Botë

Si qëndroi i lirë bosi i “Cosa Nostras”

Vrasjet e Falcones dhe Borsellinos u urdhëruan nga bosi i atëhershëm i bosëve, Salvatore “Toto” Riina, i cili u arrestua më 1993 dhe kishte futur Messina Denaron në organizatën mafioze “Cosa Nostra” vite më parë. Riina u kap nga përgjimet duke shprehur admirimin e tij për kriminelin riosh, veçanërisht se si nuk e kishte problem t’i vriste kalimtarët e pafajshëm në vend që të fokusohej vetëm në vrasjet për hakmarrje

Arrestimi i bosit të “Cosa Nostras”, Matteo Messina Denaro, në klinikën private në Palermo gjatë së hënës, la të shtangur shumë njerëz për shkak të kohës së gjatë që kishte qëndruar në arrati. Mirëpo nuk u befasuan ata që nga afër dinin gjithçka për mafien.

Pëshpëritjet për shëndetin e tij të brishtë kishin qarkulluar nëpër Sicili në muajt e fundit. Kishte thashetheme se ekzistonte marrëveshja që ai të dilte nga nëntoka për trajtim më të mirë kundër kancerit. Kur policët e pyetën për emrin, ai vendosi që të mos përdorte nofkën, Andrea Bonafede, ka bërë të ditur prokurori Maurizio de Lucia.

“Unë jam Matteo Messina Denaro”, tha ai – kjo me gjasë ishte hera e parë që përmendi emrin e tij në këto 30 vjet të arratisë.

Messina Denaro, i cili po mbahet në burgun e sigurisë së lart në L’Aquila në pjesën qendrore të Italisë, nuk është paraqitur në seancën dëgjimore të enjten – në lidhje me vrasjen e prokurorëve kundër mafies, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino – duke shtyrë avokatët që të merrnin pjesë në emër të tij.

Messina Denaro, i njohur me nofkën “Djallëzori”, nuk u pa me sy që prej vitit 1993, vetëm një vit pas vrasjeve me bomba të prokurorëve Falcone e Borsellino. Në mungesë të tij, gjykata e kishte dënuar me burgim të përjetshëm në majin e vitit 2002 për përfshirjen në vrasjen e tyre, mirëpo tash pas arrestimit, rasti do të nis në gjykatat më të larta italiane.

Po atë vit ai ishte dënuar për vrasjen e 12-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, i biri i një tradhtari, dhe për vrasjen e Antonella Bonannos, të dashurës shtatzënë të një bosi rival. Të dy rastet do të dalin para gjykatave të larta tani kur ai është arrestuar.

Pas arrestimit, policia ka gjetur dy vende të fshehjes në qytetin sicilian Campobello di Mazara. Këtu besohet se ka jetuar në muajt e fundit. Vendet e fshehjes ishin në zemër të qytetit. Në këto vende policia ka gjetur veshmbathje dhe parfume shumë të shtrenjtë. Vendi tjetër i fshehjes ishte një bunker prapa derës së fshehur.

Detajet tjera do të publikohet më vonë nga policia, e cila ka konfirmuar se personi më i kërkuar në Itali vazhdimisht kishte blerë gjësende në dyqan dhe fqinjët e kanë përshkruar si person shumë miqësor.

Të enjten, Giovanni Luppino, prodhues i vajit të ullirit, i cili dyshohet se e shoqëroi në klinikën e Palermos në të cilën ai u arrestua, ka thënë para gjykatës se nuk e kishte idenë se personi që ishte bërë mik i ngushtë në fakt ishte bosi i arratisur i mafies. Messina Denaro mbetet në paraburgim duke pritur gjykimin për përfshirje në mafia. Policia është duke hetuar edhe doktorët që kujdeseshin për shëndetin e tij.

Lidhja e fundit me “Cosa Nostran”

Vrasjet e Falcones dhe Borsellinos u urdhëruan nga bosi i atëhershëm i bosëve, Salvatore “Toto” Riina, i cili u arrestua në 1993 dhe kishte futur Messina Denaro në organizatën mafioze Cosa Nostra vite më parë. Riina u kap nga përgjimet duke shprehur admirimin e tij për kriminelin riosh, veçanërisht se si nuk e kishte problem të vriste kalimtarët e pafajshëm në vend që të fokusohej vetëm në vrasjet për hakmarrje.

Riina vdiq në spitalin e burgut në Parma në vitin 2017 për probleme të paspecifikuara shëndetësore, duke i dhënë fund përfundimisht mbretërimit të tij. Ai ishte në gjendje kome të shkaktuar nga mjekësia në atë kohë. Mario Francese, gazetar krimi që ekspozoi për herë të parë Riinën në shkrimin e tij për gazetën Giornale di Sicilia, u vra në vitin 1979. Në vitin 2001, Cosa Nostra u shpall fajtor për vrasjen e tij, me Riina dhe pasardhësin e tij Bernardo Provenzano të dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit.

Gjatë kohës së tij, Messina Denaro punoi ngushtë nën Provenzanon, i cili mori rolin e Riinas si shefi i jashtëm deri në kapjen e tij në 2006 në një strehë pranë Corleones. Provenzano vdiq nga kanceri i fshikëzës në spitalin e burgut të Milanos në vitin 2016, duke udhëhequr rrugën që Messina Denaro të konsiderohej shefi i lartë i mafies.

Felia Allum, profesoreshë për krimin e organizuar dhe korrupsionit në Universitetin e Bath në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se Messina Denaro – e cila ka lindur në vitin 1962 – ishte e fundit e një brezi të vjetër bosësh mafioz.

“Ai përfaqëson lidhjen përfundimtare midis Cosa Nostra-s hakmarrëse të fillimit të viteve 1990 dhe mafies së heshtur, të ngjashme me biznesin e shekullit të 21-të”, thotë. Profesoresha gjithashtu thekson se arrestimi i Messina Denaro nuk është fundi i mafies. “Unë nuk shoh fundin, nëse nuk e dimë se kush e mbrojti atë, nëse ai nuk bashkëpunon”, thotë ajo.

Sipas Roberto Saviano, autor i librit më të shitur "Gomorrah", për grupin e krimit napolitan Camorra, ia vlen të merren parasysh thashethemet për një marrëveshje, ose “pakt” midis shtetit dhe Cosa Nostras për të nxjerrë Messina Denaro nga fshehja.

“Gjithmonë thuhet se mafia është antishtet, ky është gabim. Mafia është aleate me një pjesë të shtetit, ndërsa një pjesë tjetër po e lufton atë”, thotë ai duke folur në kanalin e tij në YouTube. “Në këtë lojë të forcave, Matteo Messina Denaro, u arrestua”.

Saviano në një deklaratë për CNN-in ka thënë se kishte një arsye tjetër që u deshën 30 vjet për ta gjetur Messina Denaron. “Filluan ta kërkonin atë vetëm pas 20 vjetësh”, thotë ai.

Fuqi në rënie

John Dickie, profesor i Studimeve Italiane në Kolegjin Universitar Britanik në Londër dhe autor i “Cosa Nostra”, ka pikëpamje të ndryshme, duke i thënë CNN-it se në kishte shumë për të sugjeruar se nuk u arrit një pakt, por në vend të kësaj Messina Denaro nuk kishte më pushtetin e dikurshëm, duke u bërë person pak i vlefshëm për t’u mbrojtur.

Gjatë dekadës së kaluar, miliarda pasuri me vlerë miliarda euro u sekuestruan nga aleatët e tij më të ngushtë dhe anëtarët e familjes ishin bastisur, duke dobësuar fuqinë e tij dhe aftësinë për t'u mbrojtur, thotë ai.

‘Rrjeti i tij është krasitur gjatë viteve dhe mafia është dobësuar nga arrestimet”, thotë Dickie. “Mafia ishte ndryshe 30 vjet më parë, ishte shumë më e fortë”.

Duke arrestuar pjesën më të madhe të familjes së Messina Denaros dhe duke e mbajtur pjesën tjetër nën vëzhgim, kishte të ngjarë që ata të kishin hyrë në shtëpi kundër tij, thotë ai. “Rëndësia e tij është simbolike”, thotë Dickie për CNN-in. “Kur ai fshihej, ishte një reklamë e gjallë për fuqinë e Cosa Nostras, por ai nuk e kishte atë fuqi tani”.

Pavarësisht nëse ishte rezultat i një pakti apo vërtet fryt i tre dekadave të hetimit, arrestimi u duartrokit nga ata që u lënduan më shumë nga dora vdekjeprurëse e mafies.

Maria Falcone, motra e prokurorit të vrarë, duartrokiti arrestimin e Messina Denaro. “Oh, sa do të doja që Giovanni dhe Paolo të shihnin duartrokitjet dhe duart e ngritura të njerëzve të Palermos pas arrestimit”, thotë ajo për gazetën italiane Corriere Della Sera. “Është hap i madh drejt një demokracie të plotë”.

Giancarlo Caselli, ish-prokuror anti-mafia në Palermo dhe koleg i prokurorëve të vrarë, tha në një intervistë në Radio Popolare se arsyeja kryesore që Messina Denaro i shpëtoi kapjes për kohë kaq të gjatë ishte bashkëpunimi i atyre që e mbronin atë.

“Mafiozët nuk veprojnë në vakum. Ata janë brenda, të ndërthurur me një sistem marrëdhëniesh, bashkëfajtoresh, pa të cilat nuk mund të kryenin veprimtaritë e tyre kriminale, pa të cilat nuk mund të mbeteshin të arratisur”, thotë ai.

“Ata janë në marrëdhënie që përfshijnë profesionistë, sipërmarrës, administratorë publikë, politikanë, individë që mbështesin organizatën e tyre dhe formojnë të ashtuquajturën borgjezi mafioze, ose zonë gri”. Ai tha se është ajo zonë gri, "shtylla kurrizore e fuqisë mafioze", pa të cilën mafia nuk do të mbijetonte aq gjatë.

Froni i përgjysmuar

Mafia siciliane Cosa Nostra është e vetmja nga organizatat kriminale të Italisë që sundon përmes strukturës piramidale, që do të thotë se kur shefi i lartë vdes ose burgoset, një shef i ri i lartë ngrihet në pushtet – megjithëse Riina dhe Provenzano mbajtën njëfarë ndikimi edhe sa ishin në burg.

Camorra napolitane, fraksionet e së cilës themeluan Cosa Nostran në vitet 1800, së bashku me “Ndrangheta” në Kalabri, sundojnë në një hierarki horizontale me grupe të lidhura me familje ose territore, që do të thotë nëse një shef i lartë kapet ose vritet, organizata më e gjerë nuk dobësohet.

Mafiozët sicilianë të “Cosa Nostras” që emigruan në Shtetet e Bashkuara në fund të viteve 1800 ndërtuan mafian amerikane kryesisht në Nju Jork dhe Nju Orleans në momente të ndryshme të historisë, duke përfshirë fillimin e viteve 1900, mesin e viteve 1960 dhe fillimin e viteve 1970, kur grupet amerikane ishin më të forta. Ndërsa sot të gjitha grupet kryesore të krimit të Italisë janë zgjeruar ndërkombëtarisht, Cosa Nostra mbetet eksportuesi origjinal i botës së krimit të ashtuquajtur “malavita”.

Messina Denaro tani do të përballet me sërë gjyqesh penale. Ndonëse ai u gjykua në mungesë për një sërë akuzash, çështjet penale italiane kalojnë të gjitha në tre nivele, duke përfunduar me nënshkrimin e gjykatës së lartë. Kriminelët mund të gjykohen vetëm në mungesë në shkallën e parë, që do të thotë se rastet e tij tani do të kalojnë në gjyqe të apelit dhe të gjykatës së lartë.

Ai do të përfaqësohet nga mbesa e tij Lorenza Guttadauro, vajza e motrës së tij Rosalia, e cila kaloi ekuivalentin italian të provimit të jurisprudencës në vitin 2011. Seanca e radhës për çështjen e prokurorëve antimafia është caktuar për 9 mars.

Dhe kush është shefi i ri i shefave? Policia nuk ka emëruar asnjë pasardhës të dyshuar.

Por sipas mendimit të Savianos, Messina Denaro do të vazhdojë të sundojë derisa të vdesë, si Riina dhe Provenzano para tij.

“Nëse nuk vendos të pendohet, Matteo Messina Denaro, edhe i mbyllur, do të vazhdojë të jetë mbreti i ‘Cosa Nostras’, sepse askush nuk është gati të ulet në fronin që e la vetëm gjysmë bosh”, thotë ai.

Përktheu: Gent Mehmeti