Inteligjenca amerikane, CIA, po punon në heshtje për të pasur një prani të përhershme në terren në Venezuelë, duke udhëhequr kështu planet e administratës Trump për të krijuar ndikimin e saj të ri mbi të ardhmen e vendit, ka raportuar CNN-i të martën.
Diskutimet e planifikimit mes CIA-s dhe Departamentit të Shtetit janë përqendruar në atë se si do të duket prania amerikane brenda Venezuelës, si në afat të shkurtër ashtu edhe në afat të gjatë, pas kapjes dramatike të ish-presidentit Nicolas Maduro më herët këtë muaj.
Teksa Departamenti i Shtetit do të shërbejë si prania kryesore dhe afatgjatë diplomatike e SHBA-ve në vend, administrata Trump ka të ngjarë të mbështetet fuqishëm te CIA për të nisur procesin e rikthimit, për shkak të tranzicionit politik në vazhdim dhe situatës së paqëndrueshme të sigurisë në Venezuelë, pas largimit të Maduros, kanë thënë burimet.
“Departamenti i Shtetit ngul flamurin, por CIA është ajo që ushtron realisht ndikimin”, ka thënë për CNN një burim i njohur me procesin e planifikimit, duke vënë në dukje se objektivat afatshkurtra të agjencisë përfshijnë krijimin e bazës për përpjekjet diplomatike, përfshirë ndërtimin e marrëdhënieve me vendasit, si dhe sigurimin e mbrojtjes.
Në afat të shkurtër, zyrtarët amerikanë mund të operojnë nga një aneks i CIA-s, përpara hapjes së një ambasade zyrtare, gjë që do t’u mundësonte të fillonin kontakte joformale me anëtarë të fraksioneve të ndryshme të qeverisë venezueliane, si edhe me figura të opozitës, si dhe të identifikonin palë të treta që mund të përbëjnë kërcënim, ka thënë burimi, duke bërë një krahasim me punën e agjencisë në Ukrainë.
“Vendosja e një aneksi është prioriteti numër një. Para kanaleve diplomatike, aneksi mund të ndihmojë në ngritjen e kanaleve të ndërlidhjes, që do të jenë me shërbimet e inteligjencës venezueliane, dhe kjo do të mundësojë biseda që diplomatët nuk mund t’i kenë”, ka thënë një ish-zyrtar i qeverisë amerikane që ka bashkëpunuar me venezuelianët.
SHBA-ja ka dërguar shpesh drejtorë të CIA-s ose zyrtarë të lartë të inteligjencës për të zhvilluar takime të ndjeshme me liderë botërorë, për të diskutuar çështje delikate të bazuara në mbledhjen e informacionit të inteligjencës amerikane.
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ishte zyrtari i parë i lartë i administratës Trump që vizitoi Venezuelën pas operacionit kundër Maduros, duke u takuar në fillim të këtij muaji me presidenten e përkohshme Delcy Rodriguez dhe udhëheqës ushtarakë atje.