Presidenti i Sri-Lankas, Gotabaya Rajapaksa, ka ikur drejt Maldiveve me një aeroplan luftarak pak orë para kohës kur ishte paraparë të dorëhiqej.
Lëvizja vjen disa ditë pas skenave të jashtëzakonshme në pallatin dhe zyrën presidenciale, që u mbushën me protestues anti-qeveri.
Forca ajrore ka konfirmuar se Rajapaksa, bashkëshortja e tij dhe dy roje, kanë udhëtuar me një aeroplan ushtarak në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, pasi shfrytëzoi fuqinë ekzekutive për t’ia mundësuar vetes arratisjen.
Në Maldive u pritën nga presidenti, Mohammad Nasheed, dhe bashkëshortja e tij. Besohet se Rajapaksa planifikon të ikën drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
Deri në kohën e largimit, presidenti s’kishte nënshkruar ende letrën e dorëheqjes.
Edhe
Presidenti i Sri-Lankës ndalet në Singapor
Protestuesit anti-Qeveri i kanë dhënë afat deri në mesditë për t’u dorëhequr, duke kërcënuar me përshkallëzim të mëtejmë.
Para se të ikte, Rajapaksa dështoi në disa tentime që të largohej nga vendi. Fillimisht atij iu bllokua një udhëtim drejt Dubait të hënën në mbrëmje, ndërsa India ia refuzoi lejen për udhëtim.
Atij i ishte dhënë afat deri më 13 korrik për dorëheqje.
Përderisa ngel president, Rajapaksa ka imunitet nga arrestimi. Shumë protestues e aktivistë kanë bërë thirrje që ai të gjykohet bashkë me disa familjarë për akuza për korrupsion në dy dekada pushtet në Sri-Lanka.
Gotabaya Rajapaksa, që u zgjodh më 2019, u ka rezistuar qe disa muaj thirrjeve për dorëheqje, përderisa Sri-Lanka thellohej në krizë financiare. Ai dhe pesë familjarët e tij me poste qeveritare akuzohen për korrupsion e keqmenaxhim ekonomik që çuan vendin drejt inflacionit në vlera rekorde. Sipas Kombeve të Bashkuara, ishulli me 22 milionë banorë po përballet me krizë humanitare.
Edhe
Presidenti i Sri-Lankës ik në Maldive, krizën ia lë kryeministrit
Në fundjavë, ai njoftoi se do të dorëhiqet këtë javë, pasi qindra-mijëra protestues i hynë në pallat e zyrë. Ata kërkuan edhe dorëheqjen e kryeministrit Ranil Wickremesinghe. Sipas Kushtetutës, nëse Rajapaksa dorëhiqet, Wickremesinghe ia zë vendin automatikisht. Megjithatë, edhe kryeministri është pajtuar të dorëhiqet sapo që të formohet një qeveri e re.
Partitë opozitare kanë thënë se janë pajtuar për një qeveri të unitetit, por s’është bërë e ditur kush do të jetë kryeministër. Nëse Rajapaksa dorëhiqet sipas planifikimit, deri më 20 korrik pritet të votohet për presidentin e ri.