Rreshta me këpucë janë krijuar në shkallën e galerisë më të madhe të arteve në Vankuvër, në shenjë nderimi për 215 fëmijë, eshtrat e të cilëve janë gjetur në zonën e një shkolle të dikurshme për fëmijët indigjenë në Kanada.
Shumë njerëz janë mbledhur, duke brohoritur dhe rënë daulleve në homazhet për fëmijët. Mbetjet mortore ishin të 215 fëmijëve, në mesin e të cilëve kishte edhe trevjeçarë. Kufomat ishin varrosur në oborrin e asaj që dikur njihej si shkolla më e madhe indigjene e Kanadasë. Ishte një prej institucioneve që kujdesej për fëmijët që u ishin marrë familjeve në mbarë vendin.
Prej vitit 1863 deri më 1998, më shumë se 150 mijë fëmijë indigjenë u morën nga familjet dhe u mbyllën në këto shkolla. Nxënësve nuk u lejohej përdorimi i gjuhës dhe kulturës amtare. Në të shumtën e rasteve keqtrajtoheshin dhe abuzoheshin nga drejtuesit e shkollës.
Një hetim i vitit 2008 dokumentoi ndikimin e këtij sistemi. Zbuloi se një numër i madh i fëmijëve indigjenë kurrë nuk u kthyen në shtëpitë e tyre. Në një raport faktues të vitit 2015, ishte konstatuar se me ligj u bë “gjenocidi kulturor” ndaj indigjenëve në Kanada. Në vitin 2008, Qeveria kanadeze zyrtarisht kërkoi falje për sistemin.
“The Missing Children Project” dokumentoi vdekjet dhe varret e fëmijëve që vdiqën gjatë mësimeve në këtë shkollë. Deri në ditët e sotme, janë identifikuar më shumë se 4 mijë e 100 fëmijë të vdekur.