Tentakulat e mafies shtrihen thellë në shoqërinë siciliane. Frika dhe kodi i vjetër i heshtjes janë ende të ngulitura. “Shoqata e stilit mafioz funksionon në një mënyrë shumë të thjeshtë: dhuna dhe frikësimi provokojnë një gjendje nënshtrimi dhe ‘omertà’ tek ata që janë të përfshirë”, tha Maurizio Bellacosa, avokat dhe profesor i drejtësisë në Universitetin LUISS në Romë. “Në thelb, mafia përdor frikën për t’i arritur qëllimet e saj”
Banorët e Palermos nuk mund ta dinin me siguri të plotë se kush ishte njeriu që po çohej në makinën e policisë.
Në fund të fundit, kishin kaluar 30 vjet që kur ishte parë për herë të fundit në publik.
Por mbi njëqind anëtarë të forcave të armatosura do të mblidheshin në rrugët e ngushta të Palermos atë mëngjes - dhe njerëzit e dinin vetëm se po kapej një kriminel që mund të shkaktonte atë alamet reagimi.
Matteo Messina Denaro – “bosi i bosëve”, i arratisuri i fundit – ishte kapur.
Shpërthyen duartrokitjet dhe brohoritjet. Dikush e goditi një polic; të tjerët hynë për një përqafim; disa kishin lot në sy. Të gjithë shkëlqenin.
Dekada e masakrave
Më vonë, Maria Falcone tha për mediat italiane se do të donte që vëllai i saj të kishte qenë dëshmitar i skenës.
Prokurori antimafia, Giovanni Falcone, u vra nga “Cosa Nostra” e Sicilisë, e kryesuar nga Messina Denaro, në vitin 1992. Ishte kulmi i "sezonit të masakrave" që kishte pllakosur Italinë në fillimvitet ‘90.
Në atë kohë, sindikata e krimit të organizuar e Messina Denaros po përpiqej, nëpërmjet një fushate të vazhdueshme vrasjeje që vrau më shumë se 20 njerëz, të detyronte shtetin të negocionte rreth regjimit të rëndë të burgut për bashkëpunëtorët e burgosur të mafias.
Messina Denaro dikur thuhet se mburrej se mund të “mbushte një varrezë” me viktimat e tij.
Ai ishte person i rëndësishëm në rrëmbimin dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteos në vitin 1993, djalit 11-vjeçar të një dëshmitari të kthyer në mafioz. Djali u mbajt në robëri për dy vjet para se të vritej; trupi i tij u tret në acid për të mos lejuar që familja ta varroste.
Messina Denaro urdhëroi gjithashtu vrasjen e një bosi rival të mafies dhe të dashurës së tij shtatzënë.
Për të u lëshua një urdhër-arresti. Më pas, në verën e vitit 1993, ai u zhduk pa lënë gjurmë. Vrojtimet e raportuara pretendonin se ishte parë kudo nga Venezuela në Holandë.
Por ishte në Palermo, zemra e atdheut të tij të Sicilisë, ku ai u kap.
Beteja e humbur
Këtë javë, pas arrestimit të tij, policia zbuloi tri streha në Campobello di Mazara, një fshat bregdetar 115 kilometra nga Palermo - dhe 10 kilometra nga vendlindja e tij Castelvetrano.
Campobello e qetë dhe e vogël nuk është vendi ku mund të imagjinohet të fshihesh shumë lehtë.
Jo se Messina Denaro duket se ka bërë jetën e një të jashtëligjshmi të fshehtë.
Duket se ishte një klient i rregullt i Bar San Vito; një fqinj tha se ata shpesh përshëndesnin njëri-tjetrin.
Është një imazh thellësisht në kundërshtim me kërkimin 30-vjeçar për mafiozin.
Italia investon sasi të mëdha burimesh në operacionet e saj antimafia - por rasti i Messina Denaros tregon se një kulturë e përputhshme e heshtjes mund të përbëjë ende goditje në betejën e shtetit kundër krimit të organizuar.
Fuqia e “kulturës mafioze”
Maurizio Bellacosa, avokat dhe profesor i drejtësisë në Universitetin LUISS në Romë, tha se Messina Denaro “përdori plotësisht kulturën mafioze” për të mbetur e pazbuluar.
Kultura mafioze funksionoi si një kombinim i elementeve të ndërthurura, tha Bellacosa. “Nga prania e përhapur e mafies në territor, në një bashkëpunim të pakët ose joekzistent me hetuesit nga shoqëria, në një kod të ngulitur heshtjeje, veçanërisht në qytete të vogla dhe periferi, ku shteti shpesh perceptohet si i munguar”, theksoi ai.
Kryetari i Campobellos, Giuseppe Castiglione, tha për mediat italiane se ishte "aq i dëshpëruar nga mendimi se Messina Denaro jetoi mes nesh për të paktën një vit - sepse tani e di që bashkëbanorët e mi zgjodhën të shkonin në rrugën e vetëkënaqësisë dhe të fusnin kokat në rërë”.
Tentakulat e mafies shtrihen thellë në shoqërinë siciliane. Frika dhe kodi i vjetër i heshtjes janë ende të ngulitura.
“Shoqata e stilit mafioz funksionon në një mënyrë shumë të thjeshtë: dhuna dhe frikësimi provokojnë një gjendje nënshtrimi dhe ‘omertà’ tek ata që janë të përfshirë”, tha Bellacosa.
“Në thelb, mafia përdor frikën për t’i arritur qëllimet e saj”.
“Borgjezia mafioze”
Në konferencën për shtyp të policisë pas arrestimit, prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, tha se Messina Denaro ka të ngjarë të ishte ndihmuar nga “borgjezia mafioze” - duke iu referuar profesionistëve, sipërmarrësve dhe politikanëve vendas.
Këtë e tregojnë arrestimet e kryera ndër vite të personave të cilësuar të afërt me Messina Denaron. Gazetari me bazë në Palermo, Tullio Filipponi, tha se këta ishin individë që "pranuan të jetonin dhe të bashkëpunonin me mafian, duke mbyllur një sy kur bashkëpunëtorët e mafias kanë nevojë për ekzaminime mjekësore, vlerësime ose menaxhim të pasurisë”.
Ky rrjet lokal u zbulua se po ndihmonte mafiozin duke pastruar paratë e tij, tha Filipponi, dhe ishte "ajo që e bën dallimin kulturalisht dhe çfarë duhet çrrënjosur".
“Çdo sicilian e di se mafia ekziston... dhe ajo ka fuqinë të ndikojë në shoqëri dhe të ushtrojë kontroll mbi territorin në mënyrë kapilare”.
Nëse Messina Denaro po bënte një jetë pensionisti, apo nëse ai ishte ende aktiv dhe i përfshirë në aktivitete kriminale është e paqartë dhe mund të rezultojë se arrestimi i tij spektakolar ishte pjesa e lehtë.
Përgatiti: Rexhep Maloku