Të paktën 22 fëmijë kanë mbetur të vrarë në Gaza gjatë natës të së martës dhe të mërkurën herët, në një seri të sulmeve ajrore izraelite mbi shtëpitë në Gazën veriore, sipas spitaleve lokale.
Sulmet kanë vrarë 48 njerëz në total, ka njoftuar Spitali Indonezian në Jabaliya. Sulmet erdhën një ditë pasi Hamasi liroi një peng izraelito-amerikan në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe teksa presidenti, Donald Trump po qëndron për vizitë në shtetet e Gjirit, raporton AP.
Të martën, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se "nuk ka asnjë mënyrë" që Izraeli të ndalë luftën e tij në Gaza pa shpërbërjen e Hamasit, duke zbehur shpresat për një armëpushim.
Ushtria izraelite kishte paralajmëruar banorët e Jabaliya që të evakuoheshin vonë të martën mbrëma për shkak të infrastrukturës së Hamasit në zonë, duke përfshirë raketat.
Në komentet e lëshuara nga zyra e Netanyahut të martën, kryeministri ka thënë se forcat izraelite janë vetëm disa ditë larg zgjerimit të ofensivës ushtarake të paralajmëruar dhe se do të hynin në Gaza "me forcë të madhe për të përfunduar misionin...”.
Lufta në Gaza filloi kur militantët e udhëhequr nga Hamasi vranë 1.200 njerëz në vitin 2023 në Izraelin jugor. Ofensiva hakmarrëse e Izraelit ka vrarë mbi 52,800 palestinezë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës.
Ofensiva e Izraelit ka zhdukur një pjesë të madhe të peizazhit urban të Gazës dhe ka zhvendosur 90% të popullsisë.