Botë

Të paktën 14 të vdekur nga përmbytjet në Korenë e Jugut

permbytje

Të paktën 14 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut për disa ditë me radhë në Korenë e Jugut, ka shkruar BBC.

Pothuajse 10,000 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre që kur reshjet filluan të mërkurën, ndërsa mbi 41,000 familje kanë mbetur përkohësisht pa energji elektrike, sipas mediave lokale.

Mijëra rrugë e ndërtesa janë dëmtuar dhe përmbytur nga ujërat e rrëmbyeshme, teksa ka raportime për dëme në toka bujqësore dhe vdekje masive të bagëtive.

Pjesa më e madhe e shkatërrimit ka ndodhur në pjesën jugore të vendit, ku gjashtë persona kanë humbur jetën dhe shtatë të tjerë kanë rezultuar të zhdukur në qarkun Sancheong.

Ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet përderisa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë.

Krahas kësaj, numri i përgjithshëm i personave të zhdukur ka shkuar në 12.

Shiu është zbutur kryesisht në zonat më të goditura në jug dhe në qendër të vendit, ndonëse parashikohen reshje të tjera të dielën në kryeqytetin Seul dhe në rajonet veriore të vendit.