Shirat e dendura dhe përmbytjet që pasuan në zonat qendrore dhe lindore të Kubës, gjatë 48 orëve të fundit, kanë lënë të paktën një person të vdekur dhe kanë bërë që mijëra të evakuohen nga shtëpitë e tyre, raporton agjencia AP. Dëme ka pasur edhe në infrastrukturë dhe kultura bujqësore.
Instituti i Meteorologjisë i ishullit ka njoftuar se një rrjedhë ajri e lagësht nga jugu ka shkaktuar rrebeshe dhe stuhi. Mediat zyrtare kanë raportuar për akumulime të konsiderueshme shiu, duke kaluar 200 milimetra në disa lokalitete. Punonjësit e shpëtimit i kanë ndihmuar njerëzit e bllokuar në një bazë kampingu pasi edhe lumi Jobabo u përmbyt. Në disa provinca, shërbimet e autobusëve dhe trenave ndërkrahinorë u pezulluan dhe stuhitë lanë shumicën e qyteteve pa energji elektrike.