Shtëpia e Bardhë ka thënë të hënën, se vlerësohet se që nga dhjetori Rusia ka pësuar afro 100 mijë viktima, përfshirë 20 mijë të vrarë, në luftën në Ukrainë, raporton agjencia Reuters.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Ukraina ka arritur të mbrohet nga një ofensivë e fuqishme ruse në javët e fundit.
Betejat më të ashpra janë zhvilluar në rajonin e Donetskut, ku Rusia ka tentuar ta rikthejë qytetin Bakhmut, por është përballë me rezistencë të fortë ukrainase.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpsië së Bardhë, John Kirby ka thënë se përllogaritjet e SHBA-së janë të bazuara në të dhënat e siguruara nga inteligjenca amerikane. Ai nuk ka treguar se si janë llogaritur këto shifra.
Në nëntor, gjenerali amerikan Mark Milley, kishte thënë se Rusia ka pësuar dukshëm mbi 100 mijë të vrarë apo të lënduar në tetë muajt e parë të luftës në Ukrainë.
Trupat nga grupi mercenar rus “Wagner” dhe forcat tjera janë duke luftuar në Ukrainë.
Kirby ka thënë se gjysma e të vrarëve që nga dhjetori janë të grupit Wagner, shumica të dënuar që janë liruar nga burgu për të luftuar në krah të Rusisë. Ai ka thënë se pjesëtarët e grupit Wagner "janë hedhur në fushëbetejë pa përvojë ushtarake apo stërvitje”.
Kirby ka thënë se shifrat e viktimave të Rusisë për “qytetin e vogël të Bakhmutit”, janë në vijë me disa prej betejat më të ashpra të Luftës së Dytë Botërore, përfshirë “Betejën e Bulges”, që ishte ofensiva e fundit e madhe gjermane në Frontin Perëndimor, apo me fushatën Guadalcanal, që ishte ofensiva e parë e madhe e forcave aleate kundër Japonisë.