Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Reshjet e jashtëzakonshme në Japoni lënë tetë të vdekur

japoni

Të paktën tetë persona kanë vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar në lindje të Japonisë, pasi reshje rekord kanë goditur prefekturën Çiba, pranë kryeqytetit Tokio. Autoritetet i kanë cilësuar reshjet si të jashtëzakonshme, raporton BBC.

Ato kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu, ndërsa më shumë se 20 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Rreth 7 mijë udhëtarë kaluan natën në aeroportin Narita të Tokios, pasi u bllokuan për shkak të motit të lig.

Të enjten, autoritetet vendosën nivelin më të lartë të alarmit, nivelin pesë, për shkak të rrezikut të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut. Të premten në mëngjes, alarmi u ul në nivelin katër, por paralajmërimet për rreziqet mbeten në fuqi.

Prefektura Çiba ka regjistruar më shumë se 100 milimetra shi në orë që nga pasditja e së enjtes.  Sipas autoriteteve, kjo është rreth tre herë më shumë se sasia mesatare e reshjeve për muajin gusht dhe përbën sasinë më të madhe të reshjeve të regjistruar ndonjëherë në Japoni.

Guvernatori i Çibës, Toshihito Kumagai, e përshkroi situatën si jashtëzakonisht të pazakontë, edhe sipas standardeve të motit ekstrem në Japoni.

Edhe Ceuta e Fnideqi, dy qytete me një histori të ndërlikuar Botë Ceuta e Fnideqi, dy qytete me një histori të ndërlikuar

“Kam përballuar shumë fatkeqësi në të kaluarën, por nuk kam përjetuar kurrë një situatë të tillë”, tha ai të premten.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se reshjet e dendura u shkaktuan nga masa ajrore e ngrohtë dhe e lagësht që u zhvendos drejt lindjes së vendit dhe u përplas me ajër të ftohtë në lartësi, duke krijuar kushte jashtëzakonisht të paqëndrueshme atmosferike.

Reshjet pritet të vazhdojnë deri të premten në mbrëmje.

Disa shërbime hekurudhore vijojnë të jenë të pezulluara, ndërsa disa nga autostradat kryesore janë mbyllur.

Të enjten, më shumë se 100 mijë familjeve iu kërkua të evakuoheshin për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike.

Në aeroportin Narita, fluturimet e së premtes pritet të zhvillohen normalisht. Kompania ajrore Japan Airlines paralajmëroi se disa fluturime mund të kenë vonesa, por nuk priten anulime.

Ndërkohë, shumë pasagjerë mbetën të bllokuar në stacionet e metrosë, ndërsa rreth 1.800 persona kaluan natën në ndërtesën qeveritare të prefekturës Çiba.

Reshjet e dendura vijnë pas një serie stuhish që kanë përfshirë Japoninë dhe vendet fqinje gjatë kësaj jave, në një sezon tajfunesh që parashikohet të jetë veçanërisht aktiv.

Edhe Ambasadori francez dyshohet se priti rreth 30 gra në rezidencën diplomatike Botë Ambasadori francez dyshohet se priti rreth 30 gra në rezidencën diplomatike

Në fillim të kësaj jave, Japonia, Filipinet dhe Kina u goditën njëra pas tjetrës nga stuhitë Dolphin, Chan-Hom dhe Peilou, të cilat kaluan në të njëjtën kohë nëpër rajon.