Botë

SHBA-ja sekuestron një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, thotë Trumpi

Venezuela

Forcat amerikane kanë sekuestruar një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, ka thënë presidenti Donald Trump, duke shënuar një përshkallëzim në fushatën e presionit të Uashingtonit kundër qeverisë së Nicolas Maduro.

"Sapo kemi sekuestruar një anije cisternë në brigjet e Venezuelës - një anije cisternë e madhe, shumë e madhe, më e madhja e sekuestruar ndonjëherë në fakt”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi e cila ka publikuar një video të sekuestrimit, ka përshkruar anijen si një "anije cisternë nafte bruto të përdorur për të transportuar naftë të sanksionuar nga Venezuela dhe Irani".

Caracasi zyrtar e ka dënuar veprimin, duke e quajtur atë një akt "piraterie ndërkombëtare". Më parë, presidenti Maduro deklaroi se Venezuela nuk do të bëhej kurrë një "koloni nafte".

Administrata Trump akuzon Venezuelën për futjen e narkotikëve në SHBA dhe ka intensifikuar përpjekjet e saj për të izoluar presidentin Maduro në muajt e fundit.

Venezuela - shtëpia e disa prej rezervave më të mëdha të provuara të naftës në botë - nga ana tjetër ka akuzuar Uashingtonin se kërkon të vjedhë burimet e saj.

Çmimet e naftës së papërpunuar Brent u rritën të mërkurën, ndërsa lajmi për sekuestrimin nxiti shqetësime afatshkurtra për furnizimin.