Një foto e një prej punëtorëve, i cili u shpëtua pas shembjes së tunelit pas 17 ditësh, duke u puthur nga babai i tij, ka fituar shumë zemra në Indi.
Manjit Chaudhary ishte mes 41 punëtorëve që u bllokuan në tunel që nga 12 nëntori pas një rrëshqitjeje dheu.
Chaudhary, 50 vjeç, i cili mban vetëm një emër, kishte udhëtuar 600 km nga fshati në Lakhimpur Kheri, Uttar Pradesh, për të qenë më afër djalit të tij.
Të martën, ai po priste ndërsa shpëtimtarët nxorën jashtë djalin e tij.
Punëtorët u ngujuan në tunelin Silkyara në shtetin Uttarakhand ndërsa po punonin për ndërtimin e tij. Një grumbull i madh mbeturinash - plot me gurë dhe objekte metalike - bllokoi rrugën e daljes së tyre, duke i penguar të dilnin nga tuneli.
Zyrtarët e shpëtimit vendosën shpejt kontakte me punëtorët dhe filluan t’i furnizonin me ushqim, oksigjen dhe ujë.
Megjithatë, u deshën pak më shumë se dy javë për të nxjerrë punëtorët nga tuneli. Operacioni i shpëtimit ishte i ndërlikuar dhe përfshinte përdorimin e ekskavatorëve, makinerive shpuese dhe shumë personel.
Kur burrat më në fund dolën nga tuneli të martën në mbrëmje, miqtë, kolegët dhe anëtarët e familjes së tyre u mbushën me gëzim.
Chaudhary, i cili kishte humbur një nga djemtë e tij në një aksident ndërtimi në Mumbai më parë, ishte në mesin e atyre që prisnin jashtë tunelit për ta mirëpritur djalin e tij.
Sapo pa Manjitin, e tërhoqi, e përqafoi dhe i dha një puthje. Ky moment prekës u kap nga fotografët dhe që atëherë është bërë viral në internet.
Chaudhary i tha BBC-së se të shihte djalin e tij të dilte shëndoshë e mirë nga tuneli, ishte “asgjë më pak se një mrekulli”.
“Ëndrrat e mia më në fund u realizuan. Zoti i pranoi lutjet e mia dhe na e dorëzoi djalin tim të sigurt”, ka theksuar ai.
Chaudhary ka thënë gjithashtu se ai e bekoi djalin e tij me një jetë të gjatë pasi Manjit i preku këmbët - një gjest respekti për pleqtë e familjes në Indi.
“I thashë se nuk dua ta shoh të hyjë në një tunel tjetër, por të shohim, mund të insistojë të kthehet”, u shpreh ai dhe shtoi se nëse nuk do të ishte djali i tij, djali i dikujt tjetër do të duhej ta bënte këtë punë me rrezik.
Chaudhary i kishte thënë më herët BBC-së se ai kishte lënë peng bizhuteritë e gruas së tij për të mbledhur fonde për të udhëtuar në shtetin Uttarakhand.
Gruaja e tij ka thënë ishte e shkatërruar kur dëgjoi për aksidentin.
Në Diwali, festivali hindu i dritave që u festua më 12 nëntor të këtij viti, ajo ka thënë se shtëpia e saj ishte në errësirë pasi ishte e shqetësuar për të birin.
“Unë kisha humbur tashmë një djalë në një aksident ndërtimi, nuk doja të humbja një tjetër”, ka thënë ajo, duke shtuar se familja tani do të festonte Diwali pasi Manjit ishte shpëtuar i sigurt.
Teksa ishin ende të bllokuar në tunel, punëtorët mund të bënin biseda të shkurtra me anëtarët e familjes në radiot e dyanshme që dërgoheshin përmes tubave të futur në mbeturina.
“Manjit fillonte të më tregonte për tunelin dhe kjo më shqetësonte, kështu që ai ndryshonte temën për ta ndrequr humorin”, ka treguar nëna e tij.
Përktheu: Blerta Haxhiu