më vete se mbase ai mund të jetë personi i cili do të kërkojë falje”, thotë Littlechild për Papa Françeskun.

Pothuajse për dy dekada me radhë, Littlechild, avokat dhe ish-pjesëtar i Parlamentit, kishte avokuar që kreu i Kishës Katolike të kërkojë falje, sepse kjo është një çështje shumë e rëndësishme për të.

“Numri 65”

Prindërit e Littlechildit gjithashtu ishin të mbijetuar nga shkolla rezidenciale. Trauma që kishin marrë aty, i kishte bërë ata të paaftë për të rritur fëmijët e tyre, prandaj Littlechild jetoi me gjyshërit e tij prej të cilëve u mor kur ai ishte 6 vjeç dhe, sikur prindërit e tij, u detyra që të shkonte në shkollën rezidenciale.

Në shkollën rezidenciale të Ermineskinit ia kishin dhënë një uniformë dhe në vend të emrit të tij të vërtetë ai tani quhej “numri 65”.

“Unë i kam përjetuar të gjitha abuzimet për të cilat dëgjoni”, ka thënë ai. Shtatë motrat dhe katër vëllezërit e tij shkonin në po të njëjtën shkollë rezidenciale, por ata ishin si të huaj me njëri-tjetrin.

“Sa u përket emocioneve të dashurisë, apo thjesht emocioneve njerëzore, nuk ke pasur mundësi t’i përjetosh në këto institucione. Nuk ke pasur mundësinë që të përjetosh asnjë nga këto emocione. Për shembull, unë kam kaluar 11 vjet me vëllezërit dhe motrat e mia në atë ndërtesë, por unë nuk i njoh ata si motra dhe vëllezërit e mi. A kupton se çfarë po them? Nuk ka lidhje familjare mes nesh, por ne jemi duke punuar në atë aspekt”, tregon ai i pikëlluar.

“Burgu i fëmijëve”

Teksa ai shfleton albumin e fotografive bardhezi, i cili është albumi i Shkollës Rezidenciale të Ermineskinit i viteve të 1950, thotë: “A e shikon këtë? (duke drejtuar gishtin e tij drejt një gardhi me tela para shkollës), njerëzit gjithmonë më pyesin pse thjesht nuk e ke kapërcyer gardhin, por ajo çfarë njerëzit nuk e dinë është se ky ishte gardh elektrik. Në këtë mënyrë ata na mbanin brenda mua dhe shokët e mi. Kur e shikon këtë foto duket si kompleks banesor, por është si burg për fëmijët”.

Image

Ai e përshkruan se si kishte gjetur një mënyrë për të kapërcyer gardhin elektrik dhe se si çdo natë shkonte për vrapim. Atletika, për të cilën thotë se ia shpëtoi jetën, nuk ishte gjëja e vetme për të cilën ai shquhej. Littlechild ka luajtur sporte të ndryshme dhe ishte i zoti edhe në art. Gjithashtu ishte student nderi dhe kishte fituar çmime të ndryshme akademike dhe çmime në sport. Hokeji ishte pasioni i tij i vërtetë dhe ky sport e kishte ndihmuar që t’u mbijetonte tmerreve që kishte përjetuar në shkollën rezidenciale.

Kur e la shkollën, Littlechild kishte studiuar edukimin fizik dhe pastaj drejtësinë, por ai ende kishte ambicie që të bëhej lojtar profesional i hokejit. Mirëpo kjo ëndërr dështoi kur ai theu këmbën në të 20-at e tij. Kështu ai u fokusua që të bëhej avokat.

Edhe Papa Françesku në Kanada për të kërkuar falje për abuzimin e fëmijëve në shkollat ​​katolike Botë Papa Françesku në Kanada për të kërkuar falje për abuzimin e fëmijëve në shkollat ​​katolike

“6500 historitë e abuzimit”

Përmes karrierës së tij ai mbërriti të OKB-ja si pjesëtar i një delegacioni që ndihmoi në shkrimin e Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Popullit Indigjen. Karriera e tij e shtyu atë që të merrej edhe me politikë nga viti 1988 deri në vitin 1993, ku shërbeu si anëtar i Parlamentit. Në vitin 1993 iu dha çmimi “Urdhri i Kanadasë”.

Littlechild ishte në Dhoma e Komunave në Otavë në qershor të vitit 2008 kur kryeministri kanadez, Sephen Harper, u kërkoi falje të mbijetuarve të shkollave rezidenciale dhe të gjithë popullit indigjen në Kanada në emër të Qeverisë kanadeze. Littlechild thotë se kishte shkuar dhe e kishte falënderuar Harperin më pas.

Në të njëjtin vit, Qeveria kishte krijuar Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit (TRC) për të dokumentuar trashëgiminë e shkollave rezidenciale dhe për t’i dëgjuar zërat e atyre që ishin prekur nga abuzimi në këto shkolla. Littlechild u bë komisionar për TRC-në dhe udhëtoi në të gjithë shtetin duke dëgjuar historitë e më shumë se 6500 njerëzve të cilët kishin pranuar të ndanin përjetimet e tyre. Në dhjetor të vitit 2015, TRC-ja publikoi raportin final me 94 “thirrjet për veprim” mbi pajtimin midis kanadezëve dhe popujve indigjenë.

“Kur kishin kërkuar nga unë që të bëhem komisionar, fillimisht nuk desha të pranoja, sepse shkolla rezidenciale kishte ndikuar shumë tek unë emocionalisht. Por tani jam shumë falënderues që e kam bërë këtë”, ka thënë Littlechild.

Atij i kujtohet se si të mbijetuarit vazhdimisht donin t’i dëgjonin kërkimfaljet nga Kisha Katolike.

“Shumë herë kemi dëgjuar njerëzit, të cilët po vuanin dhe ishin të nevrikosur, të thoshin ‘krejt çka dëshirojmë është një kërkimfalje. Duam të na thonë se ju vjen keq për të gjitha ato gjëra që na kanë shkaktuar’. Kërkimfalja jep mundësinë për të falur dhe kjo gjë është pjesë e shërimit shpirtëror. Mendoj se shumë njerëz kanë shëruar veten e tyre, por ne ende kemi një pjesë që na mungon”, ka shtuar ai.

“Ata duan t’i dëgjojnë kërkimfaljet”

Vite më parë Littlechild kishte marrë pjesë në një ceremoni riatdhesimi për 16 fëmijë të cilët kishin vdekur në shkollat rezidenciale në Red Deer të Albertës. Fëmijët ishin varrosur në mënyrë tradicionale dhe u nderuan me festa ceremoniale të cilat u mbajtën gjatë katër vjetëve. Hiri i të vdekurve u vendos në arka druri dhe u transportua te varrezat. Shumica prej tyre nuk kishin as emra me të cilët do të varroseshin.

Littlechild kishte dalë vullnetar për të mbajtur një kuti me hirin e një 6-vjeçari dhe thotë: “Nuk kishte emër, por unë e mbajta, sepse ishte në të njëjtën moshë me mua kur unë hyra në shkollën rezidenciale. Mund të isha në vendin e tij”, pastaj ai vendos dy duart në zemrën e tij dhe merr frymë thellë.

Verën e kaluar mijëra varre pa emra të fëmijëve, të cilët kishin vdekur në shkollat rezidenciale, u gjetën. Ndërsa kërkimi për varret e tjera ende vazhdon. Littlechild ndihmoi vullnetarisht në kërkimin e territoreve të mëparshme të Shkollës Rezidenciale të Ermineskinit.

Edhe Tmerret e së kaluarës brutale të Kanadasë Botë Tmerret e së kaluarës brutale të Kanadasë

Vjeshtën e kaluar, pavarësisht moshës së tij, Littlechild ndihmoi kërkimin e të pagjeturve pranë varrezave zyrtare të komunitetit. Derisa e bëri këtë, iu kthyen kujtimet e kohës në shkollë. Edhe pse ishte përvojë e vështirë, u ndie i detyruar të merrte pjesë. “Unë shpresoja dhe i lutesha Zotit të mos gjeja asnjë fëmijë që ishte varrosur këtu”, ka thënë ai.

Përktheu: Marigona Avdimetaj