Botë

Të paktën 9 të vdekur nga një sulm me bombë në Somali

Një sulm vetëvrasës me bombë i cili kishte për cak një veturë zyrtare qeveritare, ka eksploduar në një kryqëzim shumë të frekuentuar në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu.

Të paktën nëntë persona kanë vdekur e tetë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmit, kanë bërë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Karavani qeveritar i cili ishte i targetuar nga sulmi po barte zyrtarin e lartë të Policisë, Farhan Mohamud, i cili ka shpëtuar.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi Al-Shabaab, i cili dëshiron që të përmbysë qeverinë dhe të imponojë interpretimin e saj të rreptë të ligjit Islamik të Sheriatit.

Ky grup i cili është i lidhur me al-Qaidan e ka luftuar qeverinë federale të Somalisë që nga viti 2007 ndërkohë që ka realizuar edhe një sërë sulmesh kundër forcave të sigurisë, qeverisë dhe civilëve.

Sulmi i së shtunës është i dyti me radhë këtë muaj. Një shpërthim i cili kishte cak një dyqan të çajit në fillim të korrikut, kishte lënë të vdekur të paktën 10 persona. Ndërkohë që, muajin e kaluar, një sulm me bombë në bazën ushtarake në Mogadishu, ka lënë të vdekur të paktën 15 persona.