Piloti indian i avionit të kompanisë “FlyDubai”, i cili u sulmua nga bashkëpiloti dhe hapi derën e kabinës për t’i lejuar të tjerët të hynin, ka thënë se ishte i vendosur të mos lejonte që pasagjerët të vdisnin.
Kapiteni Smit Machchhar tregoi se ishte në dysheme dhe ende po sulmohej, kur kuptoi se avioni, me më shumë se 170 pasagjerë në bord, po rrëzohej me shpejtësi dhe se duhej të vepronte.
“Isha i shtrirë në dysheme, i plagosur, por i thashë vetes të bëja edhe një përpjekje të fundit për ta hapur derën nga brenda”, tha ai gjatë një video-telefonate me kryeministrin indian, Narendra Modi, raporton BBC.
“Pastaj hynë edhe të tjerë dhe ndihmuan për ta kontrolluar situatën. Natyrisht, po luftoja për jetën time, por në të njëjtën kohë e dija se nuk do të lejoja që të tjerët të vdisnin”, shtoi piloti.
Avioni i “FlyDubai”, që kryente fluturimin FZ1073 nga Dubai drejt Tel Avivit, u ul me më shumë se 5 mijë e 200 metra, rreth dy orë e gjysmë pas nisjes, të mërkurën në mëngjes.
Fillimisht, ekuipazhi dërgoi sinjal emergjence te kontrollorët e trafikut ajror, ndërsa më pas avioni kaloi në kodin 7500, i cili përdoret për të treguar një sulm të mundshëm.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më vonë se bashkëpiloti e kishte sulmuar me thikë pilotin dhe më pas, sipas tij, dyshohet se ishte përpjekur ta rrëzonte avionin.
Pasi pasagjerët arritën ta neutralizonin sulmuesin, dy pilotë rezervë, të cilët ndodheshin në avion si pasagjerë, e ulën në mënyrë të sigurt avionin në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite, në orën 06:58 sipas kohës lokale.
Machchhar, të cilin Netanyahu e ka cilësuar si “një hero të vërtetë”, u dërgua fillimisht në spital në Tabuk dhe më pas u transportua me avion drejt Abu Dhabit. Sipas raportimeve, gjendja e tij është e qëndrueshme.
Ai i tha Modit se kishte 17 vjet që drejtonte avionë dhe se mund ta kuptonte se çfarë po ndodhte me avionin “edhe me sytë mbyllur”.
Pas publikimit të identitetit të tij, në rrjetet sociale në Indi janë publikuar shumë mesazhe lavdërimi për pilotin.
Modi i tha atij se guximi, durimi dhe vendimmarrja e shpejtë kishin shpëtuar jetën e shumë njerëzve dhe se i gjithë vendi ishte krenar për të.
Ambasada indiane në Emiratet e Bashkuara Arabe tha të enjten se Machchhar ishte “në gjendje të mirë shëndetësore dhe po rikuperohet mirë”. Ambasadori Deepak Mittal tha se ishte “krenar për kapitenin Smit për guximin e tij” dhe se ishte “shumë i lehtësuar” pasi u takua me të.
“Unë nuk po e shoh këtë plagë thjesht si një plagë, sepse kjo do ta bënte edhe më të vështirë rikuperimin tim”, tha Machchhar.
“Po e shoh si një rrugëtim që po vazhdon ngadalë dhe që do të marrë kohë, por jam i bindur se do të shërohem dhe do të jem përsëri i aftë dhe në gjendje të mirë shëndetësore”, shtoi ai.