Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe 10 të tjerë janë lënduar pasi një veturë ka përplasur një grup njerëzish pranë një stacioni treni në Caen, në veri të Francës.
“Një veturë është përplasur qëllimisht me këmbësorët përballë stacionit”, u ka thënë gazetarëve prefekti lokal David Claviere, duke shtuar se shtatë prej të lënduarve ndodhen në gjendje kritike.
Një burrë është arrestuar më vonë, pasi autoritetet ndërmorën një operacion të madh emergjent në rajonin më të gjerë të Normandisë.
Kryetari i bashkisë së Caen, Aristide Olivier, ka thënë se hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë e kishte shtyrë shoferin të vepronte në atë mënyrë. Dëshmitarët kanë thënë se para incidentit kishte shpërthyer një përleshje mes dy grupeve.
“Për momentin, nuk kemi të bëjmë me një motiv terrorist, por hetimi sapo ka filluar”, ka thënë Bruno Coutanceau, një zyrtar i lartë i sigurisë në Caen.
Të gjitha viktimat duket se janë burra të moshës nga 17 deri në 40 vjeç, ka thënë ai për AFP.
Edhe
Dy të vdekur pasi një veturë goditi turmën në Leipzig
I dyshuari, një 26-vjeçar i lindur në Rusi, është arrestuar më vonë rreth 20 kilometra larg, në qytetin port të Ouistreham.
Kryetari i bashkisë së Caen ka thënë më vonë për mediat lokale se vetura e tij ishte gjurmuar përmes rrjetit të kamerave të sigurisë së qytetit.
Shërbimet e inteligjencës dhe policia kishin dijeni për të “vetëm për shkelje të rregullave të qarkullimit”, ka thënë Claviere.